info@prodhuesit.org

Njoftime

Kalendari i Trajnimeve për biznesin e vogël që do të përfshihet në skemën e TVSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një publik zyrtar njofton se duke nisur nga data 5 Mars, fton të gjithë bizneset e vogla, përfaqësuesit e tyre, si dhe personat e interesuar, të cilët  do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së, të marrin pjesë në trajnimet e dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore.

Në mbështetje të ligjit 92/2014, “Për TVSH-në në RSH”, i ndryshuar, neni 107/5, në VKM nr. 953 datë 29.12.2014, për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Neni 1, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili hyn në fuqi nga data 1 Prill 2018, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik. Të gjithë bizneset që plotësojnë këtë kriter ligjor, përmes këtyre trajnimeve, do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj..

Kalendari i trajnimeve është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë këtyre bizneseve sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht punonjësin përkatës të administratës, përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit si dhe për të rezervuar pjesmarrjen.

Kalendari i trajnimeve

Read more

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton: Në skemën e TVSH-së për biznesin e vogël do të përfshihet dhe “Fletë Inventari” për gjendjen e mallrave dhe materialeve të blera me TVSH.

Sipas një njoftimi zyrtar nga DPT, tatimpaguesit e biznesit të vogël me xhiro mbi 2 000 000 lek deri në 5 000 000 lek, të cilët bazuar në ligjin nr.107/2017, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014”, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, VKM nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 11, duke nisur nga data 1 Prill 2018, do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duhet që krahas masave organizative që duhet të ndërmarrin, do të raportojnë edhe inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 Mars 2018, të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj.

Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh sa më poshtë:

  • të përpilohet lista e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve, sipas formularit bashkëngjitur këtij njoftimi;
  • çdo mall i përfshirë në inventar, duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data e deklarimit të inventarit, dhe të jenë të regjistruara në librat e tatimpaguesit. Periudha e faturave të deklaruara në inventar është data 01 Prill 2017 deri në 31 Mars 2018. Këto fatura i bashkëngjiten inventarit;
  • inventari, duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale, në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së, brenda datës 30 Prill 2018. Një kopje të këtij inventari tatimpaguesi e ngarkon edhe në e-filing.

Gjithashtu të gjithë këta tatimpagues, duhet të pajisjen me blloqe tatimore me TVSH, të cilat duhet të tërhiqen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë regjistruar.

Dokumenta ndihmëse: Flete inventari për mallrat me Tvsh kur BV regjistrohet në Tvsh

Read more

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2017 është 2,4 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,5 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1 %, “Transport” me 1,5 %, “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7 %, etj.

Ndërsa, çmimet e grupit “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje“ u ulën me 0,6 %.

Në muajin Dhjetor 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2 %.

Rritja mesatare vjetore e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2017 është 3,2 %.

Për më shumë informacion, lutemi klikoni këtu

Read more

Nga 1 Prill 2018, tatimpaguesit që kanë realizuar qarkullimin mbi 2 milionë lekë do të zbatojnë shkallën tatimore të TVSH-së, prej 20%, për çdo shitje të kryer

Tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).

  • Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH;
  • Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda dates 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë

Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë.

  • Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda dates 31 mars 2018.
  • Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH.

Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.

Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

Ndryshimi i përgjëgjësisë tatimore mbështetet në ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik.

Read more

Investitorët Italianë në Shqipëri, 18-19 shkurt 2018

Në datat 18 – 19 shkurt 2018,  do të organizohet nga Confindustria në bashkëpunim me ICE, ABI dhe partnerët e tjerë, nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Italiane “Misioni i sipërmarrjes në Shqipëri” për të thelluar mundësitë tregtare dhe investuese për kompanitë italiane, njofton AIDA.

Duke parë ecurinë pozitive të Shqipërisë ndër vite dhe parashikimet e rritjes vjetore për periudhën 2018-2022, sipas të dhënave të EIU mbi FMN, vendi ynë ofron mundësi të shumta për kompanitë italiane. Sektorët kryesorë për investitorët italianë janë: energjia, teknologjia e gjelbër dhe mjedisi, agro-industria, infrastruktura, turizmi, etj.

Më datën 19 shkurt do të mbahet Forumi i Biznesit “Itali – Shqipëri’, i dedikuar për marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve dhe mundësitë për bashkëpunim dhe investime të ofruara nga tregu. Në vazhdim të eventit do të zhvillohen takime B2B ndërmjet kompanive italiane dhe shqiptare me qëllim krijimin e kontakteve dhe hulumtimit të fushave të mundshme të bashkëpunimit.

