Blog

Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë si një nga themelueset e Forumit Ekonomik Mbarë-Kombëtar, e pranishme në konferencën e zhvilluar në lidhje me “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri”.

Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësues të dy qeverive, Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të bizneseve. Pjesë e panelit të diskutimit ishte dhe Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë z. Sokol Kraja.

Në këtë Forum, u diskutua me sipërmarrjen mbi marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe objektivat e së ardhmes për përmirësimin e tyre, përmes:

  • thjeshtimit të mëtejshëm të procedurave dhe burokracive mes dy vendeve;
  • rishikimit të analizës së riskut për skanimin e mjeteve;
  • nxitjes së procesit të përfitimit të statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) për sipërmarrjet nga të dyja vendet;
  • bashkimit të forcave në një treg, me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj.

[slider style=”flat” category=”Forumit Ekonomik Mbarë-Kombëtar” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Tregtia e Jashtme, Prill 2019

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, për muajin Prill 2019, eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4,1 %, në krahasim me Mars 2019. Importet e mallrave arritën vlerën 57 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,6 %, në krahasim me Mars 2019.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 17,4 %, krahasuar me Prill 2018 dhe me 7,3 %, në krahasim me Mars 2019

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Ulja vjetore e eksporteve prej 0,2 %, këtë muaj është ndikuar nga grupi:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -8,6 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet:

  • “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +2,2 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2,0 pikë përqindje;
  • “Ushqime, pije, duhan” me +1,9 pikë përqindje.

Për më shumë informacion shihni materialin këtu.

Read more

Micam-Panairi ndërkombëtar i këpucëve, 15-18 shtator 2019, Itali

Në datat 15-18 shtator 2019, në Fiera Milano(Rho) do të mbahet panairi MICAM.

MICAM është një nga panairet më të rëndësishëm ndërkombëtar të këpucëve në botë, që paraqet një fokus të veçantë në tendencat më të reja të modës. Ngjarja mbahet dy herë në vit në Milano, kryeqytetin e modës, në ambjentet moderne dhe funksionale te Qendrës së Panaireve Rho Fiera.

Kompanitë do të kenë mundësi takimi me blerës nga e gjithë bota, të lançojnë produktet e reja, të krijojnë ose konsolidojnë marrëdhëniet e biznesit. Në këtë event pjesëmarrësit do të gjejnë cilësinë, kreativitetin, aftësinë dhe shpirtin inovativ të kompanive më të mira.

Datat e ardhshme për vitin 2020 do të jenë 16-19 shkurt dhe 20-23 shtator.

Për më tepër informacion rreth panairit vizitoni linkun: MICAM

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Prill 2019

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2019 është 1,4 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2019, krahasuar me mars 2019, është – 0,2 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin prill është ndikuar kryesisht nga grupet

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike”me +0,97 % ;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,25 % ;
  • “Pije alkoolike dhe duhan”,kanë kontribuar me +0,03 %. etj.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin prill 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, pasuar nga grupet

  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,2 %;
  •  “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,0 %, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 14,0 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,6 %, “peshk” me 2,0 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit“ vajra dhe yndyrna” u ulën me 0,6 % pasuar nga nëngrupet, “fruta” me 0,4 %, “bukë dhe drithra” me 0,1 %, etj.

Për më shumë klikoni materialin.

 

Read more

Siguria ushqimore dhe ndryshimet e reja ligjore në Kodin Penal

Në datën 6 maj 2019, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilluan takim konsultativ në lidhje me sigurinë ushqimore dhe ndryshimet e reja ligjore për sa i përket penaliteteve në fushën e sigurisë ushqimore. Në takim mori pjesë dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Edi Rama.

