info@prodhuesit.org

Njoftime

Ja në cilat raste kanë përfituar 2,563 tatimpagues nga fshirja me kusht e detyrimeve

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka filluar faza e katërt e fshirjes automatike të detyrimeve me dhe pa kusht për periudhën para 31 Dhjetor 2010 dhe fshirja e detyrimeve tatimore që falen me kusht për periudhat tatimore nga Janari 2011 deri në Dhjetor 2014, ku aktualisht kanë përfituar 2,563 tatimpagues.

Në zbatim të ligjit nr. 33/ 2017 “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi përmbylli procesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat si dhe fshirjen automatike të detyrimeve të papaguara të interesave për pagesë të vonuar si edhe çdo penaliteti për të cilin nuk ka principal të papaguar, për periudhat tatimore deri më 31.12.2010, ka filluar dhe është në proces faza e katërt e fshirjes automatike.

Nga fshirja automatike janë kompesuar me gjendjen kreditore të TVSH-së dhe të tatimeve të tjera 81,663,834 lekë detyrime tatimore si dhe janë fshirë 753,853,648 lekë detyrime të papaguara. Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike në sistem njoftimin përkatës.

Procesi i fshirjes automatike po vijon hap pas hapi me të gjithë tatimpaguesit, të cilët sipas ligjit përkatës përfitojnë nga fshirja/shuarja, me dhe pa kusht të detyrimeve tatimore të papaguara.

Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të cilët kanë detyrime principale të papaguara për periudhën 2011-2014, të kryejnë sa më parë pagesën e këtij principali për të përfituar fshirjen/shuarjen e të gjithë detyrimeve të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara.

Kujtojmë se tatimpaguesit duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjendet i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”.

Read more

Ministri Ahmetaj: Katër kategoritë që do të përjashtohen nga skema e TVSH-së

Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë një takimi me biznesin e vogël është shprehur se futja e biznesit të vogël në skemën e pagesës së TVSH nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve, pasi ato i përcakton tregu, ndërkohë që ky proces do të strukturojë kontrollin ndaj bizneseve të mëdha me qëllim evitimin e evazionit fiskal.

“Qëllimi nuk është të vendosim një procedurë, por të mos lejojmë biznesin e madh që të mos raportojë të ardhurat. Nuk do të ketë rritje çmimesh, nuk ndikon TVSH-ja por ato i vendos tregu. Në konkurrencën e drejtë, çmimet reflektojnë të gjitha kostot qoftë ato administrative apo edhe ato fiskale. Ngarkesa që vjen nga TVSH do të jetë minimale. Çmimet kanë ndjekur rritjen dhe uljen e tyre normale me inflacion 1.5 deri në 2 për qind. Jemi përpara një procedure që ka ndodhur historikisht”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave ka folur edhe për fazën e tretë të aksionit antiinformalitet, ku është shprehur se logjika për të shtrirë TVSH është një logjikë anti-infrmaliteti.

“Kemi shpallur fazën e tretë të informalitetit. Logjika e parë për të shtrirë TVSH është logjikë antinformaliteti. Ju kërkoni shërbime të thjeshta dhe të shpejta nga qeveria, buxheti i shtetit duhet të marrë atë që i takon buxhetit të shtetit. Po ulim informalitetin, pasi ai përbën pabarazi dhe padrejtësi. Kjo është arsyeja pse kemi këtë instrument procedurial, nuk është taksë e re, nuk ndikon në çmim dhe nuk ngarkon sipërmarrjen e vogël”.

Ministri foli edhe një herë për shmangien e dokumenteve të shumta për biznesin, si dhe përmendi kategoritë që do të dalin nga skema e TVSH-së.

“Do të shmangen një numër i madh dokumentesh, nuk do të paraqiten 6 tipologji dokumentesh në zyrat e administratës tatimore, gjë që ua bën më të lehtë procedurat sipërmarrjes. Nga TVSH do të përjashtohen zejtarët, berberët, taksistët, ambulantët përfshirë edhe ata në tregjet e bashkive. 60-65 mijë subjekte do të mbetet jashtë skemës së detyrueshme të deklarimit të TVSH. Shtrirja e TVSH është një ndihmë që i japim ekonomisë tonë për të kontrolluar biznesin e madh”.

Ahmetaj njëkohësisht deklaroi para bizneseve se tatimi mbi fitimin do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm.

