info@prodhuesit.org

Lajme

Studim mbi Impaktin e COVID-19 mbi Sipërmarrjen Shqiptare

83% e bizneseve prodhuese pohuan se nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të paguar detyrimet, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të të ardhurave, sipas një Sondazhi që Bashkimi i Prodhuesve realizoi me 100 anëtarë të e tij. Po rreth 80% e bizneseve pohojnë se ata mund të paguajnë pagat për punonjësit e tyre edhe për maksimumi dy muaj.

Ndonëse kanë probleme likuiditeti dhe pamundësi për të paguar pagat, pjesa më e madhe e tyre (57%) pohojnë se nuk kanë në plan që të aplikojnë për të përfituar nga garancia sovrane. Ndihma e qeverisë nuk shihet funksionale, me 65% që raportojnë se nuk janë të kënaqur me të.

Ky është sondazhi i dytë që zhvillohet nga Bashkimi i Prodhuesve dhe në raport me të parin, që u realizua në datat 2 dhe 3 prill, konstatohet që ka një përkeqësim të pritshmërive të prodhuesve, që është e lidhur me kohëzgjatjen e krizës dhe pasiguritë që lidhen me të. 76% e biznesev thanë se nëse vazhdon kjo situatë mund të rezistojnë maksimumi dhe 2 muaj, nga rreth 70% që ishte përgjigja e të anketuarve në sondazhin e parë.

90% e të anketuarve e konsiderojnë ndikimin e pandemisë në aktivitetin e tyre si negativ/ ose shumë negativ. Pjesa tjetër e konsideron si mesatar dhe asnjë nuk rezulton si përfitues nga kriza.

Tre problemet kryesore që po përballen bizneset prodhuese janë:

  1. Mungesa e likuiditetit
  2. Mungesa e klientëve
  3. Ulja e prodhimit.

Mungesa e likuiditetit u raportua si problem nga 84% e të anketurave.

Mungesa e klientëve ishte shqetësim për 65% të tyre dhe rënia e prodhimit ka prekur 62% të të anketuarve.

63% e të anketuarve thanë se të ardhurat e tyre kanë rënë më shumë sesa 50% gjatë muajit mars. Pritshmëria vijon të mbetet edhe më pesimiste edhe për prillin dhe majin, ku bizneset presin që tkurrja e arkëtimeve të tyre të thellohet. Përkatësisht 72 dhe 73% e të anketuarve presin që të ardhurat e tyre të bien më shumë se 50% në muajt prill dhe maj.

Në raport me sondazhin e parë, të realizuar në fillim të muajit prill, pritshmëritë janë me negative. Në fillim të muajit prill, 55% e bizneseve prisnin përgjysmim të shitjeve ose më shumë, përkundrejt 72% që rezulton tre javë më vonë.

[slider style=”Flat” category=”covid19″ orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Ja si mund të paguani detyrimet tatimore me këste

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sjell në vëmendje të të gjithë tatimpaguesve, të cilët kanë detyrime tatimore të papaguara dhe kanë plotësuar kushtet ligjore, se mund të nënshkruajnë me organin tatimor një Marrëveshje të Pagesës me Këste.

Tatimpaguesi, për të përfituar nga kjo lehtësi duhet të justifikojë paaftësinë likujduese të përkohshme financiare.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Hapat që duhen të ndiqen për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë:

Hapi 1

Kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar. (Shpjegoni rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.)

Hapi 2

Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi 3

Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Me lidhjen e kësaj marrëveshje tatimpaguesit nëpërmjet modulit E-filing kanë të drejtën të ndjekin në kohë reale situatën e saj dhe të gjenerojnë “Urdhër Pagesën” e dedikuar vetëm për planin e pagesës me këste. Në këtë rast pagesa do të shkojë vetëm për periudhën / periudhat e përcaktuara në këstin e radhës.

Sjellim ne vëmendje se Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.

Read more

Tregtia e Jashtme, Gusht 2019

Sipas të dhënava zyrtare të INSTAT, në Gusht 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 mld lekë, duke u ulur me 2,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 27,8 %, në krahasim me Korrik 2019.

Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 6,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 13,7 %, në krahasim me Korrik 2019.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me Gusht 2018 dhe duke u ulur me 1,6 %, në krahasim me Korrik 2019.

Në tetëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 200 mld lekë, duke u ulur me 2,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 429 mld lekë, duke u rritur me 3,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 229 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rënia vjetore e eksporteve prej 2,0 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,1 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,1 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet:

  • “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +9,1 pikë përqindje;
  • “Produkte kimike dhe plastike” me +2,1 pikë përqindje;
  • “Ushqim, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë ulur me -2,5 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,0 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,0 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet:

  • “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,8 pikë përqindje;
  • “Ushqim, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje;
  • “Produkte kimike dhe plastike” me +0,7 pikë përqindje.

Mbi të dhënat statistikore të importeve shihni dokumentin.

Read more

Bizneset kërkojnë shtyrjen e fiskalizimit, përndryshe kostot do jenë të mëdha

Flet z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për revistën Monitor.

Përpara se të paraqes shqetësimet tona si Bashkimi i Prodhuesve, dua të bëj një parantezë: Ekonomia shqiptare “nuk i shpëton” dot dixhitalizimit, pasi është një proces që do të ndodhë shumë shpejt edhe në Bashkimin Europian, në vitin 2021, ku do të fillojë të implementohet teknologjia 5G, e cila është 10-fish më e shpejtë se sistemi aktual.

Interneti do të jetë sërish vektori, por për ne do të ndryshojë mënyra e të bërit biznes, do të ndryshojë qasja ndaj aktorëve të tjerë të ndërmjetëm siç janë: bankat, shoqëritë e sigurimeve, ofruesit e shërbimeve etj. Gjithashtu do të ketë zhvillime të reja në mënyrën e menaxhimit të një biznesi dhe mënyrën e zgjidhjes së problemeve.

Ky revolucion dixhital, që në gjuhën ekonomike quhet “Revolucioni i Katërt Industrial” ose “Industria 4.0”, do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme fizionominë e ekonomisë botërore dhe si pasojë, edhe të ekonomisë shqiptare.

Për t’ju kthyer pyetjes suaj, në lidhje me nismën e fundit të Qeverisë për dixhitalizimin e sistemit fiskal, qasja në këtë moment paraqet disa rreziqe, të cilat janë kthyer në shqetësime për sipërmarrjen. Ky proces përbëhet më së shumti nga tre aktorë:

Aktori i parë është qeveria (shteti), i cili ka për detyrë: së pari – të hartojë strategjinë e inovacionit dhe të krijojë një axhendë dixhitale, së dyti – të investojë fondet publike në ndërtimin e një infrastrukture serioze që mundëson zbatimin e kësaj strategjie dhe axhendë dixhitale dhe, së treti – të edukojë dhe trajnojë administratën publike për t’u qasur sa më mirë dhe denjësisht në këtë proces sfidues.

Menjëherë na vijnë ndër mend disa pyetje: A kemi sot një indeks kombëtar për sa i përket nivelit të futjes së teknologjisë së informacionit? Sa është buxheti i planifikuar për çdo njësi shpenzuese në shtetin shqiptar për dixhitalizimin dhe inovacionin? Cili është pozicionimi në indeksin global për inovacionin? A është e harmonizuar infrastruktura aktuale publike me atë private? Cilat janë kapacitetet aktuale të kësaj infrastrukture? Në ç’nivel është mbulimi me internet në shkallë vendi dhe çfarë cilësie ka ky produkt në Shqipëri? Sa është shkalla e njohurive të administratës sonë publike në lidhje me këtë proces?

Të dytët janë aktorët ndërmjetës, ku përfshihen shoqëritë e telekomunikimit, shoqëritë e IT dhe të ofrimit të shërbimeve që do të integrohen në këtë proces, bankat e nivelit të dytë etj. Në këtë rast, nuk kemi një pamje të qartë nëse këta aktorë janë të përgatitur për një proces të tillë dhe nëse janë gati, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për t’u përballur me fazën e implementimit. Në dijeninë tonë, për të garantuar një funksionim të përkryer të procesit, këta aktorë duhet të kryejnë një sërë investimesh jo pak të vogla, duke marrë në konsideratë që shpenzimi fillestar për qeverinë shqiptare për ndërtimin e një platforme ka qenë rreth 15 milionë euro.

