Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në bashkëpunim me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë organizon në datat 18–20 nëntor 2026 një vizitë zyrtare në Ljubljana, Slloveni, në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe forcimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve.
Vizita synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për sigurinë ushqimore, me fokus të veçantë në binjakëzimin institucional të AKU-së me institucionin homolog slloven, shkëmbimin e eksperiencave dhe njohjen me praktikat më të mira evropiane në sektorin ushqimor.
Në kuadër të programit, janë parashikuar takime institucionale, vizita në stabilimente të industrisë ushqimore sllovene dhe takime me përfaqësues të bizneseve vendase, për të njohur nga afër standardet, kërkesat dhe praktikat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore.
Delegacionit shtetëror do t’i bashkohen edhe përfaqësues të industrisë ushqimore shqiptare, veçanërisht nga sektorët e përpunimit të mishit, qumështit dhe produkteve të tjera ushqimore.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë do të koordinojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit, duke kontribuar në forcimin e dialogut institucional, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e mundësive të bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë të të dy vendeve.



