info@prodhuesit.org

Blog

Nga sabaia e ilirëve te eksportet, birra shqiptare arrin 40.1 mln litra prodhim

Ilirët e shijonin po aq sa shqiptarët e sotëm. Ata e quanin “sabaia” ne e njohim si birrë.

E përmendur në burimet e lashta si një pije e fermentuar nga drithërat, “sabaia” dëshmon praninë e hershme të kësaj tradite në hapësirën ilire.

Së fundmi, kjo lidhje me të shkuarën ka gjetur një interpretim të ri në treg përmes birrës “Iliria”. Marka e ndërton identitetin mbi traditën dhe synon ta përkthejë atë në një shije autentike, të përshtatur me prodhimin bashkëkohor.

Prodhimi industrial i birrës në Shqipëri nisi në vitin 1928 me birrën “Korça”. Sot, fabrikat vendase punojnë me linja të automatizuara, teknologji bashkëkohore dhe kontroll laboratorik, duke mundësuar prodhim më të standardizuar dhe cilësi të njëtrajtshme.

Krahas prodhimit industrial, po forcohet edhe prania e birrës artizanale.

“Birraria e Gjyshit” dhe birra “Puka” sjellin prodhime në sasi më të kufizuara por lidhura ngushtë me identitetin e zonave ku prodhohen.

Në vitin 2025, Shqipëria prodhoi rreth 40.1 milionë litra birrë, afro 6% më shumë se një vit më parë. Nga fabrikat e mëdha te mikrobirraritë, prodhimi vendas ka kaluar edhe kufijtë, duke mbërritur në tregjet europiane dhe ato të SHBA-së.

Megjithatë, kjo industri përballet me kostot e larta të prodhimit, varësinë nga lëndët e para të importuara, akcizën e unifikuar dhe konkurrencën e fortë nga birrat e huaja. Edhe nën këtë presion, sipërmarrjet shqiptare vijojnë të prodhojnë, të investojnë dhe të eksportojnë duke e mbajtur birrën shqiptare pjesë aktive të industrisë vendase, jo vetëm të historisë së saj.

https://www.instagram.com/reel/DbIqs49RSus/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==