Aktori i tretë është sipërmarrja shqiptare e cila, së pari, nuk është marrë në konsultim nga shoqëria që ka ndërtuar platformën. Siç e dimë fizionomia e ekonomisë sonë dhe profilet e sipërmarrjeve paraqesin problematikat e veta, bazuar në sektorët ku kryejnë aktivitet. Qasja në ekonominë kombëtare të një sipërmarrje që ka si aktivitet bazë grumbullimin, riciklimin dhe prodhimin, nuk është e njëjtë me një sipërmarrje që importon dhe tregton, ose me një sipërmarrje që ofron shërbime turizmi apo ndërtime. Duke marrë parasysh këtë element duhet pasur kujdes jo vetëm në hartimin e një strategjie apo legjislacioni por, mbi të gjitha, të platformave software të cilat kryejnë më pas në mënyrë automatike jo vetëm monitorimin, por edhe ofrimin e shërbimeve online. Gjithashtu nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për konsultim, pasi në gusht, jo vetëm sipërmarrja por edhe ekspertët konsulentë qe duhet të punojnë, kanë qenë me pushime.

Disa nga shqetësimet e para si sipërmarrje prodhuese:

Ne po shkojmë drejt dixhitalizimit të proceseve që më parë bëheshin fizikisht, por nuk kemi shembuj konkretë, p.sh. si do të funksionojë faturimi nga magazina e një sipërmarrje deri te konsumatori final, duke marrë parasysh të gjithë hallkat e procesit dhe problematikat e tregut.

Si do të funksionojë faturimi elektronik në rastin e importit dhe eksportit. Si do të funksionojë procedura e korrigjimeve dhe stornimeve. Një problem mjaft i madh paraqitet te përcaktimet e gjendjes ditore të arkës, pasi vlerat e propozuara në projektligj nuk përputhen me disa sektorë apo sipërmarrje specifike.
Si do të funksionojë një transaksion në zonat ku dukshëm dhe vazhdueshëm nuk ka mbulim me internet.

Propozimet tona:

Duhet të fillojnë menjëherë informimi dhe komunikimi me sipërmarrjen sipas sektorëve të veçantë, duke organizuar workshop-e. Kjo do të sillte një informacion shtesë jo vetëm për ndërtuesit e platformës por edhe për hartuesit e projektligjit, me qëllim që të bëhen korrigjimet e nevojshme.

Duhet të shtyhet implementimi i këtij sistemi në shkallë kombëtare deri në vitin 2021, duke bërë projekt pilot vetëm për Tiranën, e cila është rreth 1/3 e sipërmarrjes, ku infrastruktura nuk paraqet shumë probleme dhe cilësia e internetit është e kënaqshme. Gjatë këtij viti testimi duhet të mos aplikohen gjoba, por të evidentohen problemet dhe të parashikohen zgjidhjet.

Kostot ekstra me të cilat do të përballet biznesi

  • ndryshimi i sistemi i POS-eve;
  • vendosja e programeve të reja;
  • mirëmbajtja e sistemit;
  • 40 euro për firmën dixhitale;
  • kostot e trajnimit të stafit.
Read more

Fiskalizimi: Të shtyhet procesi, kërkon më shumë kohë për implementim

Në një intervistë të dhënë për Balkanweb, Sekretari i Përgjitshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë z. Arben Shkodra, shprehet se biznesi vlerëson sistemin e ri elektronik përmes të cilit do të regjistrojë dhe raportojë aktivitetin e tij financiar tek tatimet por kërkon më shumë kohë për implementimin e saj.

“Kemi disa shqetësime të cilat lidhen me mënyrën sesi është draftuar ky ligj dhe mendojmë që duhet të rishikohet. Jemi pro një dixhitalizimi të ekonomisë shqiptare por ai është një proces shumë i komplikuar dhe ka nevojë për më shumë hapsirë, dialog dhe verifikime, por ka nevojë dhe për një qasje tjetër midis dy aktorëve qeverisë dhe biznesit.” – shprehet z. Shkodra.

