Blog

Tregtia e Jashtme, Tetor 2018

Në muajin Tetor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2017 janë:

  • Italia (3,5 %);
  • Spanja (91,7 %);
  • Kosova (46,8 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-4,6 %), dhe Ukraina (-36,0 %).

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në Tetor 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 30 mld lekë, duke u rritur me 21,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 14,8 %, në krahasim me Shtator 2018. Importet e mallrave arritën vlerën 58 mld lekë, duke u rritur me 1,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 14,0 %, në krahasim me Shtator 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u ulur me 14,2 %, krahasuar me Tetor 2017 dhe rritur me 13,1 %, në krahasim me Shtator 2018.

Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë rritur me 16,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,9 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,0 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +2,7 pikë përqindje;

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,1 pikë përqindje.

Për më shumë shihni dokumentin këtu

Read more

Apulian Life Style, 19 nëntor 2018, Tiranë

Me rastin e Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, një delagacion me përfaqësues institucional dhe të sipërmarrjes, i udhëhequr nga Presidenti i Rajonit të Puglia-s, Michele Emiliano, me datë 19 nëntor 2018, në Tiranë, do të zhvillojnë aktivitetin “Apulian Life Style

Programi i datës 19 nëntor 2018, parashikon:

– Ora 14.30: Konference shkencore dedikuar “Health Promotion” dhe “Dietës mesdhetare të qëndrueshme” (Programi azhornimet në link-un Apulian Life Style),

– Ora 17.00: Temporary co-working dhe takime B2B midis ndërmarrjeve inovative dhe start up-ve italiane shprehje e ekonomisë vendore, të orientuara drejt mbrojtjes së territorit dhe kompanive shqiptare në sektorët agrifood, green economy, health e ICT (Lista e kompanive)

Nese jeni te interesuar te merrni pjese ne kete aktivitet për regjistrimin në B2B dhe seleksionimin e kompanive të interesuara, jeni të lutur të plotësoni form.

Për më shumë detaje lidhuni me Agjencinë Italiane të Tregtisë ICE, në adresën e emailit: tirana@ice.it

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Tetor 2018

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2018 është 1,9 %. Edhe një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2018, krahasuar me shtator 2018, është – 0,2 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga +0,70 pikë përqindje secili
  • Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,26 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili;
  • Çmimet e grupeve “Mobilje, paisje shtëpie dhe mobilime” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili;
  • Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar respektivisht me -0,02 dhe -0,01 pikë përqindje.

Mbi ndryshimet vjetore të grupeve kryesore dhe ndryshimet mujore të grupeve kryesore shihni dokumentin këtu.

Read more

Kuponi tatimor i lëshuar nëpërmjet pajisjeve fiskale dhe detyrimi për përdorimin e tyre

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet rubrikës “Tatimet Këshillojnë”, ka publikuar informacion në lidhje me “Kuponi tatimor i lëshuar nëpërmjet pajisjeve fiskale dhe detyrimi për përdorimin e tyre”.

Kuponi tatimor është dokument i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale apo të pajisjeve të tjera elektronike. Forma dhe përmbajtja e kuponit tatimor është siç përcaktohet në Vendimin e Këshillit te Ministrave Nr.781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale” dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij.

Kujdes!

Personi i tatueshëm shitës me pakice, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, kur vlera e çdo furnizimi të kryer për blerësin, pavarësisht nga statusi i këtij të fundit, është më e madhe se 40,000 lekë, përfshirë TVSH. Për çdo furnizim të tillë të bërë për individët konsumatorë jotregtarë, në faturën e lëshuar nga shitësi paraqitet detyrimisht emri, mbiemri dhe adresa e blerësit. Personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar gjithashtu që përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, pavarësisht nga vlera e furnizimit, në rastet kur marrësi i furnizimit është person i tatueshëm dhe kërkon faturë tatimore për nevoja biznesi apo kur marrësi i furnizimit edhe kur nuk është personi i tatueshëm, e kërkon faturën.

Personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kuponë tatimorë. Kuponi tatimor lëshohet në dy kopje, një nga të cilat është kopje letër që i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra i mbetet vetë personit të tatueshëm në shiritin e kontrollit të arkës regjistruese. Kuponi tatimor është dokumenti 2 nëpërmjet të cilit realizohet transparenca e duhur në marrëdhëniet e çdo biznesi me klientët e tij.

Për personat e tatueshëm, të cilët kryejnë furnizime të shërbimeve të natyrës bar-kafe, restorant, mensa, ku konsumohen pije dhe ushqime, lëshimi i kuponit tatimor duhet të bëhet për çdo porosi të kryer. Me porosi të kryer nuk nënkuptohet porosia nga çdo person, por porosia e kryer për çdo tavolinë. Ndërkohë nëse e njëjta klientelë kryen një porosi të dytë, atëherë me dorëzimin e porosisë ajo pajiset me kuponin tatimor për porosinë e dytë.

Kuponët e kasës ose dëftesat tatimore nuk njihen si dokument justifikues i shpenzimeve për blerësin ushtrues veprimtarie tregtare, përveç rastit kur janë të shoqëruara me faturë tatimore.

Personat e tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo të Tatimit mbi Fitimin që shesin mallra apo shërbime me pakicë, por nuk janë të detyruar të pajisen me arkë regjistruese ose pajisje të tjera fiskale, si dhe personat e tatueshëm tatimpagues i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin e biznesit të vogël, që shesin mallra e shërbime me pakicë, por që gjithashtu nuk janë të detyruar të kenë arke regjistruese ose pajisje të tjera fiskale, janë të detyruar të lëshojnë për çdo shitje që kryejnë dëftesa tatimore. Dëftesa tatimore është e detyruar të lëshohet edhe në çdo rast tjetër që arkat regjistruese apo pajisjet e tjera fiskale, për çfarëdo arsye qoftë, nuk janë në gjendje pune. Dëftesa tatimore lëshohet në dy kopje, një nga të cilat i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra mbetet në bllokun e vetë personit të tatueshëm.

Tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave në adresa të identifikuara vetëm për shitje me shumicë, nuk lejohen që në këto njësi të tregtimit me shumicë të shesin tek blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë).

Për tatimpaguesit (prodhues, tregtues apo importues), të cilët tregtojnë edhe me shumicë për tatimpagues të tjerë të regjistruar, por njëkohësisht kanë si pjesë të biznesit të tyre në adresa të ndara nga njëri-tjetri, edhe njësitë e tregtimit me pakicë për publikun (rrjet dyqanesh) të pajisura me NIPT-e sekondare dhe pajisje fiskale me vete, ky kufizim nuk zbatohet për shitjet e kryera ne adresat e identifikuara veçmas si njësi të shitjes me pakicë.

Automjetet e pajisur me NIPT-e sekondare, të cilat përdoren për shitjet me shumicë “derë më derë”, nuk konsiderohen njësi të tregtimit me pakicë.

Detyrimi për përdorimin e pajisjeve fiskale, vendosja e sistemeve të monitorimit të qarkullimit

Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave ose shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të përdorin sistemin fiskal nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor. Këta tatimpagues janë të detyruar të pajisen, të përdorin dhe të mirëmbajnë pajisjet fiskale në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Tatimpagues në sektorë të veçantë të ekonomisë, sikundër janë hidrokarburet janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sisteme të monitorimit të qarkullimit sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore apo akteve nënligjore në zbatim të ligjit.

Përjashtohen nga detyrimi i lëshimit të kuponit tatimor:

  • tatimpaguesit, që paguajnë Tatim mbi të Ardhurat nga kryerja e veprimtarive për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive;
  • personat, që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove;
  • individët, që lëshojnë me qira mjedise biznesi;
  • veprimtaritë, të cilat ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 individë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike.