Duke e konsideruar sigurinë ushqimore një temë shumë të ndjeshme dhe shumë komplekse, Kryeministri Rama tha se “Sot në Shqipëri ka një numër të madh njerëzish dhe sipërmarrësish që i janë dedikuar prej vitesh me pasion, këmbëngulje dhe sakrifica, këtij sektori për të prodhuar dhe për të importuar e eksportuar ushqim”. “Është e dhimbshme, që këta njerëz e sipërmarrje të futen të gjitha në një thes dhe të jetohet me idenë se në Shqipëri hahet helm. Kjo është e pavërtetë, sikundër është e dhimbshme që të ndëshkohen për shkak të këtij perceptimi që ushqehet edhe nga mediat hera-herës, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, fermerët shqiptarë e sipërmarrësit, që i janë kushtuar eksportit”, tha Kryeministri.

Sipas Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Bledi Çuçi paketa e ndryshimeve e dispozitave në Kodin Penal, lidhet me garantimin përfundimisht të sigurisë ushqimore në vend. Çuçi tha se, takimi i sotëm është në kuadrin e diskutimeve me aktorët e tregut, me qëllim që të gjithë elementët e kësaj pakete, të marrin fuqi të plotë për të gjitha rastet që prekin sigurinë ushqimore, duke e cilësuar krim penal çdo veprim që prek sigurinë ushqimore”.
“Siguria ushqimore është një sfidë e madhe dhe e vështirë që do ta çojmë deri në fund, me çdo kusht e çmim. Nga ligji detyrohemi të garantojmë sigurinë ushqimore. Kodi Penal që ne kemi aktualisht është i vitit 1995, dhe dispozitat që ai përmban i adresoheshin zhvillimeve të asaj kohe. Referuar shifrave dhe fakteve, ky Kod nuk ka prodhuar asgjë të re për rritjen e sigurisë ushqimore në vend”, – tha ministri Çuçi.

 

Për të ndjekur takimin e plotë klikoni mbi këtë link

 


[slider style=”flat” category=”Siguria ushqimore-kodi penal” orderby=”date” order=”ASC”]

 

 

Read more

Samiti i 9-të i Sipërmarrjes Globale (GES), në Hagë, Holandë

Në datat 4-5 qershor 2019, do të zhvillohet Samiti i 9-të i Sipërmarrjes Globale (GES), në Hagë, Holandë. Organizohet nga dy prej vendeve më inovative në botë, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda. Ky aktivitet ka si qëllim bashkimin e bizneseve, investitorëve, krijues të politikave dhe novatorë, për të ndihmuar bizneset lokale të arrijnë tregun global, të tërheqin vëmendjen e investitorëve kryesorë dhe të përfaqësohen jashtë vendit. GES këtë vit do të fokusohet në kompani me zgjidhje inovative në fusha si: bujqësi, komunikim, energji, shëndetësi, ujë dhe do të sjellë së bashku 1200 sipërmarrës që punojnë në këto fusha dhe rreth 400 investitorë.

Synimi i Holandës është që GES 2019 të bëhet një treg global vecanërisht për sipërmarrësit e rinj, duke qenë se ata janë të fokusuar në zhvillimet më të fundit të teknologjisë dhe aplikimin e saj në treg, gjë që sjell kontribute në rritjen ekonomike, prosperitetin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me synim trajtimin e sfidave globale të sotmes dhe të së ardhmes.

Për më tepër informacion mbi Samitin dhe mënyrën e aplikimit mund t’i referoheni linkut https://www.ges2019.org/

Read more

Në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve dhe në mbështetje të prodhuesve të ndershëm

DEKLARATË PËR SHTYP

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë po ndjek këto ditët e fundit me vëmendje raportimet e medias si dhe shqetësimin e krijuar tek qytetarët në lidhje me sigurinë ushqimore. Duke qënë se lidhet drejtëpërdrejtë me cilësinë e shëndetit dhe jetës, siguria ushqimore meriton vëmendjen maksimale nga të gjithë ne.

