info@prodhuesit.org

Njoftime

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Njoftim mbi ndryshimet e fundit në Udhëzimin për TVSH

Në Fletoren Zyrtare Nr.123, datë 26 Maj 2017, është publikuar Udhëzimi i Ministrisë së Financave nr.15, datë 18.5.2017 “Për disa ndryshime në udhëzimin nr.6, datë 30.1.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Ndryshimet hyjnë në fuqi që nga data e botimit në Fletoren Zyrtare si më poshtë:

Së pari, i jepet e drejta Operatorëve kryesorë të telekomunikacionit që të mund të zgjedhin të aplikojnë furnizimin e kartave të parapaguara, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore, ose paketave të parapaguara, me anë të distributorëve /furnizuesve të ndërmjetëm, duke zbritur direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg (komisionin), për të gjithë distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm.
Deri sot, nuk parashikohej e lejohej një veprim i tillë.

-Në këtë rast operatorët kryesorë llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit, që ata u furnizojnë distributorëve/ndërmjetësve të tyre.
-Operatori kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur, si më lart.
-Distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm nuk kanë të drejtë të zbresin vlerën e TVSH-së së faturuar nga operatorët kryesorë për furnizimin e kryer, përsa ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë TVSH për furnizimet e mëtejshme të kryera në fazat pasardhëse.
-Distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm duhet të lëshojnë faturë tatimore pa llogaritur TVSH, në të cilën çmimi i këtij furnizimi është i barabartë me çmimin përfundimtar (përfshirë TVSH-në) për konsumatorin final, të faturuar prej operatorit kryesor në momentin e furnizimit të këtyre produkteve.
-Në çdo faturë të lëshuar në furnizimet e mëtejshme nga distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm do të zbritet vlera e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse.

Operatori kryesor që zgjedh të aplikojë këtë mënyrë furnizimi,duhet paraprakisht të depozitojë në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse një deklaratë me shkrim, sipas së cilës të shprehet zgjedhja e dëshiruar.
Operatori kryesor, detyrohet ta bëjë këtë mënyrë furnizimi, për të gjithë distributorët/furnizuesit e tij të ndërmjetëm dhe për një periudhë jo më pak se 12 muaj të njëpasnjëshëm.
Gjithashtu, nëse operatori kryesor heq dorë nga kjo mënyrë furnizimi e dokumentimi, atëherë ai duhet të njoftojë paraprakisht organin tatimor.

Vëmendje:
Qarkullimi i distributorit/furnizuesit të ndërmjetëm në përputhje me nenin 119 të ligjit të TVSH-së, llogaritet në bazë të çmimit gjithsej që duhet të paguajë blerësi (konsumatori final) për shërbimet e mësipërme.

Së dyti, përcaktohet edhe me Udhëzim (ndryshim i bërë më parë me një Vendim të Këshillit të Ministrave), e drejta e një furnizuesi(shitësi të ndërtesave) për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimet e ndërtesave, të cilat sipas ligjit të TVSH-së janë të përjashtuara.
Së treti, pavarësisht të drejtës për të zbritur TVSH lidhur me gazoilin e blerë, personat e tatueshëm, do të duhet që konsumin e tij, ta justifikojnë me volumin e punës së kryer, rrugët e realizuara nga mjeti/et, normativat e konsumit të gazoilit për rrugë ose proces të kryer, etj. Në çdo rast, këto shpenzime duhet të jenë të kryera realisht dhe të justifikuara sipas veprimeve te realizuara për nevoja të veprimtarisë ekonomike, të provuara me dokumentacionin përkatës, por jo më shumë se normativat e përcaktuara në këtë udhëzim”.

Së katërti, hiqet kushti që çdo faturë blerje të jetë mbi 10.000 lekë, për të përfituar rimbursimin nga diplomatët, organizatat ndërkombëtare, NATO.

Së pesti, hiqet kushti që e drejta e personit të tatueshëm që të përdorë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve, kufizohet nga numri i klientëve të tij.

