info@prodhuesit.org

Blog

Bujqësia, mbështetje buxhetore nën peshën e saj në ekonomi

Mbështetja buxhetore për bujqësinë nuk i përgjigjet peshës që sektori ka në ekonominë shqiptare. Këtë shqetësim ngriti Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në emisionin “Portofol” në Report TV, me gazetaren Eliza Gjediku. Ai theksoi se financimi duhet të shoqërohet me politika që nxisin formalizimin e punësimit dhe të prodhimit në të gjithë zinxhirin ushqimor.

Në diskutimin për paketën fiskale, z.Shkodra paralajmëroi se rritja e TVSH-së do të reflektohet në çmimet që paguajnë konsumatorët. Po ashtu u kërkua qe të sqarohet se cilat ushqime do të përfitojnë nga ulja e TVSH-së dhe që, nëse miratohet rritja e tatimit mbi dividendin, ajo të zbatohet gradualisht.

Z.Shkodra kërkoi një mekanizëm të qëndrueshëm dialogu mes qeverisë dhe sipërmarrjes për masat fiskale. Ai theksoi se qeveria duhet të përcaktojë që tani rolin e prodhimit vendas në modelin ekonomik me të cilin Shqipëria synon të hyjë në Bashkimin Europian, duke i dhënë përparësi forcimit të industrisë prodhuese.