 

Read more

Panairi “Health Ingredients Hi Europe”, 27-29 Nëntor 2018, Frankfurt, Gjermani

Me fokus në sektorin e ushqimit, në datat 27-29 nëntor 2018, në Frankfurt, Gjermani, do të zhvillohet panairi “Health Ingredients Hi Europe”.

Panairi Hi Europe është hapur për herë të parë në vitin 1986, si vend takimi ku mblidhen grupet e interesit global në sektorin e ushqimit dhe përbërësve të tij. Vendndodhja unike dhe hapësira ekspozuese prej më shumë se 60,000 m2, bashkon për 3 ditë furnizues të ushqimit dhe pijeve, specialistë kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe marketingu nga e gjithë bota,  si dhe  shembujt pozitivë me shërbimet më të larmishme dhe inovative.

Pjesëmarrja në këtë panair është një mundësi për të qenë mes 26,000 vizitorëve dhe profesionistëve të industrisë ushqimit të nivelit të lartë dhe me potencial e autoritet blerjeje.

Për të gjitha kompanitë e interesuara dhe për më shumë informacionin vizitoni linkun këtu.

Read more

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2018 është 1,9 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,4 %, vërehet në grupi “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %;
  • “Transporti” me 1,9 %;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” 1,6 %;
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %;
  • “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %;
  • “Shërbimi arsimor” me 0,8 %, “Komunikimi” me 0,7 %, etj.

Në muajin Shtator 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %, pasuar nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %,
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %,
  • “Transport” me 0,1 %.

Ndërsa, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele kafene dhe restorante” dhe “ Mobilje dhe paisje shtëpie” çmimet u ulën me 0,1 % secili.

Read more

Promovimi i prodhimeve shqiptare

Rreth 600 restorante në diasporë me pronarë shqiptarë apo që menaxhohen nga shqiptarët janë evidentuar nga përfaqësitë diplomatike për të qenë në dispozicion të eksportuesve dhe shoqatave të agrobiznesit në Shqipëri. Qëllimi i kësaj nisme në kuadër të Diplomacisë Ekonomike është shtimi dhe mundësia për rritje të potencialit të eksportit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizuan eventin e promovimit të prodhimit shqiptar drejt diasporës.

Në të morën pjesë anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të industrisë së prodhimit, si mjaltë, ujë mineral, bulmet, lengje të freskëta frutash, kantina vere, pije alkoolike, etj.

Pas fazës së evidentimit të këtyre 600 restoranteve, do të bëhet kanalizimi i të gjitha energjive që këto restorante të kenë mundësi të bëjnë pjesë të asortimenteve të tyre prodhime shqiptare, që mund të eksportohen në tregjet europiane dhe të Amerikës së Veriut.

Së shpejti ky projekt do të finalizohet me një aplikacion që do të quhet “Albanian Flavors”, ku do të prezantohen prodhimet shqiptare.

[slider style=”flat” category=”Promovimi i prodhimeve shqiptare” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Tregtia e Jashtme, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin shtator 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 26 mld lekë, duke u rritur me 8,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 28,0 %, në krahasim me gusht 2018.

Importet e mallrave arritën vlerën 51 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe rritur me 5,5 %, në krahasim me gusht 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 25 mld lekë, duke u ulur me 15,6 %, krahasuar me shtator 2017 dhe me 11,1 %, në krahasim me gusht 2018.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 8,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,2 pikë përqindje;
  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,3 pikë përqindje;
  • “Produkte kimike dhe plastike” me +1,9 pikë përqindje“.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij nëntëmujori janë rritur me 15,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,6 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,1 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +2,7 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,04 pikë përqindje.