Read more

Rriten eksportet, dominon grupi “tekstile dhe këpucë”, pasohet nga materialet e ndërtimit dhe metalet

Eksportet janë vijuar tendencën e tyre pozitive edhe gjatë muajit shtator, duke shënuar një rritje prej 13.3% për 9 mujorin, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, shitjet e mallrave shqiptare jashtë vendit arritën në total 200 miliardë lekë, të udhëhequr nga tekstilet e këpucët, minerale, lëndë djegëse e energji dhe sidomos materiale ndërtimi e metale, që po mbajnë peshën kryesore në shtesën e eksporteve këtë vit. Ritmet e rritjes janë përshpejtuar sërish, teksa për 8 mujorin eksportet ishin zgjeruar me 12.8%.

Grupi kryesor i eksportuar vijon të jetë ai i “tekstileve e këpucëve”, që u rrit me 9% në 87.6 miliardë lekë. Eksportuesit kanë kaluar një vit të mirë, si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët italianë, të cilët i janë larguar Kinës dhe Lindjes së Mesme dhe po preferojnë të punojnë me Shqipërinë për shkak të avantazheve që ajo ka, krahas krahut të lirë të fuqisë punëtore, si afërsia me Europën, që mundëson të punohet me porosi të vogla dhe të shpeshta. Ky është grupi kryeso i eksportuar, me 44% të totalit.

Grupi i dytë më i madh ka vijuar të mbetet ai i “mineraleve lëndëve djegëse dhe energjisë”, pesha e të cilit për 9 mujorin është reduktuar në 16% të totalit, nga 18% që ishte të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rëndësia e këtij grupi, që është i varur nga konjuktura ndërkombëtare dhe nuk ka vlerë të shtuar ka rënë dukshëm, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të konjukturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Destinacioni kryesor i eksporteve nga Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës, është kthyer Spanja, e cila është renditur sërish si një ndër partnerët më të mëdhenj, pas Italisë. Për 9 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me vetëm 0.2%, në 32.8 miliardë lekë.

Për herë të parë, pesha e grupit të “materiale ndërtimi dhe metale” ka arritur në 16%, e njëjtë me atë të mineraleve e naftës. Eksportet u këtij grupi u zgjeruan me 40% (duke shënuar dhe rritjen më të madhe në vlerë absolute), për të arritur në gati 32 miliardë lekë. Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi.

Grupi i katërt më i eksportuar është ai i pijeve ushqimeve dhe duhanit, që u zgjerua me 20% në 20.4 miliardë lekë për 9 mujorin, duke reflektuar orientimin e bujqësisë drejt eksporteve.

Grupit “Makineri pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritjes, me 31% për 9 mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5% të totalit.

Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme përsa i përket eksporteve.

Sipas INSTAT, si nëntëmujor të gjitha grupet kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, ku grupet që kanë ndikuar më tepër në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +4,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,9 pikë përqindje.

Eksportet në shtator

Sipas INSTAT, në Shtator 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 30,3 %, në krahasim me  Gusht 2017. Importet e mallrave në Shtator 2017 arritën vlerën 53 mld lekë, duke u rritur me 10,5 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 7,6 %, në krahasim me Gusht 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 mld lekë, duke u rritur me 5,7 %, krahasuar me Shtator 2016 dhe duke u ulur me 5,9 %, në krahasim me Gusht 2017.

Rritja vjetore e eksporteve prej 16,8 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +3,2 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje.

Në nëntë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 201 mld lekë, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 453 mld lekë, duke u rritur me 6,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 252 mld lekë, duke u rritur me 2,1 %, krahasuar me 2016.

Në muajin Shtator 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2016 janë: Italia me (12,0 %), Kosova me (31,2 %) dhe Spanja me (207,2 %).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Mali i Zi me (-14,5 %), Zvicra me (-37,0 %) dhe Hollanda me (-51,4 %).

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (8,8 %), Kosova me (29,0 %) dhe Spanja me (126,4 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Zvicra me (-49,2 %), Hollanda me (-4,4 %) dhe Kroacia me (-20,9 %).