Para se të jemi sipërmarrës, ne dhe familjet tona jemi konsumatorë dhe jemi po kaq të ekspozuar ndaj rrezikut të ushqimeve të pakontrolluara. Ndaj jemi këtu sot, për të ndarë me të gjithë qytetarët shqiptarë shqetësimin e përbashkët dhe t’ju bëjmë të ditur se reshtohemi në të njëjtën llogore, për të kërkuar nga institucionet publike monitorim, identifikim dhe ndëshkim maksimal të çdo individi apo subjekti, që abuzon, me apo pa qëllim, me cilësinë e produkteve ushqimore, qofshin ato vendore apo të importuara.

Gjithashtu jemi të shqetësuar sepse, në mënyrë të vazhdueshme prodhuesit e ndershëm në sektorin agroushqimor, po përballen me denoncime publike dhe akuza gjithëpërfshirëse pa adresë. Investigimet mediatike flasin për prodhimin e frutave dhe perimeve të rrezikshme për shëndetin, si pasojë e përdorimit të substancave kimike përtej normave të lejuara. Flasin për produkte të bulmetit të prodhuara me lëndë të huaja, deri edhe materiale seriozisht të rezikshme për jetën. Flasin për mashtrime në prodhimin e pijeve alkoolike apo freskuese, duke përdorur konservante artificialë dhe jo nga lëndë të para me origjinë natyrore. Qytetarët informohen për djathë, mish, sallam, domate, pije apo bukë të rrezikshme, por nuk përcaktohet saktë se kush e prodhon apo tregton këto produkte, më qellim që  konsumatori të mos i blejë më ato.

Gjatë këtyre ditëve kemi ndjekur jo vetem denoncimet mediatike por edhe debatin e nxehtë të opinionistëve të ndryshëm. Denoncimeve dhe debatit mediatik i janë bashkuar së fundmi edhe raportime “kuturu” të individëve pa emër në disa portale mediatike, duke paraqitur pa asnjë provë apo masë, foto të ndryshme të produkteve ushqimore të cilat paraqesin në dukje deformime apo dëmtime. Vendi ynë ka një ekonomi që më së shumti bazohet tek bujqësia, agropërpunimi dhe turizmi. Sapo kemi hyrë në sezonin e prodhimit të perimeve të stinës qe më pas të vijojimë me eksportin e tyre dhe jemi në prag të sezonit turistik. Cili është shërbimi që po i bëhet konsumatorit vendas dhe të huaj në këtë rast? Cili është mesazhi që po japim për tregjet e huaja, ku më shumë mundim kemi paragitur produktet tona?

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë median për çdo investigim apo denoncim i cili paraqitet me fakte konkrete dhe prova serioze, të cilat duhet të jenë të vazhdueshme dhe me emra konkret, me qëllim që prodhuesit e ndershëm të mos ndjehen të etiketuar njësoj si mashtruesit dhe shkelësit e ligjit.

Kjo situatë, e cila për fat të keq dhe për çudi po na përsëritet cdo vit, krijon një panik kolektiv në treg, çorienton konsumatorin, ul besimin te çdo produkt vendor dhe na largon më shumë nga tregjet ndërkombëtare. Produkti vendor është krenari kombëtare dhe ne duhet jo vetëm ta mbështesim por edhe ta promovojmë fort.

Prodhuesit e ndershëm vendor kanë bashkëpunuar dhe do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet publike të sigurisë ushqimore, për të vendosur standartet më të mira në prodhimin dhe përpunimin e produkteve vendore, por edhe për të luftuar së bashku fenomenin e informalitetit, mashtrimit dhe spekullimit në sektorin e prodhimit agroushqimor.

Duke përsëritur edhe njëherë vendosmërinë për të mbeshtetur ndeshkimin e spekullantëve, ne kërkojmë, së pari nga institucionet shtetërore përgjegiëse për sigurinë ushqimore, që të intensifikojnë dhe forcojnë kontrollin në treg dhe në rastet kur kanë prova shkencore e laboratorike, të  ndërhyjnë me forcën më të madhe që parashikon ligji, duke bërë madje edhe publikimin e rasteve për tu ardhur në ndihmë konsumatorëve që  të mos bien pre e këtyre produkteve të dëmshme.

