Blog

“Agro-Tech Expo & Forum 2019″, Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Agroteknikës

Në datat 15-16 Mars 2019, do të organizohet Edicioni i II-të, “Agro-Tech Expo & Forum 2019″- Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Agroteknikës.

Ky organizim fton në një platformë komunikimi biznesi aktorët më të rëndësishëm kombëtare dhe ndërkombëtarë në fushat e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroteknikës. Në vijim të eksperiencës së edicionit të parë, Agro-Tech Expo & Forum 2019, do të krijojë të gjitha kushtet optimale për realizimin me sukses të komunikimit si nëpërmjet ekspozimeve ashtu edhe të takimeve të biznesit me qëllim prezantimin e kompanisë, produkteve edhe shërbimeve, krijimin e partneriteteve, si dhe të marrjes së informacionit të përditësuar me të rejat më të fundit nga teknologjia dhe zhvillimet e politikave. Në edicionin e parë Agro-Tech bëri pjesë të platformës rreth 60 biznese shqiptare dhe të huaja dhe rezultoi një edicion i suksesshëm dhe i pranuar gjerësisht nga sektori. Në edicionin e dytë pritet të dyfishohet interesi në drejtim të pjesëmarrjes dhe vizitorëve jo vetëm nga Shqipëria, por rajoni e më gjërë.

Agro-Tech Expo & Forum 2019, falë vëmendjes ndërkombëtare, nëpërmjet aktiviteteve të organizuara, forumit dhe workshopeve do t’u ofrojë sipërmarrësve shqiptarë dhe të rajonit të Ballkanit mundësi njohjeje dhe penetrimi drejt tregjeve të reja, shkëmbime dhe ndarje të eksperiencave, kontakte të vlefshme, informacione  dhe pse jo edhe mundësi reale për ridimensionimin e biznesit në nivele më të larta.

Bujqësia është dhe do të mbetet një nga sektorët me potencial të lartë zhvillimi në vendin tonë duke qënë burimi kryesor i të ardhurave dhe punësimit veçanërisht në zonat rurale të vendit. Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së dhe 38,2% të punësimit total. Pra, objektivi i këtij panairi është krijimi i një mjedisi të përshtatshëm dhe tërheqës për të gjithë ekspozuesit, për të promovuar me sukses produktet dhe kompanitë e tyre, për të krijuar partneritete dhe për të marrë informacion mbi skemat e reja mbështetëse dhe zhvillimet më të fundit në teknologjinë agrare.

Për informacione më të detajuar, lutemi të shihni broshurën.

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Dhjetor 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2018 është 1,8 %. Edhe një vit më parë ky ndryshim ishte 1,8 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2018, krahasuar me nëntor 2018, është 1,1 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,10 pikë përqindje;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga +0,45 pikë përqindje;
  •  “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje;
  •  “Transporti” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje;
  •  “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje;
  •  “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje;
  •  “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje;
  •  “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili;
  • “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje;
  •  “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje.

Për më shumë klik linkun këtu

Read more

Sot më datë 10 janar 2019, afati i fundit për deklarimin e librave, për tatimpaguesit e vegjël me TVSH

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të tatimpaguesve të biznesit të vogël me qarkullim 2-5 milionë lekë, se data 10 janar 2019, është afati i fundit i deklarimit dhe dorëzimit të Librave të Shitjes dhe Blerjes për periudhat tetor- nëntor- dhjetor 2018.

Ky është një detyrim që nuk mbart asnjë penalitet, por që duhet të përmbushet nga ana e tatimpaguesve sepse këto të dhëna përbëjnë  bazën për plotësimin e mëtjeshëm të deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së.

Për t’u njohur me mënyrën e plotësimit dhe deklarimit elekronik të Librit të Shitjes dhe Blerjes, mund të klikoni linkun: https://bit.ly/2Kj30HM

Gjithashtu mund të vizitoni “Këndin e Asistencës” i dedikuar për biznesin e vogël, pranë të gjitha Drejtorive Rajonale Tatimore (13 kënde efektive). Pranë këtyre këndeve, ju mund të merrni të gjithë asistencën e nevojshme, në mënyrë që të përmbushni me korrektësi detyrimet ligjore.

Read more

Produkti i Brendshëm Bruto, T3 – 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2018 në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2017, vlerësohet me rritje prej 4,48 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2017.

Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët:

  • Industria, Energjia dhe Uji me +1,71 pikë përqindje;
  • Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,12  pikë përqindje;
  • Ndërtimi me +0,48 pikë përqindje;
  • Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,35 pikë përqindje;
  • Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,28 pikë përqindje;
  • Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,12 pikë përqindje;
  • Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,09 pikë përqindje;
  • Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,07 pikë përqindje;
  • Arte, argëtim dhe çlodhje dhe Aktivitete të tjera shërbimi me +0,02 pikë përqindje;

Negativisht kontribuoi aktiviteti:

  • Informacionit dhe Komunikacionit me -0,18 pikë përqindje;
  • Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me + 0,40 pikë përqindje.

