Paketa fiskale 2027 në qendër të mbledhjes së jashtëzakonshme të Asamblesë së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë
Prodhuesit shprehën kundërshtimin ndaj paketës së re fiskale, të cilën e cilësuan të pakonsultuar, dhe ngritën shqetësime për ndikimin e saj mbi likuiditetin, investimet dhe konkurrueshmërinë e industrisë vendase.
Në diskutime u theksua se rritja e tatimit mbi dividendin në 15% kufizon fondet e aksionarëve për investime, ndërsa ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nuk i jep zgjidhje informalitetit. Përfaqësuesit e industrisë së duhanit paralajmëruan se rritja e akcizës rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit.
Sipërmarrësit evidentuan gjithashtu kostot e larta të prodhimit dhe energjisë elektrike, barrën e akcizave, zhvlerësimin e euros dhe mungesën e stafit të kualifikuar.
Prodhuesit kërkuan TVSH 6% edhe për lëndët e para të produkteve të shportës, zbatim me faza të ndryshimeve fiskale dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje. Konsultimi dhe dialogu me sipërmarrjen duhet t’i paraprijnë çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik.