Ne kërkojmë nga media, që në rastet kur nuk ka prova të konfirmuara, të mos krijojë panik të panevojshëm të konsumatorët, duke vënë në vitrinën e akuzës të gjithë prodhuesit shqiptarë. Në rastet kur identifikon apo konstaton shkelje flagrante nga subjekte apo individë, ti referojë ato menjëherë pranë autoriteteve me emra apo fakte konkrete. Vetëm kështu i shërbejmë mbrojtjes së konsumatorit, por edhe mbrojtjes se prodhimit vendas, i cili sot ka nevojë më shumë se kurrë per mbështetje dhe promovim.

Së fundmi, ftojme sot përfaqësuesit e ndershëm të sektorit privat, përfaqësuesit e medias, autoritetet publike dhe shoqërinë civile, të  krijojmë “Aleancën për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhimit Vendor”, e cila duhet të fillojë menjëherë bashkëpunimin për  identifikimin, denoncimin dhe goditjen e fenomenin të mashtrimit apo të çdo shkelje në te gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore, veçanërisht për subjektet prodhuese informale, pasi ky fenomen nuk po dëmton vetëm shëndetin e konsumatorëve, por po deformon seriozisht tregun dhe konkurrencën e ndershme.

 

[slider style=”flat” category=”deklarate ne mbrojtje te konsumatorit” orderby=”date” order=”ASC”]

 

Read more

“Free from Food Expo”, 28 dhe 29 Maj në Barcelonë

Në datat 28 dhe 29 maj në Barcelonë do të organizohet eventi i  Ndërmjetësimit “Free from Food Expo”,  i cili vjen si pjesë e panairit “Free from Functional Food Expo”, Rrjeti i Ndërmarrjeve Evropiane. Përveç të gjitha  formave  të paketimit të produkteve ushqimore, ky panair do të fokusohet edhe në “Paketimin e Lirë nga Plastikat”.

Gjatë eventin pjesëmarrësit do të kenë mundësi të takojnë partnerë të mundshëm të biznesit nga e gjithë bota. Pjesëmarrja është pa pagesë.

Regjistrohuni sot dhe gjeni partnerin tuaj potencial të biznesit!

Për më shumë informacion rreth eventit dhe kompanitë pjesëmarrëse do ti gjeni duke klikuar këtu.

Read more

Workshop “Balkan Project – Agricultural Mechanization”

Në datën 8 maj 2019 në Tiranë do të organizohet workshop – i me temë “Balkan Project – Agricultural Mechanization”, dedikuar prespektivave të zhvillimit të sektorit bujqësor,

Eventi organizohet nga Agjencia Italiane e Tregtisë (ICE), seksion i Ambasadës italiane për shkëmbimet tregtare, në bashkëpunim me FederUnacoma(Shoqata italiane e prodhuesve të makinerive dhe pajisjeve bujqësore).

Ky workshop do të shoqërohet me takime B2B me kompani italiane të specializuara në:

  • makineri dhe pajisje bujqësore
  • pjesë këmbimi dhe aksesorë për makineri bujqësore
  • komponentë hidraulik për bujqësinë
  • pompa për trajtim me produkte kimike agresive dhe për vaditje
  • tuba polietileni për vaditje

Për më shumë informacione dhe kompanitë italiane pjesëmarrëse do ti gjeni duke klikuar këtu.

Read more

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Mars 2019

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2019 është 1,4 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,6 %, vërehet në grupin “Hotele, kafene dhe restorante”, pasuar nga grupet

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %,
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %,
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit:

  • “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,4 %,
  • “Shëndeti” me 0,3 %,
  • “Transporti” me 0,2 %.

Në muajin mars 2019, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,5%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2%, pasuar nga grupet

  • “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %,
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4%, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 0,3 %, pasuar nga “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 % secili.

Për më shumë klikoni raportin e plotë.

Read more