 

Burimi : Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Read more

Tryezë konsultimi me biznesin “Mbi Risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”, 31 maj 2017

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Këshillin e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do të organizojnë një tryezë konsultimi me biznesin me temë “Mbi Risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”.

Në këtë aktivitet do të prezantohen risitë e Kodit të ri Doganor mbi ndryshimet në Kodin Doganor, deklarimi në doganë sipas dispozitave të reja, procedurat e thjeshtuara dhe ndryshimet në regjimet doganore, informacioni i detyrueshem tarifor, informacioni i detyrueshëm origjinës, dispozitat për shkeljet, etj.

Duke e vlerësuar këtë aktivitet si të rëndësishëm për sipërmarrjen, ju ftojmë të bëheni pjesë e diskutimit, ditën e mërkurë, datë 31 maj 2017, ora 9:30 – 12:30, Hotel Tirana International.

Për më shumë informacion rreth aktivitetit dhe konfirmimit të pjesëmarrjes tuaj, lutemi të na shkruani në adresën e e-mailit: info@prodhuesit.org

Read more

Ligji i faljes: Procedura që duhet të ndjekin tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar procedurën që duhet të ndjekin tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, për të përfituar nga ligji i faljes.

Në zbatim të nenit 11, të ligjit nr.33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore”, tatimpaguesi, i cili është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet procedurës së faljes, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë /ankimit /rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.

Për këtë qëllim, tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ky ligj, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit.

Aktet e dorëheqjeve, më pas dërgohen nga Drejtoritë Rajonale në adresë të strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim përfshirjen në faljen automatike që do të bëhet në sistemin elektronik.

Read more

Panairi i Startupeve, 14-16 maj 2017

Sot më datë 15 maj 2017, tek Piramida, Tiranë, po zhvillohet dita e dytë e Panairit të Startupeve, në kuadër javës së inovacionit. Përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova ishin të pranishëm me prezantimin e produkteve të tyre inovatore.

Në fjalën e tij përshëndetëse z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë u shpreh se: “Jam shumë i kënaqur që jam përfshirë në disa aktivitete, por ky është një aktivitet fantastik se ju bën të gjithëve bashkë. Janë disa presh jush që kanë gjëra komplementare me njëri tjetrin, disa bëjnë dizajnin, disa inxhinierin, arkitektin e kështu me rradhë. Ne vijmë nga bota e sipërmarrjes, në fund të ditës ju keni ide fantastike, ju bëni inovacion, por çfarë doni ju? Ju doni që në fund të ditës ajo ide e juaja të shkojë tek konsumatori, por kush është konsumatori juaj? Sipërmarrja është konsumatori final. Ajo çfarë po bën “Innovation Hub” është për të filluar për të kuptuar si mundemi të bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Sapo ju të dilni në treg uroj që inovacioni juaj të jetë pjesë e prodhimit shqiptar. Ne nuk duhet të jetojmë si në ishull, ju më vete ne më vete, por duhet të sinkronizohemi me njëri tjetrin me qëllim që të kuptojmë sa të vlefshme janë inovacionet e juaja”.

Z. Sokola Kraja, administrator i kompanisë “KRACO” dhe anëtarë i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në fjalën e tij ndër të tjera u tha inovatorëve më të rinj: “Mundohuni që gjithmonë të angazhoni specialistët më të mirë që ju keni, sepse sot diferencën nga kompanitë në kompani nuk e bëjnë makineritë, nuk e bënë produkti por njerëzit, pra mundohuni të rekrutoni gjithmonë njerëzit më të mirë se ato bëjnë diferencën sot. Mos i kurseni paratë për të paguar atë që kanë tru, se po na ndodh që tregu huaj po përthith të rinjtë tanë më të aftë. Shoqëria jonë investon tek këta njerëz, paguan nga taksat tona arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë dhe kur vjen koha të vjelim nga këto njerëz i merr një vend i huaj. Ju ecni në rrugën tuaj, krijoni produkte me cilësi që të prekni dhe tregun ndërkombëtarë.