Sistemi i ri eliminon kasat fiskale që ka sot biznesi duke i zëvendësuar me një program inteligjent kompjuterik, i cili mund të instalohet në kompjutera apo dhe telefona smart. Për biznesin këto ndryshime prite të rrisin kostot e tyre.

“Ajo që bie në sy nga të gjithë propozimet është koha shumë e shpejt e implementimit e cila nuk do t’i lejojë të gjithë aktorët, si qeverinë, ndërmjetësit dhe përdoruesit final që janë bizneset të bëjnë investime kaq shpejt dhe cilësore. Do të ketë kosto të drejtëpërdrejta që lidhen me implementimin e ligjit, do të ketë dhe kosto indirekte me qëllim qasjen e të gjithë biznesit dhe natyrës të bërit biznes me këtë ligj dhe këtë reform”, tha Arben Shkodra.

Shumë shpejt “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” do t’i paraqesë Ministrisë së Financave propozimet për fiskalizimin.

Ndiqni intervistën këtu.

Read more

QKB: Njoftim subjekteve mbi detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018

Qendra Kombëtare e Biznesit njofton subjektet lidhur me detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018,  se ata subjekte të cilët kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 31.07.2019, (ora 24:00) dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të fluksit të madh të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative në bazë të nenit 74, pika 3 e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e Biznesit”.

 Ndërkaq të gjithë këto subjekte që kanë aplikuar, por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin për arsyen e lartpërmendur duhet të përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datës 31.07.2019, dhe të dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2018 deri më datë 30.09.2019.

 Për informacione të mëtejshme lidhur me mënyrën e dorëzimit dhe përdorimit të formatit të ri, lutemi konsultoni Manualin e Përdorimit për aplikimin për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raporteve si dhe mund të kontaktoni në adresën elektronike info.qkb@qkb.gov.al  dhe në numrin e Tel: +355 4 2250066

Read more

Vijojnë takimet për udhëzimin “Për taksat kombëtare”

Pas miratimit të Ligjit nr. 55/2019 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë vijon takimet me anëtarë të organizatës dhe grupet e interesit, në lidhje me udhëzimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ku do të përcaktohen kodet e nomeklaturës që përjashtohen nga pagimi i taksës kombëtare.

[slider style=”Flat” category=”Takimi per udhezimin” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Tregtia e Jashtme, Korrik 2019

Në Korrik 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 28 mld lekë, duke u rritur me 3,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,5 %, në krahasim me Qershor 2019.

Importet e mallrave arritën vlerën 60 mld lekë, duke u rritur me 2,3 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 11,4 %, në krahasim me Qershor 2019.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 1,1 %, krahasuar me Korrik 2018 dhe 14,1 %, në krahasim me Qershor 2019.

Në shtatëmujorin e parë të vitit 2019, eksportet e mallrave arritën vlerën 180 mld lekë, duke u ulur me 2,6 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 377 mld lekë, duke u rritur me 2,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 197 mld lekë, duke u rritur me 7,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 3,6 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet:

  • “Ushqim, pije, duhan” me +3,0 pikë përqindje;
  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,6 pikë përqindje;
  • “Produkte kimike dhe plastike” me +1,0 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,8 pikë përqindje.

Tregtia e Jashtme – Korrik 2019

 

Read more

Miratohet Ligji nr. 55/2019 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar

Pas një periudhe kohore 6 mujore, në të cilën u përfshinë tryeza teknike, analiza, takime, lobime të kryera nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare në kuadër të kërkesës dhe propozimeve për ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar, dhe më konkretisht për taksën e lëndëve të para në formë primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, me kënaqësi njoftojmë miratimin e Ligjit nr. 55/2019 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.

Një falënderim të veçantë për kontributin e dhënë në këtë ligj, si dhe për takimet e vazhdueshme me anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe marrjes në konsideratë të shqetësimeve të tyre, shkon për Ministren e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj dhe Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi.