Për më shumë klikoni këtu

Read more

Propozimet e Sipërmarrjes Prodhuese mbi Paketën Fiskale 2019

 

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, pas rishikimeve të propozimeve nga prodhuesit për paketën fiskale 2018 dhe mos marrjes në konsideratë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe pas konsultimeve të fundit të kryera me anëtarët e saj, mbi propozimet për paketën fiskale për vitin 2019, ka përgatitur propozimet e sipërmarrjes prodhuese për vitin 2019, si vijon:

  1. Të rishikohet në mënyrë integrale ligji për procedurat tatimore

Pas ndërhyerjeve pothuajse çdo vit të këtij ligji, ka ardhur koha që ky ligj të rishikohet në mënyrë integrale. Të bëhet një vlerësim juridik duke marrë në konsideratë të gjithë ndryshimet e kryera ndër vite, si dhe të gjitha problematikat e marrëdhënies tatim pagues – autoritet tatimor, me qëllim shmangien e të gjthë mbivendosjeve/përplasjeve që ndodhin gjatë aplikimit të ligjit dhe udhëzimit përkatës. Ka ardhur momenti të kemi një ligj të procedurave tatimore më të thjeshtë, më të kuptueshëm nga ana e tatim paguesve, si dhe më të mirë implementueshëm nga ana e organeve tatimore.

  1. Ligji Nr. 9975, 28.07.2008 “Për Taksën Kombëtare”, i ndryshuar

2.1 Nenit 2, pika 8.4 të projektligjit “Për Taksën Kombëtare”, të ndryshuar, të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë:

Ishte: Në rastin e prodhimit brenda vendit, taksa e ambalazheve prej qelqi, mblidhet nga Administrata Tatimore sipas afateve dhe procedurave të deklarimit në këtë ligj. Administrata Tatimore monitoron dhe kontrollon lëndët e para që përdoren për prodhimin e ambalazheve të qelqit, si dhe granulatin e importuar me qëllim prodhimin e materialeve dhe ambalazheve plastike brenda vendit.

Të bëhet: Për produktet dhe ambalazhet e qelqit dhe plastikës të prodhuara brenda vendit nga riciklimi i mbetjeve të qelqit dhe plastikës, taksa të caktohet në masën 1 lekë për kg, me kusht që subjekti ta provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit. Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore sipas afateve dhe procedurave të deklaruara në këtë ligj. Administrata tatimore monitoron dhe kontrrollon lëndët e para që përdoren për prodhimin e produkteve dhe ambalazheve prej qelqi dhe plastike nga procesi i riciklimit të mbetjeve që gjenerohen brenda vendit.

2.2 Ndryshimi i taksës mbi ambalazhet dhe produktet plastike

Kjo taksë sot është 100 lekë/kg + TVSH. Aplikohet për disa produkte si kapsulat që përdoren për prodhimin e shisheve plastike (kodi doganor 39235010) të ujit apo pijeve, apo kutitë plastike që përdoren për ambalazhimin e produkteve ushqimore të cilat përdoren gjerësisht edhe për produktet bujqësore si luleshtrydhe, domate, qershi, etj.

Evidentojmë që nga kjo taksë përjashtohen shumë produkte. Ndër më të rëndësishmit është granulati plastik, i cili nuk taksohet mbasi konsiderohet “lëndë e parë”.

Problemet që sjell kjo taksë me mënyrën si aplikohet:

  • Taksa aplikohet vetëm për disa produkte dhe rëndon së tepërmi kostot e tyre. Konkretisht rrit me 52 % koston e kapsulave për prodhimin e shisheve. Në vendet e rajonit si Greqi, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë, Bullgari, për këto produkte aplikohet vetëm taksë doganore në masën 0 ÷ 6 %;
  • Përjashtimi i disa artikujve nga kjo taksë bëhet shkak për evazion në treg. Kjo vjen mbasi granulati plastik (artikull i përjashtuar nga taksa) deklarohet i përdorur kryesisht për artikuj të përjashtuar nga kjo taksë (tip fletë plastike për serat), ndërkohë që është përdorur për artikuj të taksuar që tregtohen pa faturë;
  • Si pasojë e përjashtimeve dhe evazionit fiskal që ato gjenerojnë,  shteti mbledh vetëm 6 ÷ 7 lekë/kg plastikë nga 100 lekë/kg që duhet të mblidhte.

