Njoftime

Shtator-Tetor 2017, Panairi Sllovak B2B

Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) po përgatit dy evente ndërkombëtare: Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë  më 19 Shtator 2017 dhe Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit Kosice 2017, 30 Tetor, 2017.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit është eventi më i madh ndërkombëtar i organizuar nga Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) në Sllovaki nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë.

Ky event bën të mundur lidhjen e biznesit dhe potencialin prodhues me më shumë se 1500  kompani  nga 35 vende, veçanërisht në sektorët kryesorë ekonomikë si inxhinieri, TIK, energji, logjistikë R & D, risi automotive dhe sektorë të ndërlidhur.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit u ofron subjekteve të biznesit mundësinë e negociatave dypalëshe të përshtatura sipas planit individual brenda një dite, për të gjetur kontakte të reja që lidhen me mundësitë e biznesit dhe investimeve. Ky panair gjithashtu siguron program shoqërues që pasqyron nevojat e komunitetit të biznesit dhe paraqet trendet e industrisë, zgjidhjet praktike dhe informacionet mbi çështjet aktuale.

Për më shumë informacion mbi eventet, ju lutemi vizitoni linkun më poshtë:

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Košice

Read more

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, sesion informues për procedurat e Kodit të ri Doganor

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, organizoi një sesion të përbashkët informues mbi dispozitat e reja të Kodit Doganor. Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata e Agjentëve Doganorë, Ambasada Gjermane, përfaqësues të Biznesit etj.

Përgjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave informuan mbi zhvillimet më të fundit ligjore të përcjella nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor. Ky takim mundësoi një dialog midis institucioneve qeveritare dhe biznesit për tu njohur më nga afër me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për tu përcjellë problematika e deritanishme. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sqaruan se Kodi i ri Doganor përafron më tej procedurat doganore evropiane.

Gjithashtu, u sqaruan disa koncepte si Operatori Ekonomik i Autorizuar, procedurat e zhdoganimit lokal, deklarimi i thjeshtuar, trajtimi tarifor favorizues, magazinimi doganor dhe ai i përkohshëm etj.

Përgjatë takimit u ngrit shqetësimi se biznesi nuk ka kapacitete të ndjekë zhvillimet e vazhdueshme të legjislacionit doganor. Për këtë qëllim do të përgatitet një kalendar sesionesh informuese mbi procedurat e Kodit të ri Doganor, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencive Doganore dhe biznesit, sipas nevojave të tyre. Takime të tilla do të zhvillohen në muajt në vijim.

Read more

Tatimet: Njoftim për saktësimin e të dhënave të punëmarrësve në listëpagesat e deklaruara nga punëdhënësit e tyre

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është vënë në dukje një problematikë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, lidhur me mospërputhjen në disa raste të numrit të identifikimit (ID), të kartës personale të identitetit me emrat e punëmarrësve, apo edhe emra të deklaruar gabim në listepagesat, nga punëdhënësit e tyre.

Bazuar në Ligjin Nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar, çdo punëdhënës, është përgjegjës për mbajtjen e kontributeve të punëmarrësit dhe deklarimin e pagesës në organet tatimore, së bashku me kontributet e punëdhënësit.
Sipas nenit 15 të këtij ligji, çdo tatimpagues deklarues (punëdhës), është i detyruar që të vendosë në listëpagesë numrin personal të çdo punonjësi të punësuar prej tij.

Kujtojmë çdo tatimpagues, që të jetë i saktë në deklarimin e këtyrë të dhënave, pasi çdo gabim përveçse është penalizues për vetë ato, sjell pasoja edhe për punëmarrësit e tyre, përsa i takon përfitimeve që ato do të kenë, përkundrejt kontributeve të paguara realisht.

Read more

INSTAT: Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Qershor 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2017 është 3,7 %. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,8 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %, “argëtim dhe kulturë” me 1,6 %, etj.  Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupi “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,4 %.

Në Qershor 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike”.

 

Read more

31 korrik i vitit kalendarik afati i deklarimit elektronik të vendimit të ortakut

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar lajmëron së referuar nenit 33/1, pika 2 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, shoqëritë tregtare dhe personat fizikë të cilët janë subjekte të tatimit mbi fitimin, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës. Për mos paraqitjen apo paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.

