info@prodhuesit.org

Lajme

Çfarë ndryshon për prodhuesit shqiptarë me integrimin në Bashkimin Europian?

Nga standardet e produktit dhe siguria ushqimore, te energjia, mjedisi, konkurrenca, doganat dhe mbrojtja e konsumatorit, procesi i integrimit prek drejtpërdrejt mënyrën se si prodhohet, certifikohet dhe tregtohet në Shqipëri.

Në këtë video shpjegojmë kapitujt kryesorë të negociatave që prekin industrinë shqiptare, sfidat që sjell përafrimi me standardet europiane dhe mundësitë që hap tregu i BE-së me rreth 450 milionë konsumatorë.

📌 Na ndiqni në rubrikat e ardhshme, ku do të trajtojmë veçmas kapitujt më të rëndësishëm për prodhuesit shqiptarë dhe detyrimet që burojnë prej tyre në procesin e integrimit europian.

https://www.instagram.com/reel/DZU5tLoAZ5E/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Livandoja shqiptare përdoret për prodhimin e produkteve që shiten nga kompani të njohura amerikane.

Për breza me radhë, sherebela, trumza, rigoni, livanda dhe dhjetëra bimë të tjera kanë qenë pjesë e traditës shqiptare. Sot, ato përdoren në industrinë farmaceutike, kozmetike, ushqimore dhe në produktet e kujdesit natyral, duke u kthyer në lëndë të parë për një gamë të gjerë produktesh.

Shqipëria renditet mes 25 eksportuesve kryesorë në botë në këtë sektor.

Të rritura kryesisht në Shkodër, Malësi të Madhe, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, këto bimë përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet lokale. Mbi 90 mijë persona janë të angazhuar në këtë aktivitet, ndërsa më shumë se 6.000 hektarë kultivohen në mbarë vendin.

Vetëm në vitin 2022, prodhimi arriti në 16.430 tonë, ndërsa eksportet u vlerësuan në 63 milionë euro, me një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Rreth 70% e eksporteve shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa pjesa tjetër kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë dekadës së fundit, grumbulluesit shqiptarë kanë investuar në standarde, certifikime dhe procese që kanë rritur cilësinë dhe besueshmërinë e produkteve vendase.

Dikur njiheshin vetëm në fshatrat dhe malet e Shqipërisë, sot kërkohen shumë përtej kufijve.

https://www.instagram.com/reel/DZNYneHuwlv/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Integrimi, kompanitë kanë nevojë për informim, ndërgjegjësim dhe transformim të vazhdueshëm.

Përgatitja e kompanive shqiptare për tregun e përbashkët europian kërkon informim, ndërgjegjësim dhe transformim të vazhdueshëm. Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, në takimin e tretë të Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Shoqërisë Civile BE-Shqipëri.

Z. Shkodra njoftoi se përveç harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, po punohet për reformimin e sistemit të përfaqësimit të sipërmarrjes, përmirësimin e regjistrit të biznesit dhe ngritjen e një procesi të gjerë komunikimi me kompanitë gjatë rrugëtimit drejt integrimit.

Sipas tij, hyrja në tregun e përbashkët europian kërkon standardizimin e produkteve dhe proceseve të prodhimit, përmbushjen e kërkesave teknike dhe sigurimin e certifikimeve të nevojshme, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga kapitujt e negociatave me BE-në.

Z. Shkodra theksoi gjithashtu se informaliteti dhe dezinformimi mbeten ndër faktorët që dëmtojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Read more

“Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në BE, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.”

“Na pret “dimri i madh”! Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në Bashkimin Europian, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.” Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, i ftuar në “Euroneës Albania” për të folur mbi sfidat që sjell procesi i integrimit për sipërmarrjet.

Sipas tij, Shqipëria po përballet me një ritëm shumë të shpejtë përafrimi të legjislacionit me atë të BE-së, ndërsa bizneset kanë nevojë për më shumë kohë, informacion dhe orientim për të kuptuar ndryshimet që kërkohen.

Z. Shkodra theksoi se tregu i BE-së me rreth 450 milionë konsumatorë përfaqëson një mundësi të madhe për prodhuesit shqiptarë, por hyrja në të kërkon investime të konsiderueshme në standarde, teknologji dhe procese prodhimi.

Ai nënvizoi se bizneset kanë nevojë për një proces të strukturuar përgatitjeje: informim dhe ndërgjegjësim, nisjen e transformimit të brendshëm, si dhe mbështetje financiare dhe jofinanciare për të përballuar kostot e tranzicionit.

“Duhet të kalojmë klasën, por edhe të mbajmë notën”, u shpreh Z. Shkodra, duke theksuar se nëse procesi nis tani, pesë vitet e ardhshme mund të shfrytëzohen për të ndihmuar bizneset që të përgatiten për konkurrencën në tregun europian.

Read more

“Qeveria të nisë një plan të detajuar kombëtar për kapitujt e negociatave me BE-në!”

“Qeveria duhet të nisë një plan të detajuar kombëtar për kapitujt e negociatave me BE-në, në mënyrë që biznesi të përgatitet për sfidat që e presin.” Ky ishte mesazhi kryesor i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, gjatë Konferencës së Parë Kombëtare të Industrisë së Përpunimit të Qumështit.

Sipas tij, bizneset shqiptare duhet të përgatiten që tani për një proces transformimi të thellë, pasi integrimi europian do të shoqërohet me dhjetëra standarde, akte ligjore dhe detyrime të reja që lidhen me kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian.