Propozojmë:

Kjo taksë të bëhet 15 lekë/kg taksa për të gjithë produktet plastike, kodi doganor 39. (këtu hyjnë edhe kapsulat kod 39235010). Ky rregullim do të sillte disa efekte pozitive:

  • Do të çlironte industritë prodhuese nga një super taksë;
  • Do të ulte çmimet në treg dhe do të stimulonte konsumin;
  • Do të ndalonte evazionin;
  • Do të arkëtonte 200 % të ardhura në arkën e shtetit.
  1. Ligji Nr. 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”

3.1 Kërkojmë heqjen e akizës për lëndët e para djegëse.

3.2 Taksa e Karbonit/Taksa e Akcizës

Për shkak të ndryshimeve të fundit gjatë vitit 2012 në ligjin “Për akcizën” dhe “Për taksat kombëtare”, Shqipëria aktualisht aplikon taksat indirekte për lëndët djegëse të ngurta, në shumën 5 lekë/kg (d.m.th 2 lekë/kg për akcizën dhe 3 lekë/kg për taksën e karbonit). Këto taksa rrisin çmimin e importit të karburantit me 45% – 50%.

Kjo rritje në industrinë e çimentos përkthehet një barrë e konsiderueshme në strukturën e saj të kostos, që ka një efekt prej ~ 2.5 – 3 euro kosto shtesë për ton të produktit përfundimtar, në varësi të llojit të çimentos së prodhuar.

Në tregjet ndërkombëtare tregtare kjo pengesë në kosto është e rëndësishme dhe nëse nuk hiqet do të dëmtojë shumë shpejt kapacitetin e Shqipërisë për të eksportuar çimento.

Si BE- ja dhe vendet fqinje (me përjashtim të një takse të vogël në Kosovë) nuk aplikojnë taksa indirekte mbi lëndët djegëse të cilat përdoren në industri. Produktet e energjisë dhe energjia elektrike në vendet e BE-së tatohen vetëm kur ato përdoren si lëndë djegëse për motorë apo për ngrohje dhe jo kur përdoren si lëndë e parë/lëndë djegëse në procesin e prodhimit, apo për qëllime të reduktimit kimik ose në procese elektrolitike dhe metalurgjike. (Direktiva e BE-së 2003/96 / KE, e datës 27 tetor 2003, e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për tatimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike).

Sa më sipër, Taksa e Akcizës, si dhe Taksa e Karbonit, duke qenë se janë taksa indirekte, zakonisht aplikohen për produktin përfundimtar dhe si të tilla mbulohen nga konsumatori përfundimtar. Duke pasur parasysh mënyrën se si këto taksa indirekte aplikohen aktualisht në Shqipëri ato rendojnë produktin ndërmjetësues, duke prekur në këtë mënyrë prodhuesin.

Përveç sa më sipër dhe në lidhje me Taksën e Akcizës, edhe mekanizmi i rimbursimit i parashikuar nga Ligji për Akcizën nuk siguron çlirimin e nevojshëm të ofruar nga kuadri ligjor i BE-së, pasi legjislacioni evropian aplikon përjashtimin e akcizës dhe jo rimbursimin për produktet e energjisë kur ato përdoren si lëndë e parë/lëndë djegëse në procesin e prodhimit apo për qëllime të reduktimit kimik apo në proceset elektrolitike dhe metalurgjike.

Propozojmë:

Heqja e Taksës së Akcizës dhe Karbonit, duke zbatuar në këtë mënyrë standardin e aplikuar në BE, pritet të rivendosë kushte të barabarta në tregun e çimentos së Shqipërisë dhe në këtë mënyrë të përmirësojë konkurrencën e industrisë vendase e cila është prekur në mënyrë disproporcionale nga krizat ekonomike. Duhet të theksohet se industria vendase e çimentos i shton produktit përfundimtar vlera lokale të konsiderueshme, kontribuon në të ardhurat tregtare të Shqipërisë me ~ 48 milionë euro në vit dhe siguron punësim për mbi 800 punonjës të drejtpërdrejtë.