Sipas raportit të gjeneruar nga sistemi informatik i administrates tatimore, rezulton se një numër i konsiderueshëm tatimpaguesish të tatimit mbi fitimin nuk kanë paraqitur vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit për vitet 2014 dhe 2015. Në këtë mënyrë, për këto tatimpagues, në sistem vazhdojnë të llogariten çdo muaj gjobat përkatëse, duke rënduar kështu situatën e tyre të detyrimeve të papaguara.

Lidhur me këtë problem, administrata tatimore fton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin për paraqitjen sa më parë në rrugë elektronike të vendimit të ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, në mënyrë që të ndërpritet llogaritja e gjobave dhe të mos rëndohet më tej situata e detyrimeve të papaguara.

Administrata tatimore, kujton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin, se brenda datës 31 korrik duhet të paraqesin edhe vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit 2016. Pas kësaj date fillon llogaritja në mënyrë automatike e gjobave për tatimpaguesit që nuk e kanë paraqitur këtë vendim.

Read more

Njoftim për zbatimin e procesit të fshirjes së detyrimeve tatimore me kusht

Në zbatim të ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, për fshirjen me kusht të detyrimeve për periudhat Janar 2011-Dhjetor 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se:

  • Tatimpaguesit duhet të logohen në llogarinë e tyre e-filing.
  • Në rubrikën “Kontabilitet” klikojnë në nënmenunë “Urdhërpagesat”
  • Zgjedhin Urdhërpagesën përkatëse dhe e printojnë atë.

Më pas mund të drejtohen në çdo bankë të nivelit të dytë duke kryer pagesën vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/tarifën/kontributin.

Sapo sistemi tatimor të njohë likujdimin e detyrimit, ekzekuton fshirjen e gjobës dhe kamatëvonesës lidhur me të. Për t’u njohur me llojet e detyrimeve të cilat përfitojnë nga fshirja me kusht vizitoni edhe faqen tonë zyrtare në rubrikën Legjislacioni/Akte 2017.

Kujtojmë se tatimpaguesit mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve nëse paguajnë detyrimin principal deri më 31/12/2017.

 

Read more

INSTAT: Ulen eksportet – Qershor 2017, rritet deficiti tregtar

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në Qershor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.
 
Në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016
Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.
 
Eksportet, gjatë gjashtëmujorit të parë janë rritur me +13,5 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2016. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,6 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.
Read more

DPT: Kushtet që duhet të ndjekin të vetëpunësuarit për t’u regjistruar

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar të saj publikon kushtet për regjistrimin e personave fizikë të vetëpunësuar.

Deklarimi në organin tatimor të personit fizik të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pasi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore dhe është pajisur me NIPT, kryhet deri të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës (listëpagesës).

Llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore.
Afati i deklarimit të listëpagesës është data 20 e muajit pasardhës të çdo tremujori, konkretisht:

  • 20 Janar
  • 20 Prill
  • 20 Korrik
  • 20 Tetor

Ndërkohë deklarimi duhet kryer të paktën 3 ditë përpara këtij afati, të tremujorit përkatës.

Shembull: Nëse personi fizik (i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes), është regjistruar në QKB në datën 12 maj 2017 (apo gjatë muajve prill, maj dhe qershor), regjistrimi në mënyrë elektronike në sistemin tatimor si i vetëpunësuar, duhet të kryhet brenda datës 17 Korrik 2017.

 

Read more

Përditësimi i të dhënave nga subjektet, detyrim ligjor dhe thjeshtim i komunikimit me administratën

Në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ve në dijeni të gjithë tatimpaguesve se janë të detyruar të deklarojnë adresën e saktë të ushtrimit të veprimtarisë, në mënyrë që të sigurojnë marrjen në kohë të njoftimeve të dërguara nga Administrata Tatimore.

Cilat të dhëna përditësohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit?

Tatimpaguesi, person fizik dhe juridik, regjistron çdo ndryshim të të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç përcaktohet në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar.