[slider style=”flat” category=”instat-tetor” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Banka e Shqipërisë: Shtrëngohen standartet e kredisë për bizneset

Rezultatet e “Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues” për tremujorin e tretë të vitit 2017 tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset ndërsa janë lehtësuar për individët. Sipas madhësisë së biznesit vihet re se standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë mbetur të lehtësuara njësoj si një tremujor më parë, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha standardet janë shtrënguar. Për individët, standardet e kredisë rezultuan të lehtësuara, si në segmentin e kredisë për blerje banesa, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Faktori kryesor që ndikoi në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve është konkurrenca në tregun bankar. Në kahun shtrëngues kanë ndikuar kryesisht huatë me probleme, situata e perceptuar makroekonomike, si edhe problemet specifike të sektorit. Përsa i përket individëve, faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve rezultuan mjaftueshmëria e kapitalit, niveli i likuiditetit, si edhe konkurrenca në sistemin bankar. Në kahun shtrëngues për këtë segment kanë ndikuar gjendja financiare e individëve, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe huatë me probleme.

Shtrëngimi i kushteve të kredisë të bizneseve u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë dhe rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i tyre u shpreh nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar. Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet zbutjes së kërkesave për kolateral, ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë dhe rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave.

Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017 u raportua e rritur si për bizneset, ashtu edhe për individët në të gjitha segmentet.

Bankat presin lehtësim të standardeve të kreditimit për bizneset, ndërsa standardet e kredisë për individët priten të mbeten të pandryshuara në tremujorin e katërt 2017. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Raportin e plotë të Bankës së Shqipërisë mund ta gjeni këtu.

Read more

Krijohet platforma informuese për tatimpaguesit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dhe Berzh nën mbështetjen e të cilit u finalizua ky projekt, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për krijimin e “Platformës Informuese për tatimpaguesit”.

Zyrat e informimit që do të pilotohen fillimisht do të jenë në qytetin e Fierit dhe Krujës dhe kanë për qëllim ofrimin e një informacioni të qartë dhe të përditësuar për tatimpaguesit, në lidhje me detyrimet tatimore, apo mbi regjistrimin e bizneseve të reja. Këto zyra do të vendosen pranë qendrave të ADISA –s që ofrojnë shërbime publike të integruara me një ndalesë dhe pritet të jenë funksionale në fillim të 2018. Materialet informative, që do përgatiten për individët apo tatimpaguesit, janë të hartuara në format të lehtë për përdoruesit sipas nevojave të ndryshme si dhe do të jenë të disponueshme online.

Drejtori i BERZH në Shqipëri, z. Matteo Colangeli tha: “Përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore është një element kyç për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe klimë më të mirë të investimeve. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin me institucionet Shqiptare në këtë fushë të rëndësishme dhe mendoj se kjo iniciativë që prezantojmë sot ka ardhur pikërisht në kohën e duhur dhe plotëson fokusin e ripërtërirë të autoriteteve për të luftuar informalitetin. Ne jemi gati të zgjerojmë aktivitetet tona në mbështetje të një mjedisi më të mirë për biznesin në Shqipëri”.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Vasilika Vjero shprehu se shtrirja në një dimension më të gjerë të funksionimit të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve për të qënë më afër tyre si dhe zgjerimi i rrugëve të informimit është në prioritetet e Administratës Tatimore. Asistenca e tatimpaguesve në këtë platformë informuese është iniciativë për të krijuar lehtësi në kuptimin dhe zbatimin e detyrimeve dhe të drejtave të tatimpaguesve duke nxitur më tej përmbushjen vullnetare.

Drejtoresha Ekzekutive e ADISA, znj. Anisa Gjika theksoi se: “Kjo iniciativë e përbashkët përfaqëson një përpjekje serioze drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit në përfitim të qytetarëve dhe bizneseve, si edhe në lehtësimin e qasjes ndaj shërbimeve publike. ADISA mirëpret iniciativa të tilla, pasi vetë thelbi i misionit të saj është përmirësimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimeve publike”.

Read more

Tatimet rikujtojnë mënyrat e kontaktit për të denoncuar informalitetin dhe sjelljet jo etike të administratës

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi zyrtar ka falënderuar qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ka ftuar të bashkëpunojnë për të dënuar informalitetin dhe sjelljen jokorrekte të punonjësve të administratës tatimore gjatë kontrolleve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vlerëson dhe beson që, përfshirja e qytetarëve është një nga mekanizmat më të mirë, në luftën kundër informalitetit dhe evazionit.

Denoncimet mbi aktet korruptive, sjelljet jo etike të punonjësve të Administratës Tatimore, konstatimi i evazionit fiskal apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor, të denoncuara nga ju, janë tepër të rëndësishme pasi i krijojnë mundësinë Administratës Tatimore të vendosë barazi midis subjekteve tatimore dhe të përmirësojë punën duke i dhënë zgjidhje çdo problemi të referuar.