Megjithatë, duke pasur parasysh ndikimin e konsiderueshëm të këtyre taksave në buxhetin e shtetit, një zgjidhje alternative është:

  • zëvendësimi i tyre me një rritje ekuivalente në T.V.SH ose vendosjen e një takse tjetër në vend të saj, për tu aplikuar për produktin përfundimtar (çimento);
  • heqjen e taksës së karbonit dhe akcizës në masën e zbatueshme për eksportet që kryhen dhe vendosjen e taksave doganore ekuivalente për produktet e çimentos të importuara;
  • të paktën aplikimin e një skeme rimbursimi për Taksën e Karbonit në formën që aplikohet gjithashtu për Taksën e Akcizës.
  1. Neni 282 i Ligjit Nr. 102/2014, datë 31.7.2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar
  • Kundër vendimit të autoriteteve doganore, shkelësi mund t’i paraqesë Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave një kërkesë ankimore brenda 30 ditëve nga data e njoftimit.
  • Për t’i paraqitur ankesën, ankimuesi duhet të paguajë shumën e përgjithshme të detyrimeve të importit ose eksportit, sipas përkufizimeve të këtij titulli, si dhe të garantojë shumën e sanksioneve të aplikuara për shkeljen objekt konflikti.

Probleme që krijon ky nen:

Konsiderojmë rastin që ndodh vazhdimisht në doganë ku subjekte të rregullta ngarkohen nga autoritetet doganore me detyrime dhe sanksione (gjoba) të padrejta të cilat ata i kundërshtojnë. Më dendur këto ankesa janë për dy shkaqe:

  1. Interpretim i gabuar i kodit të artikullit nga i cili llogaritet një detyrim shtesë. Shpesh kodi është konform kodit euvropian dhe ndryshohet nga autoritetet doganore.
  2. Detyrimi që lind për shkak të aplikimit jo konform të çmimeve të referencës.

Shumë dendur këto detyrime apo gjoba vendosen nga kontrolle aposteriori.

  • Pra, sipas Nenit 1 ankimuesi ka të drejtën të paraqesë kërkesën.
  • Sipas Nenit 2 duhet të paguajë detyrimin e plotë.

Propozojmë:

Unifikim të nenit 2 me ligjin për procedurat tatimore, pra pranimin e alternativës që ankimuesi të vendosë garanci bankare për shumën e detyrimit.

Neni 2 do të shkruhej:

Për të paraqitur ankesën, ankimuesi duhet të paguajë shumën e përgjithshme të detyrimeve të importit ose eksportit, ose të paraqesë një garanci bankare për këtë shumë.

  1. Ligi Nr. 8438, datë 28.12.1998, “Tatimi mbi të ardhurat”, i ndryshuar

Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës – Zgjatja e periudhës së shfrytëzimit për humbjet Tatimore

Një nga synimet kryesore të Qeverisë Shqiptare është të tërheqë gatishmërinë e investimeve të huaja direkte (IHD) për të kryer investime Greenfield (në fushën e gjelbër). Duke pasur parasysh natyrën dhe përmasën e këtyre investimeve Greenfield, zakonisht nevojiten 3-5 vjet përpara se këto investime të fillojnë të nxjerrin fitime. Në disa raste, për shkak të kushteve të tregut, kjo periudhë mund të jetë edhe më e gjatë. Në rrethana të tilla, këto shoqëri mbledhin humbjet të cilat duhet të shfrytëzohen ndaj fitimeve në të ardhmen.

Legjislacioni shqiptar, sipas Ligjit për “Tatimin mbi të Ardhurat” nr. 8438 datë 28.12.1998, i ndryshuar, parashikon që humbjet tatimore mund të barten dhe shfrytëzohen për një periudhë jo më shumë se 3 vjet.