Për më shumë informacion vizitoni linkun: https://albaniainvestimenti.com/2017/12/28/a-febbraio-missione-imprenditoriale-in-albania-organizzata-da-confindustria/amp/

Read more

Agrotica – Ekspozita e 27-të Ndërkombëtare e Makinerive Bujqësore, Pajisje dhe Furnizime

Në datat 1–4 shkurt 2018, në Qëndrën Ndërkombëtare të Ekspozitave në Selanik, do të zhvillohet Panairi Ndërkombëtar AGROTICA 2018”.

Fokusi i panairit do të jenë pajisjet dhe produktet bujqësore dhe blegtorale.

Panairi AGROTICA organizohet, që në vitin 1985, nga Ekspozita Ndërkombëtare e Thessaloniki-t HELEXPO, me Qendrën Ndërkombëtare të Ekspozitave, në Thessaloniki. Është aktiviteti më i madh ekspozues i degës së ekonomisë bujqësore të Ballkanit dhe Mesdheut Juglindor. Klasifikohet ndër ekspozuesit e parë të sektorit bujqësor të Evropës. Vizitohet nga më shumë se 120.000 vizitorë me interes të drejtpërdrejtë nga tregu i brendshëm dhe 30 vende.

Për më shumë rreth panairit klikoni Agrotica

Read more

Statistikat në tremujorin e III-të 2017 mbi prodhuesit e të mirave

Industri:

  • Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 2,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 4,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës;
  • Indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 5,8 %;
  • Indeksi i numrit të të punësuarve u rrit 0,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
  • Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Energji elektrike, gaz, avull

Indekset e treguesve kryesorë në aktivitetin Energji elektrike, gaz, avull në tremujorin e tretë 2017, paraqiten si më poshtë:

  • Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 21,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht u rrit 15,5 % krahasuar me tremujorin paraardhës;
  • Indeksi i prodhimit në volum shënoi rënie 31 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 32 %;
  • Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 4,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
  • Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 35,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve

Indekset e treguesve kryesorë në aktivitetin Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve, në tremujorin e tretë 2017, paraqiten si më poshtë:

  • Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 9,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 4,6 %, krahasuar me tremujorin paraardhës;
  • Indeksi i prodhimit në volum shënoi rënie 4,2 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshatur sezonalisht u rrit 1,5 %;
  • Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 7,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;

Ndërtim

Indekset e treguesve kryesorë në aktivitetin Ndërtim, në tremujorin e tretë 2017, paraqiten si më poshtë:

  • Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 19 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht u ul me 3,4 %;
  • Indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 18,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshatur sezonalisht u ul 2,6 %;
  • Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 2,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
  • Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Read more

Astrit Shabani: Prodhuesit shqiptarë i kanë hequr tashmë barrierat, është rradha e qeverive respektive të bëjnë të njëjtën gjë

Z. Astrit Shabani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ishte i pranishëm  në ceremoninë dhe darkën gala të organizuar me rastin e një vjetorit të themelimit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ku morën pjesë rreth 200 të ftuar, ministra e përfaqësues të institucioneve publike, ambasadorë,  përfaqësues të organizatave të huaja në Shqipëri , përfqësues të USAID nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e Maqedonia, gazetarë dhe prodhues të të gjithë sektorëve në Shqipëri.

Z. Astrit Shabani u shpreh se prodhuesit shqiptare në Kosovë Maqedoni e Shqipëri i kanë hequr tashmë barrierat, dhe është rradha e qeverive respektive qe të bëjnë të njëjtën gjë. Pasi vlerësoi punën e prodhuesve shqiptarë të të gjitha trevave, ai ftoi konsumatorët shqiptarë të konsumojnë shqip, të konsumojnë produkte vendase sepse përvecse përfitojnë produkte cilësore, mbështesin konkurrimin e denjë të produkteve shqiptare në tregun evropian.

Read more

Nagib Fejzi përgëzon frymën e bashkëpunimit mes prodhuesve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veri-Perëndimore

Z. Nagib Fejzi, Kryetar i Forumit Ekonomik të Prodhuesve Shqiptarë ishte i pranishëm  në ceremoninë dhe darkën gala të organizuar me rastin e një vjetorit të themelimit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ku morën pjesë rreth 200 të ftuar, ministra e përfaqësues të institucioneve publike, ambasadorë,  përfaqësues të organizatave të huaja në Shqipëri , përfqësues të USAID nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e Maqedonia, gazetarë dhe prodhues të të gjithë sektorëve në Shqipëri.