Gjatë muajit tetor janë denoncuar 50 raste të cilat kanë kaluar mënjëherë në ndjekje nga strukturat e Hetimit Tatimor.

Administrata Tatimore falënderon qytetarët dhe tatimpaguesit për bashkëpunimin e deri më tanishëm dhe i inkurajon ata të vazhdojnë të denoncojnë çdo rast abuziv në kanalet e vëna në dispozicion.

Ju keni mundësinë të denonconi:
1. Duke telefonuar, pa pagesë në numrin: 0800 14 14. Gjatë orarit zyrtar të punës (08:00 – 16:30, nga e Hëna në të Premte, dhe 08.00-14:00 ditën e Premte)
2. Duke dërguar e-mail në adresën e postës elektronike: denoncime@tatime.gov.al/
3. Duke përdorur numrin e vënë në dispozicion për foto dhe video në whatsap dhe viber: +355 69 70 73 733
4. Duke nisur mesazhe në rrjetin social facebook Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve https://www.facebook.com/AdministrataTatimore/

Read more

Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, T3-2017

Sipas publikimeve zyrtare të nxjerra nga Banka e Shqipërisë mbi Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017. Rritja e TNE-së reflektoi përmirësimin e besimit të bizneseve të tregtisë e ndërtimit, dhe besimit të konsumatorëve. Ndërkohë, nivelet e treguesve të besimit në shërbime dhe në industri rezultuan lehtësisht më të ulëta krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rënie të lehtë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017. Rënia e TBI-së u përcaktua kryesisht nga ecuria e balancës së gjendjes së inventarëve, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së prodhimit. Ndërkohë, balanca tjetër formuese e treguesit, kontratat porositëse, qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si në tremujorin e mëparshëm. Balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare e bizneseve dhe pritjet për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm shënuan gjithashtu rënie.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit gjatë tremujorit të tretë. Niveli më i lartë i treguesit reflektoi rritjen e të dy balancave përbërëse të TBT-së: ecuria e biznesitb dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm. Një përmirësim të ndjeshëm shfaqi edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit. Ndërkohë, vlerësimet për punësimin në tremujorin e tretë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie.

Shpjegime metodologjike

Balanca është treguesi që përdoret më shpesh për agregimin e të dhënave cilësore nga vrojtimet. Ajo llogaritet si diferencë midis përqindjes së përgjigjeve pozitive dhe përqindjes së përgjigjeve negative. Balanca shprehet në pikë përqindje.

Treguesi i Besimit (TB) ndërtohet për çdo sektor dhe llogaritet si mesatare e thjeshtë e balancave të rregulluara sezonalisht, të treguesve të cilët kanë korrelacionin më të lartë me serinë e referencës (serinë e të dhënave reale të ekonomisë).

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE), ndërtohet duke u bazuar në të njëjtat balanca që përdoren për ndërtimin e TB-ve për secilin sektor (industri, ndërtim, shërbime, tregti dhe konsumatorët), duke synuar të kapë aktivitetin e ekonomisë në vend. Para agregimit të TNE-së, këto balanca standardizohen dhe peshohen.

Për më shumë informacion rreth kësaj analize shih dokumentin.

Read more

Panairi i produkteve bujqësore, 15-17 nëntor 2017, Holandë, Amsterdam

Në datat 15-17 nëntor 2017, ne Westergasfabriek, Haarlemmerweg, Amsterdam, do të zhvillohet Panairi i Produkteve Bujqësore “The Amsterdam Produce show and Conference”, në të cilin bëhen bashkë prodhues të produkteve të fresketa agro ushqimore në Hollandë – në zemër të industrisë globale të prodhimit të produkteve të freskëta ushqimore dhe bujqësore.

Një gamë e gjerë prodhuesish do të mblidhen për të festuar pozitën e Hollandës si një lider novator botëror në prodhimin e produkteve të fresketa ushqimore dhe bujqësore, në kërkim dhe zhvillim, shkencë, logjistikë dhe tregti.

Do të organizohen një seri eventesh përgjate këtij panairi një ditor, si seminare dhe demonstrime nga shefat më të mirë të kulinarisë në vend. Do të ketë pjesëmarrës dhe folës nga vende si India, Afrika e Jugut, Kina, Suedia, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, të cilet do të ndajnë informacion të vlefshëm mbi zhvillimet e tregut, inovacionin dhe trendet e reja në botën e produkteve ushqimore dhe bujqësore.