Në referim të argumentit të lartpërmendur, kur këto Shoqëri fillojnë të nxjerrin fitime dhe duke marrë parasysh kushtet aktuale ekonomike të pandryshuara, është e qartë se dispozita përkatëse e legjislacionit shqiptar nuk i shërben qëllimit të krijimit të një ambienti tërheqës për investimet Greenfield. Përkundrazi, vendet fqinje si Greqia, Bullgaria, Serbia, Turqia u japin Shoqërive një periudhë minimale prej 5 vjetësh për të shfrytëzuar humbjet tatimore.

Propozojmë:

Duhet pasur parasysh fakti se vendet e BE-së, si p.sh Italia, u japin Shoqërive një periudhë të pacaktuar kohore për shfrytëzimin e humbjeve tatimore të krijuara gjatë 3 viteve të para të investimit, në këtë drejtim, si dhe me qëllim krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet e huaja direkte që kryejnë investime Greenfield, rekomandohet së tepërmi që periudha 3 vjeçare e përcaktuar në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të zgjatet minimalisht 10 vjet.

  1. Ligji 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar

6.1 Në aneksin nr. 2 të projektligjit ku janë përcaktuar “Kategoritë minimale dhe nivelet treguese të taksës vendore mbi pasurinë e paluajtshme truall (jo hapsirë publike)”, vihet re se vlera e taksës së truallit për qëllime biznesit krahasuar me vlerën e taksës së truallit për qëllime banimi nga individët është nga 35 herë – 85 herë më e lartë.

Propozojmë:

Të barazohet vlera e taksës së truallit për qëllime biznesit me vlerën e taksës së truallit për qëllime banimi nga individët.

6.2 Shkalla e taksës – Neni 22/2

Shkalla e taksës për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike, kërkojmë të bëhet 0.05% për veprimtaritë prodhuese.

6.3 Taksat Lokale – Taksat e Përkohshme

Ligji për Taksat Vendore (Neni 33) parashikon që Këshilli Bashkiak, kur gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të tij. Sidoqoftë, nuk jepet asnjë specifikim tjetër në ligj lidhur me kufizimet e këtij autoriteti, arsyetimin e domosdoshëm që duhet të mbështesë vendimin për vendosjen e këtyre taksave, si dhe qartësimin se çfarë do të ishte e domosdoshme për komunitetin, për qëllimet e vendosjes së këtyre taksave. Kjo e lë Këshillin Bashkiak një autoritet që tejkalon vetë ligjin dhe krijon pasiguri për të ardhmen.

Propozojmë:

Me qëllim garantimin e zbatimit të parimeve kushtetuese në vendosjen e Taksave, por gjithashtu për të shmangur ekspozimin e paparashikueshëm dhe të pajustifikuar financiar të operatorëve të biznesit, Ligji duhet të përcaktojë qartësisht dhe Këshillat Bashkiakë duhet të përcaktojnë dhe parashikojnë qartësisht në vendimet e tyre, gjatë vendosjes së taksave të tilla të përkohshme, me arsyetimin e mjaftueshëm mbi:

  • të specifikohet kur Këshillat Bashkiake kanë të drejtë të aplikojnë këto taksa:
  • nevojat përkatëse të komuniteteve për përfitimin e të cilëve aplikohen këto taksa;
  • kushtet dhe kriteret për llogaritjen dhe implementimin e këtyre taksave;

Gjithashtu, këto taksa nuk duhet:

  • të aplikohen më shumë se një periudhë më të gjatë se 6 muaj;
  • të mos jenë më shumë të larta se 50% kundrejt taksave të vendosura nga parlamenti.
  1. Ligjin nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

7.1 Neni 7

Neni 71/2 “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit ne rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor”, pika 1 shkronja d, propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, është: evidentohen elementë të veprimeve/transaksioneve që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore, për përcaktimin e detyrimit tatimor, administrata tatimore nuk merr parasysh një veprim/transaksion apo një seri veprimesh/transaksionesh, të cilat, duke qene se janë ndërmarrë me synim përfitimin e një avantazhi tatimor që vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjit,  rezultojnë fiktive në bazë të te gjitha fakteve dhe rrethanave.