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 1,09%.

Për më shumë klikoni këtu.

 

Read more

Ndryshimet kryesore të paketës fiskale 2019

Më datë 1 janar 2019, ka hyrë në fuqi në fuqi paketa e re fiskale.

Ndryshimet kryesore ligjore kanë të bëjnë kryesisht me:

  • Procedurat Tatimore
  • Tatimin mbi të Ardhurat
  • Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
  • Taksat Kombëtare.

Konkretisht:

PROCEDURAT TATIMORE

  • Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.
  • Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore.
  • Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”.
  • Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike.
  • Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.
  • Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%.

TATIMI MBI TE ARDHURAT

Tatimi mbi pagat:

0%    për pagën mujore bruto deri 30,000 lekë;

13%  për pagën mujore bruto mbi 30,000 – 150,000 lekë

23%  për pagën mujore bruto mbi 150,000 lekë

Burimi i të ardhurave: Do të konsiderohen të ardhura me burim në Shqipëri edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident.

Tatimi mbi Fitimin: Tatimit mbi Fitimin do t’i nënshtrohet edhe çdo person jorezident, që nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat.

Personi joresident, duhet të përgatisë një deklaratë të të ardhurave të tatueshme, e cila duhet dorëzuar brenda datës 31 mars të vitit pasues.

Shpenzime të panjohura: Do të konsiderohen të panjohura shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.

Tatimi mbi Dividentin: Do të aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që:

  • tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;
  • tatimi për divitdentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Kujdes! Në rast se nuk zbatohen kushtet e mësipërme  tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividetin.

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

Ka ndryshime në shkallët tatimore në masën:

  • 6% për furnizimet e shërbimit të reklamave nga media audiovizive;
  • 6% për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me kapacitet 9+1 vende ose me shumë, me motor elektrik, deri në 31/12/2021. Nga data 1/1/2022 shkalla tatimore bëhet 10%.
  • 6% për furnizimin e librave të çdo lloji.

Nënkontraktorët e Regjimit të Përpunimit Aktiv: Do të aplikohet shkallë tatimore 0%, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, nga personat e tatueshëm të autorizuar dhe nënkontraktorët e tyre, mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacionet nën regjimin e përpunimit aktiv.

Norma e kompensimit të fermerëve: Do të aplikohet norma prej 6%, për kompensimin e fermerëve.

Përjashtimet nga TVSH-ja: Listës së përjashtimeve nga TVSH-ja i shtohen:

  • furnizimi i makinave bujqësore;
  • furnizimi i inputeve bujqësore;
  • furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake;
  • importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave.

TAKSAT KOMBËTARE

  • Taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare.
  • Taksa e ambalazheve prej qelqi për ambalazhet e importuara dhe të prodhuara në vend, në masën 5 lekë/kg
  • Taksa e lëndëve të para në formë primare të importuar dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, në masën 25 lekë/kg
Read more

DPT kujton tatimpaguesit për pagesën e kësteve të Tatimit mbi Fitimin

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit se data 30 dhjetor është afati i fundit i pagesës së këstit të Tatimit mbi  Fitimin, duke përmbushur kështu detyrimin për vitin fiskal janar-dhjetor 2018. Kjo bazuar në nenin 30 të ligjit nr.8438 dt.28.12.1998  “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshur.

Duke qenë se data 30 dhjetor është ditë pushimi, DPT i kërkon tatimpaguesve që pagesa e kësteve paradhënie të kryehet brenda datës 28 dhjetor, për të shmangur çdo mbingarkesë të mundshme të sistemit bankar.

Në rast mospagimi të detyrimit brenda afateve ligjore, tatimpaguesi penalizohet në masën 10% të shumës së këstit për t’u paguar.

Këtij detyrimi i nënshtrohen të gjithë tatimpaguesit që kanë përgjegjësinë e  Tatimit mbi  Fitimin. Sipas dispozitave ligjore, detyrimin e pagesës e kanë tatimpaguesit me xhiro mbi 8 milionë lekë.  Pagesa realizohet përmes sistemit bankar me udhër-pagesë.

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar të informojë me korrektësi tatimpaguesit mbi të drejtat dhe detyrat dhe i nxit ata që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.

Read more

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Nëntor 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Nëntor 2018 është 1,4 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,6 %, vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4 %;
  • “Transporti” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 1,6 %, secili;
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3 %;
  • “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,2 %;
  • “Komunikimi” me 0,5 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Veshje dhe këpucë” shënuan ulje respektive me 0,7 % dhe 0,3 %.