Kompanitë pjesëmarrëse në panair do të kenë këto përfitime:

  1. Promovimi i kompanisë dhe produkteve përpara profesionistëve në fushën e produkteve ushqimore;
  2. Komunikimi me blerës potencialë nga e gjithe bota;
  3. Mjedis të përshtatshëm për B2B;
  4. Krijim i mundësive të reja për të bërë biznes dhe për t’u zgjeruar në tregje të huaja;
  5. Lançimi i produkteve tuaja të reja.

Lutemi të gjeni këtu broshurën e eventit.

Më shumë informacion mund të merrni në faqen web:  www.amsterdamproduceshow.com

Read more

Si të eksportojmë në Turqi?

Në vitin 2006 Shqipëria ka nënshkruar një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë, e cila ka hyrë në fuqi në Maj 2008. Nëpërmjet kësaj Marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Kjo marrëveshje mundëson:

  • Eksportet me origjinë Shqiptare të produkteve industriale të dalin pa tarifa doganore dhe pa kuota;
  • Eksportet me origjinë Shqiptare të prodhimeve bujqësore të dalin pa tarifa doganore dhe pa kuota, (uji mineral, Vermouth, alkoli, kakao dhe produkte kakaoje, produkte pastiçerie);
  • Produkte me origjinë Shqiptare, me kuota eksporti, pa detyrime doganore dhe kuota për këto eksporte pa kufizime por me tarifa doganore, si vera, djathi, vezët, mjalti, bimët (përfshirë kalemat) domate, qepë, lakër dhe lulelakër, karota; kastravec, fasule, perime të ngrira, perime të thara, bizele, erëza, shalqi dhe pjepër, fruta të ngrira, bimë medicinale, konserva peshku, çokollatë, konserva frutash dhe perimesh, lëngje frutash të konservuara, lëng domateje, akullore.

Eksportuesit e interesuar, mund të përfitojnë nga Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri të produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore (referoju ‘Marrëveshje të tregtisë).

Marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe me Turqisë rregullon tregtinë preferenciale mes të dy vendeve. Marrëveshja mund të konsultohet në:

Lidhur me produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore. Lista e produkteve gjendet në Protokolli I të kësaj marrëveshjeje. Aneksi I i këtij protokolli përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Turqi dhe Aneksi II përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Shqipëri.

Të gjitha produktet e tjera agrare që nuk ndodhen në këto Anekse do të eksportohen dhe importohen duke ju nënshtruar tarifave doganore përkatëse .

− Marrëveshja këtu

Për më shumë informacion rreth rregullave të eksportit në Turqi mund të aksesoni në linkun

 

Read more

Si të eksportojmë në vendet e EFTA-s?

Në dhjetor 2009, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Shtetet anëtare të EFTA-s janë Islanda, Zvicra, Norvegjia dhe Lihtenshtajni. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve të EFTA përqendrohet në liberalizimin e tregtisë së mallrave.

Gjithashtu kjo marrëveshje mundëson:

– Eksportet me origjinë Shqiptare të produkteve industriale të dalin pa tarifa doganore dhe pa kuota;

– Eksporte me origjinë Shqiptare të disa produkteve bujqësore të dalin, sipas Vendeve Anëtare të EFTA-s me kuota dhe pa detyrime doganore, si vaji ullirit, perimet e freskëta, bimët medicinale, etj;

– Eksportet pa kufizim por me tarifa doganore për të gjitha prodhimet e tjera bujqësore.

Eksportuesit e interesuar, mund të përfitojnë nga Marrëveshja EFTA mes Shqipërisë dhe 3 vendeve jo anëtare te Bashkimit Evropian (Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtejnit), e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri të produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore. Marrëveshja e tregtisë së lirë “EFTA” rregullon tregtinë preferenciale mes Shqipërisë dhe vendeve të EFTA-s.  Për të lexuar marrëveshjen klikoni: CONVENTION ESTABLISHING THE EUROPEAN FREE TRADE ASSOCIATION

Tarifat doganore mbi produktet industriale, peshqit dhe produktet e tjera detare, nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes janë hequr. Marrëveshja e Tregtise se Lirë me EFTA gjithashtu parashikon konçesione tarifore për produktet bujqësore të përpunuara.

Për më shumë informacion të përgjithshëm tregtar me vëndet EFTA si dhe informacion mbi konçesionet e lejuara mund të aksesoni linkun: http://www.efta.int/free-trade/free-trade-agreements/albania

 

Read more