  • Aplikimi për ndryshimin e selisë dhe hapja e vendeve të tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia, në çdo rast bëhen përpara nisjes efektive të veprimtarisë në atë vend biznesi.
  • Për hapjen e vendeve të tjera dytësore të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia, tatimpaguesi pajiset me një çertificatë regjistrimi, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm.
  • Tatimpaguesit, në interes të tyre por dhe të administrates tatimore, janë të detyruar të njoftojnë edhe çdo ndryshim që ka të bëjë me adresën/adresat e veprimtarisë ekonomike dhe të banimit, si dhe të numrit të telefonit e të adresës elektronike, të dhëna që shërbejnë si pikë kontakti pë marrjen e informacioneve në një një kohë sa më të shpejtë.

Të dhënat e deklaruara nga subjektet në QKB, njëherazi përditësohen automatikisht edhe në regjistrin elektronik të administratës tatimore.

Ku ndryshohen përgjegjësitë tatimore dhe cilat janë kriteret për ndryshimin e tyre?

Tatimpaguesi, i cili pëmbush kushtet ligjore për kalimin nga një kategori në tjetrën (nga Biznes i Vogël në Biznes i Madh), duhet të njoftojë apo kërkojë ndryshimin në administratën tatimore (Drejtorinë Rajonale Tatimore) përkatëse, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e konstatimit dhe pëmbushjes së kushteve për këtë ndryshim.

Përgjegjësia tatimore (llojet e tatimeve pë të cilat tatimpaguesi duhet të jetë përgjegjës), pas regjistrimit fillestar ndryshon vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të shërbimit apo me një kërkese drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit, për ndryshimet e ndodhura. Raste të ndryshimit të përgjegjësisë tatimore mund të jenë:

  • Tejkalimi i qarkullimit prej 8 milionë lekë në vit kalendarik , kur tatimpaguesi nga pagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël duhet të kalojë në tatimpagues i tatimit mbi fitimin.
  • Tejkalimi i qarkullimit prej 5 milion lekë në vit kalendarik, kur tatimpaguesi pavarsisht se nuk ndryshon kategorinë si Biznes i Vogël, i shtohet pëgjegjësia e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo anasjelltas.

Po ashtu ndryshimi i kategorisë për sigurime të tatimpaguesit nga person i vetëpunësuar i vetëm, në person i vetëpunësuar me punëmarrës etj., bëhet pranë sporteleve të shërbimit të tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të juridiksionit përkatës.

Theksojmë se Organizatat Jofitimprurëse dhe të gjithë tatimpaguesit që regjistrohen nga Drejtoritë Rajonale Tatimore duhet të njoftojnë në administratën tatimore, brenda 15 ditëve nga data e regjistrimit të ndryshimeve për ndryshimet si më poshtë:

a) ndryshimi i emrit;
b) ndryshimi i adresës së veprimtarisë ose kontaktit;
c) ndryshimi i statusit ligjor;
ç) çelja/mbyllja e degëve, sektorëve ose njësive të reja;
d) ndryshimi i llojit të veprimtarisë ekonomike;

 

Read more

Mbyllet procesi i fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat, përfitojnë edhe 6,309 tatimpagues të tjerë

Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve implementoi fazën e dytë duke përmbyllur procesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat.

Gjatë ditës së djeshme nga fshirja automatike e këtyre deklaratave, që duhet të dorëzoheshin deri më 30 Qershor, kanë përfituar edhe 6,309 tatimpagues të tjerë. Në total 111,356 subjekte në status aktiv dhe pasiv kanë përfituar nga fshirja automatike e gjobave për mosdeklarim në kohë.  Llojet e dënimeve që janë fshirë nga sistemi elektronik për deklarim të vonuar janë:

  • Listpagesë e TAP
  • Deklarata të TVSH-së,
  • Deklarata për destinimin e fitimit
  • Deklaratë Tatim Fitimi/Tatim i Thjeshtuar i Fitimit
  • Taksa Kombëtare etj.

Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike njoftimin përkatës.

Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit se duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjenden të publikuara në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”.

Read more