Falënderime të veçanta shkojnë për deputetin z. Ilir Beqja që ishte propozuesi dhe relatori i p.ligjit në Parlament, si dhe një falënderim për deputetin z. Edvin Bushati për mbështetjen e dhënë ndaj sektorit të prekur nga ky ligj.

LIGJI

Read more

Kjo është një krizë e funksionimit të sistemit demokratik në vend

Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra,  në një intervistë për Monitor tha se administrata është shpërqendruar nga shërbimet, burokracia është shtuar, bankat po pezullojnë planet për kreditimin. Mungesa e produktivitetit të administratës dhe ulja e ritmeve të aktivitetit të biznesit mund të përkthehet në një krizë fiskale, pasojat së cilës do të kenë efekte në periudha afatgjata, pohon Shkodra.

Kriza politike po jep efekte në ekonomi në disa dimensione, të cilat përkthehen në kosto për biznesin. Një prej tyre janë kostot nga mungesa e shërbimeve publike. Në kohë krizash, administrata publike humb fokusin për të ofruar shërbime. Për pasojë, procedurat burokratike shtohen dhe në shumë raste kontratat shtyhen. Kjo sjellje e administratës krijon humbje të shumëfishta, si në arkat biznesit e më pas në arkën publike, pasi prirja për të paguar dhe për të mbledhur taksat zbehet.

Në kohë krizash, edhe administrata publike bëhet joproduktive. Nuk shkohet përpara me projektet zhvillimore dhe përvoja ka treguar se projektet ekonomike me interes për biznesin shtyhen. Mungesa e eficencës në administratë krijon barriera dhe kosto ekstra që në fund të fundit, kurdoherë janë barrë ndaj biznesit.

Dimensioni tjetër është në sektorin monetar. Bankat pezullojnë planet e kreditimit në periudha të tilla. Konsumatorët pezullojnë konsumin e mallrave me vlerë dhe për rrjedhojë, krijohet mungesë qarkullimi që vë në vështirësi biznesin.

A ka skenarë se mund të përballohet me sa më pak humbje kjo situatë?

Po, ka. Bizneset shqiptare kanë lindur dhe janë rritur në hijen e krizave politike. Kjo nuk është një risi për ne. Nisur nga përvoja, bizneset shqiptare, deri në njëfarë mase, janë imune dhe kanë ndërtuar sisteme menaxhimi të posaçme në këto raste. Në periudha krizash politike, ndryshojnë planet e organizimit dhe të menaxhimit. Bizneset priren të shmangin procedurat me administratën publike dhe në vend të tyre, të përdorin mjete më efikase si më të shpejta për të mbaruar punë, duke shfrytëzuar edhe njohjet personale. Gjithashtu, në këto periudha, bizneset rishikojnë projeksionet, duke kryer shpenzime të domosdoshme dhe aplikojnë strategji për të ruajtur të ardhurat, duke mos tentuar zgjerimin e tyre.

A keni një mesazh për politikën?

Kjo nuk është një krizë politike por një krizë e funksionimit të sistemit demokratik në vend. Në 30 vite tranzicion, Shqipëria nuk ia ka dalë të ndërtojë një sistem ku të qeverisin institucionet dhe tani, pas tri dekadash, ne kemi individë mbi institucionet.

Kriza është më e përshkallëzuar këtë herë pasi, sistemi i drejtësisë nuk është funksional, ka krizë parlamentare dhe ekzekutivë. Më e rënda është kriza e besimit. Shqiptarët kanë humbur besimin te sistemi që kemi ndërtuar këto 30 vite. Tashmë besimi ka rënë, edhe për sistemin arsimor në vend, për shëndetësinë dhe te media si pushtet i katërt. Sistemi politik aktual ka dështuar të japë zgjidhje dhe kjo situatë po shpopullon vendin me shpejtësi. Kjo është më rënda që po i ndodh Shqipërisë. Duke gjykuar nga kjo situatë, mendoj se duhet të krijohet një front i ri politik që të kthejë shpresën te njerëzit dhe të instalojë funksionimin e rendit demokratik në vend.

Read more