Propozojmë:

Kjo pikë nuk duhet të vendoset në ligjin për “Procedurat tatimore”, pasi avantazhi tatimor është e drejtë themelore e çdo personi për ta zgjedhur.

7.2 Neni 8

Në nenin 75 “Detyrimet tatimore të paguara më tepër” shtohet pika 3 me përmbajtjen si më poshtë:

“3. Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik”.

Propozojmë:

Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi dhe nga tatimi në tatim, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik”.

7.3 Neni 12

Në nenin 107 “Pagesa e detyrimit tatimor, objekt ankimi”, në fund të fjalisë në pikën 2 shtohet shprehja me fjalët si më poshtë:

…si dhe kamatvonesat e llogaritura.”

Propozojmë:

Të mos shtohen këto fjalët.

7.4 Neni 13

Në nenin 115 “Plotësim i pasaktë i deklaratës tatimore”, në pikën “2”, shtohet në fund, fjalia me këtë përmbajtje:

“Shumë e papaguar e detyrimit tatimor konsiderohet edhe deklarimi i pasaktë i tepricës kreditore të TVSH-së, e cila llogaritet si diferencë e tepricës kreditore që duhej deklaruar me tepricën kreditore të deklaruar”.

Propozojmë:

Të mos shohet fjalia në pikën “2”.

7.5 Neni 14

Pas nenit 115/1 shtohet neni 115/2 me përmbatjen si më poshtë:

“Neni 115/2

Dënimet për mosnjoftimin e ndryshimeve në lidhje me ndryshimin e pronësisë

Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore në lidhje me ndryshimet e pronësisë, sipas kërkesave të nenit 27/1 “Ndryshimi i pronësisë” të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ai person juridik është përgjegjës dhe denohet si më poshtë:

  1. për shkeljen në rastin e pikës 3 të nenit të sipërpërmendur, 15 (pesëmbëdhjetë) për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie;

Propozojmë:

Të rishikohet vlera 15 (pesëmbëdhjetë) për qind në ulje pasi e dëmton rëndë sipërmarrjen.

7.6 Neni 15

Në nenin 124 “Kundërvajtjet në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve”, pas paragrafit të pikës 1 shtohet paragrafi i dytë me përmbajtjen si më poshtë:

“Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba sipas paragrafit më lart të kësaj pike, zbritet me 30 (tridhjetë) për qind.”.

Propozojmë:

“Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba sipas paragrafit më lart të kësaj pike, zbritet në 30 (tridhjetë) për qind.”

7.7 Neni 16

Në nenin 129 “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, në fund të shkronjës “ç”, shtohet fjalia me përmbajtjen si më poshtë:

“Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar”.

Propozojmë:

Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar” apo sipas rastit shuma që ka lëvizur nga llogaria.

  1. Heqja e taksave doganore për artikujt që janë lëndë e parë për industrinë prodhuese

 

 

 

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2018 është 2,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,6 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2018, krahasuar me gusht 2018, është 0,2 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

  • Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,58 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.
  • Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
  • Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin shtator 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin:

  • “Argëtim dhe kulturë” me 5,2 %;
  • “Transporti” me 3,2 ;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %;
  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %,
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %
  • “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %;
  • “Komunikimi” me 0, 7%;
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %
  • “Shërbimi arsimor” me 0,5 %, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 14,6 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 3,8 %, “vajra dhe yndyrna me 2,2 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,2 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,2 %.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin gusht 2018 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %, ndikuar kryesisht nga ndryshimi i çmimeve të teksteve shkollore.

Rritje patën dhe grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3 %, “Transporti” me 0,2 %, etj.

Ndërsa, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” shënuan një ulje prej 0,1 % secili.

Për më shumë klikoni këtu.

Read more