Mbi ndryshimet vjetore të grupeve kryesore dhe ndryshimet mujore të grupeve kryesore lexoni raportin e plotë.

 

 

Read more

Tregtia e Jashtme, Nëntor 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 6,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ulur me 9,9 %, në krahasim me Tetor 2018.

Importet e mallrave arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 2,3 %, në krahasim me një vit më parë dhe ulur me 3,9 %, në krahasim me Tetor 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 mld lekë, duke u ulur me 1,5 %, krahasuar me Nëntor 2017 dhe rritur me 2,5 %, në krahasim me Tetor 2018.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori janë rritur me 15,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,3 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,8 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +2,7 pikë përqindje;

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,1 pikë përqindje.

Në muajin Nëntor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor 2017 janë:

  • Kosova (34,9 %);
  • Spanja (63,9 %);
  • Gjermania (22,4 %);

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë:

  • Italia (-2,3 %);
  • Kina (-21,5 %);
  • SHBA (-14,4 %);

Për më shumë klikoni raportin e plotë.

Read more

2-Vjetori i Themelimit, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë mblodhi së bashku akademikë, personalitete të institucioneve publike, përfaqësues të ambasadave dhe organizatave të huaja brenda vendit, gazetarë ekonomikë, si dhe sipërmarrrës nga sektorë të ndryshëm të prodhimit vendas, për të festuar 2 vjetorin e themelimi të kësaj organizate. Puna dhe përkushtimi i këtij grupimi gjatë këtyre 2 viteve, kanë shërbyer për të mbrojtur njëzëri prodhuesit shqiptarë. E re në themelim por tepër dinamike në pjesëmarrje, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka si qëllim t’i shërbejë anëtarëve të sa por edhe të gjithë sektorit të prodhimit vendas me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri.

Gjatë kësaj mbrëmje nuk mund të mos falenderonim Ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Sonila Qato, për ndihmën dhe mbështetje e pakursyer ndaj sipërmarrësve prodhues vendas, si dhe bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur dhe do të këtë me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë.

Një vëmendje e veçantë ju kushtua dhe personaliteteve të fushave të ndryshme me ndikim në prodhimin vendas, në ekonomi si dhe kulturën shqiptare.

Prof. Dr. Adrian Civici për mendimin e spikatur akademik në fushën e prodhimit dhe për përgatitjen e brezave të rinj në fushën e ekonomisë.

Revistës Monitor për analizën e vazhdueshme profesionale në fushën e prodhimit dhe përcjelljen e saktë dhe të dretjë të informacionit ekonomik.

Z. Marin Mema për promovimin e vazhdueshëm të vlerave autentike shqiptare dhe për zbulimin e gjurmëve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Z. Bledar Kola për rikrijimin e kuzhinës tradicionale shqiptare dhe për promovimin e vlerave të produkteve vendase.

[slider style=”flat” category=”2 vjetori” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Deklaratë për shtyp: Për heqjen e barrierave tarifore dhe jo-tarifore për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Mblidhen përfaqësues të prodhuesve së Shqipërisë dhe Kosovës mbi kërkesa të përbashkëta ndaj Qeverive për heqjen e barrierave tarifore dhe jo-tarifore për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Përfaqësues të Bashkimi të Prodhuesve Shqiptarë, Klubit të Prodhuesve të Kosovës me mbështetjen e “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”, si dhe të Odës Ekonomike të Kosovës, u mblodhën sot në Tiranë, datë 23 nëntor 2018, për të deklaruar dhe nënshkruar kërkesa specifike drejtuar qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me problematikat që sipërmarrjet kombëtare të dy shteteve (Shqipëri dhe Kosovë), hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Kërkesat konsistojnë në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor, konkretisht si më poshtë:

  • Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë)
  • Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës)
  • Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Njohja reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve; (Kërkesa i drejtohet qeverisë shqiptare)
  • Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)
  • Krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)
  • Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Afati për katër pikat e fundit është mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive.

Në lidhje me rishikimin e kufirit të akcizës së birrës si dhe për disa çështje të tjera që prekin sektorin e konvertuesve të plastikës dhe prodhuesve të miellit, anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës do të zhvillojnë tryeza sektoriale për të arritur kërkesa të përbashkëta në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare të dy vende.

Këto kërkesa pasi të nënshkruhen nga prodhuesit e dy vendeve do t’i ridërgohen qeverive respektive për t’i marrë në konsideratë.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, si dhe Forumi Ekonomik i Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë, nuk do të ndalin së kërkuari në lidhje për sa më sipër, deri në momentin e përmbushjes së këtyre kërkesave nga Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës.

Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në datë 26 nëntor 2018, në Pejë.

[slider style=”flat” category=”AMU – KPK” orderby=”date” order=”ASC”]

 

Read more