Shkodra theksoi se Shqipëria ka nevojë për një strategji konkrete dhe të koordinuar, që të orientojë dhe mbështesë sipërmarrjet në këtë fazë. Ai nënvizoi gjithashtu se integrimi në BE nuk sjell vetëm sfida, por edhe një mundësi të rëndësishme për prodhuesit shqiptarë që investojnë në standarde, identitet dhe konkurrueshmëri.

Read more

“Shqipëria ka nevojë për një Institut të Politikave Ekonomike.”

Në një dalje në A2CNN, përballë Ministrit të Financave Petrit Malaj, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, propozoi ngritjen e një Instituti të Politikave Ekonomike, që do të ndihmonte në analizë, parashikim dhe orientim më të qartë të reformave. Z. Shkodra theksoi se ky është një moment historik për ekonominë shqiptare, ku biznesi duhet të ndërgjegjësohet për standardet e reja që sjell integrimi në BE.

Sipas tij, mënyra si është bërë biznes deri më sot nuk është më e mjaftueshme — transformimi i brendshëm, nga menaxhimi financiar te raporti me tregun dhe punonjësit, është kyç për të përballuar kërkesat e tregut europian. Në të njëjtën linjë, u nënvizua edhe nevoja për analiza më të thelluara, për të orientuar zhvillimin drejt sektorëve ku Shqipëria ka avantazh real konkurrues.

Read more

Integrimi në BE kërkon transformim!

“Transformoni ndërmarrjet tuaja” – kjo ishte thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, drejtuar operatorëve të biznesit. Arben Shkodra theksoi se pa transformim të brendshëm, bizneset nuk do t’ia dalin të dërgojnë prodhimet e tyre në tregjet e BE-së.

Ai nënvizoi se transformimi duhet të përfshijë aspektin e organizimit të brendshëm, inovacionin dhe digjitalizimin, ndërsa prioritet i rëndësishëm duhet të jetë kërkimi shkencor. Në këtë proces, sipas tij, qeveria duhet të mbështesë biznesin në shumë drejtime duke filluar nga informimi, rritja e kapaciteteve, instrumentat financiare etj. Deklaratat, z. Shkodra i bëri në aktivitetin e organizuar nga AKU, “Siguria ushqimore, prioritet kombëtar dhe përgjegjësi e përbashkët për integrimin në BE”, ku ishin të pranishëm Kryeministri Rama, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, Drejtorja e AKU-së, Blerina Gjylameti, si dhe operatorë të biznesit ushqimor.

Read more

Investimet e diasporës kërkojnë drejtim të qartë!

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, në një intervistë me gazetaren Aurora Sulçe në A2Business, në A2CNN, thekson se këto investime duhet të mbështeten mbi strategji dhe analiza konkrete, duke shfrytëzuar jo vetëm kapitalin, por edhe eksperiencën nga tregje të zhvilluara. Sipas tij, përqendrimi aktual në tregun e pasurive të paluajtshme lidhet me mungesën e orientimit drejt sektorëve të tjerë me potencial. Përcaktimi i sektorëve prioritarë dhe i modelit ekonomik nga qeveria është kyç për të orientuar investimet drejt zhvillimit.

Read more

Biznesi shqiptar përballë tregut të BE: mundësi të mëdha, por sfida të shumta 🇪🇺

“Bashkimi Europian ofron shumë mundësi por është një treg i vështirë. Përgatitja duhet të nisë që sot, në mënyrë që ndërmarrjet tona të bëhen konkurruese në një treg të rregulluar dhe kërkues. Informimi, njohja e tregut dhe bashkëpunimi me diasporën ekonomike janë çelësi i suksesit” këto mesazhe u theksuan gjatë Forumit të Biznesit të Diasporës, në kuadër të Samitit të Katërt të Diasporës 🇦🇱, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”, Arben Shkodra.

Read more

Deklaratë e Bashkimit Prodhuesve Shqiptarë

Prej disa ditësh, në disa portale dhe media online, janë publikuar “denoncime qytetarësh” ndaj produktit “Uji Lajthiza”.

“Denoncimi” i referohet një qytetari, të pa identifikuar, në një resort në Jug të Shqipërisë, gjithashtu të pa identifikuar. Sipas këtij “denoncimi”, uji kishte përmbajtje të lartë kripe. Këtë konstatim e përforconte edhe një kamarier, gjithashtu i pa identifikuar. E gjitha, ishte e qartë që ishte një inskenim për të dëmtuar imazhin e kompanisë, që hedh në treg prej 25 vjetësh një prej produkteve më cilësore të ujit.

Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë është shumë i vëmendshm ndaj respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Ai do të mbaj qëndrim në rastet kur organet kompetente konstatojnë shkelje dhe cënim të standardit të sigurisë ushqimore. Por, me po të njëjtën përgjegjshmëri dhe përgjegjësi, BPSH kërkon të mbahet qëndrim nga institucionet kur prodhues të ndryshëm, bien pre e shantazhit apo sulmeve denigruese, për qëllime të caktuara.

Nuk është hera e parë që prodhuesë shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë ushqimore, bien pre e sulmeve publike pa asnjë bazë të vërtetueshme.

Këto sulme të qëllimshme cënojnë rëndë marrëdhënien dhe besueshmërinë mes prodhuesit dhe konsumatorit.
BPSH nxit çdo qytetar që, nëse vëren probleme me produktet ushqimore, t’i drejtohet institucioneve përkatëse.
Gjithashtu BPSH nxit institucionet që të mbajnë qëndrime në mbrojtje të konsumatorëve, por njekohesisht i nxit të reagojnë edhe në rastet kur fabrikohen fakte për të sulmuar marka të ndryshme prodhuesish.

Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë

Read more