Z. Fejzi gjatë fjalës së tij u shpreh se në të gjitha vendet e Evropës ku ka pasur rastin të shkojë, nuk ka gjetur një organizim kaq të konsoliduar dhe një frymë bashkëpunimi kaq të mirë siç ka ndodhur midis prodhuesve te Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Z. Fejzi u shpreh i bindur se Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, me kaq arritje vetëm në nje vit punë, po merr rolin e organzimit vullnetar më të rendësishëm në Shqipëri përsa i përket industrisë së prodhimit dhe ftoi prodhuesit në Shqiperi të bëhen pjesë e këtij organizimi.

Read more

Forumi ekonomik i Diasporës Shqiptare bën bashkë qindra biznesmenë shqiptarë

Në Prishtinë u mbajt Forumi i parë Ekonomik i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Në forumin dy ditor u mblodhën ashtu siç ishin planifikuar rreth 500 afaristë. Në këtë forum morën pjesë edhe prodhues nga Shqipëria, anëtarë të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Qindra biznese e panë forumin si mundësi për krjimin e kontakteve, zgjerimin e bizneseve të tyre, identifikimin e mundësive për investim në Kosovë etj. Naim Dedushaj, drejtori për investime në Ministrinë e Diasporës hapi forumin duke thënë se ishte krenar që u arrit të mblidhen qindra biznese shqiptarë në Prishtinë, në kuadër të këtij forumi.

“Filluam me një përkushtim të madh nga viti 2011 deri tani. Janë disa vite ku me një punë të madhe arritëm që sot këtu të jemi të gjithë të bashkuar si forcë e rëndësishme ekonomike.

Gjithë kjo punë e madhe që është bërë me krijimin e rrjeteve të bizneseve në 25 vende të botës ishte angazhim i madh, por po vazhdojme me projekte tjera madhore siç është projekti ALB- Expo, që hap dyert për prodhuesit shqiptarë tek diaspora dhe shtetet tjera.

Nazar Mehmeti, president i Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare tha që kjo është një ëndërr e bërë realitet. “Qindra biznese janë mbledhur në Prishtinë për të rritur bashkëpunimin mes vete dhe për të ndihmuar vendet tona. Ne do të bëjmë më të mirën që mundemi për vendet tona. Ne vetëm kërkojmë nga president Thaçi, kryeminstër Haradinaj, të punoni me ne dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë Mehmeti.

Të pranishëm në darkën e përbashkët – Gala Dinner – ku të pranishmit u shërmbyen me prodhime vendase, ishin përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ministri i diasporës së Kosovës Dardan Gashi, ushtruesja e detyrës së Drejtorit të misionit USAID – Kosovë Liza Magno etj. Kjo ngjarja ekonomike është përkrahur zyra e USAID-it në Kosovë.

Liza Magno nga USAID tha se përkrahja e tillë do të vazhdojë:

“Fuqizimi i Sektorit Privat i USAID-it, përmes partneritetit me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Botë mështetë përpjekjet për lidhjen e diasporës me bizneset në Kosovë me qëllim të ndihmesës në identifikimin e mundësive të investimit dhe eksportit për produktet dhe shërbimet në Kosovë si dhe mbështetjes së objektivave të përbashkëta për rritje të qëndrueshme ekonomike në Kosovë”.
Ndërsa, përfaqësuesit e shtetit falenderuan kontributin e biznesmenëve të diasporës duke i ftuar që  të shohin edhe më tej mundësitë e investimit në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj e plotësoi festën duke njoftuar publikisht për një njohje të re që iu bë shtetit të Kosovës, njohja nga Madagaskari. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me bizneset ai tha që “unë jam këtu për të zbatuar ato që iu i kërkoni”. “Puna jonë tani duhet të zhvillohet në zhvillimin e shtetit tonë, si shteti më i ri, me potencialin më të madh ekonomik. Jemi krenar me ju. Për gjithë kontributin tuaj dhënë shtetit të Kosovës” tha mes të tjerash presidenti Thaçi.

Në forumin ekonomik ishte i pranishëm edhe Pandeli Majko si përfaqësues i qeverisë së Shqipërisë.

 

[slider style=”flat” category=”Forumi Diaspores” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more