[slider style=”flat” category=”Panairi i Startupeve” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Qumështi i pasterizuar UHT që vjen nga Maqedonia do t’i nënshtrohet procedurave të hetimit

Hetim qumështit të pasterizuar, UHT të importit nga qeveria shqiptare vjen si një përgjigje kryesisht për importin e këtij produkti nga Maqedonia, pasi fqinji ynë bllokoi eksportin e qumështit shqiptar. Prodhuesit shqiptarë kërkojnë mbështetjen e shtetit për zbatimin e marrëveshjeve për tregëtinë e lirë nga shtetet fqinje dhe hulumtimin e mënyrës sesi vijnë në tregun vendas produktet e importit. Mes dy shteteve kanë nisur negociatat, ndërsa sipas ligjit antidumping, pas marrjes së vendimit, procedurat e hetimore fillojnë pas 200 ditësh.

Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importet ka marr vendim që Qumështi i pasterizuar UHT, që vjen nga Maqedonia do ti  nënshtrohet procedurave të hetimit. Një masë e tillë, thekson Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë Arben Shkodra, vjen pasi fqinji ynë Maqedonia bllokoi eksportin e qumështit shqiptar.

Arben Shkodra: Maqedonia ndoshta me të padrejtë, ndoshta me të drejtë këtë duhet ta tregojë procesi ka bllokuar eksportin e qumështit shqiptar, me një arsyetim që për mua nuk qëndron tek produkti dhe as tek teknologjia dhe as tek prodhuesi, por qëndron në sistemin tonë të përgjithshëm të gjurmueshmërisë, të parandalimit të sëmundjeve e me radhë.

Prej kohësh prodhuesit kanë ngritur shqetësimin se përmes procedurave favorizohet hyrja e produkteve të importi dhe kërkojnë të hulumtohet mënyra sesi vijnë për tregun shqiptar mallrat e importit dhe  zbatimi i marrëveshjeve të tregëtisë së lire.

Arben Shkodra: Prodhimi vendas është një nga gjërat më të rëndësishme të një ekonomie dhe ekonomisë tonë që tashmë ka filluar dhe të performojë mirë. Ne mendojmë që ka nevojë për një hulumtim më të mirë të mënyrës si importet vijnë dhe performojnë në tregun shqiptar për të parë sesi këto marrëveshje të tregtisë së lirë po zbatohen dhe nga shtet e tjera.

Vendimi për fillimin e hetimit  për importin e qumështit të pasterizuar sipas Shkodrës është një rikalibrim i marrëdhënieve për shkëmbimet tregtare.

Arben Shkodra: Unë nuk mendoj që kjo është prishje marrëdhëniesh, kjo i përket pastaj autoriteteve por edhe qeverive përkatëse dhe ministrive për tu ulur në një tryezë dhe për të gjetur një zgjidhje. Mesa di ka filluar një dialog.

Mësohet se mes dy shteteve fqinje kanë filluar negociatat për të qartësuar zbatimin e marrëvshjeve të tregëtisë mes tyre. Ministria e Ekonomisë bën me dije se një vendimarrje e tillë e komisionit të vlerësimit vjen për herë të parë në mbrojte të ekonomisë së vendit. Ndërsa sipas ligjit antidumping mbi bazën e të cilit është marrë edhe vendimi për hetimin e qumështit UHT, përcakton se procedurat e hetimit do të fillojnë 200 ditë pas marrjes së vendimit.

Read more

Innovation Hub “Panairi i Startupeve”, 14-16 maj 2017

Më datat 14-16 maj 2017, tek Piramida, Tiranë, do të zhvillohet Panairi i Parë Rajonal të Startup në Shqipëri.  Ky aktivitet gjithëpërfshirës synon njohjen me idetë dhe produktet novatore që vijnë në treg nga të rinjtë shqiptarë dhe kosovarë.

Panairi i Start up është një hapësirë fizike që bën bashkë start up-e të ndryshme, lider të industrisë së mendimit, mentor, edukatorë, njerëz nga komuniteti dhe investitor për biseda interaktive mbi tema sipërmarrëse. Qëllimi i panairit është t’i japë komunitetit frymë startup-i falë bashkëpunimit me organizata dhe liderat e mendimit duke fituar kështu burime të reja informacioni, ide, frymëzim, forma realizimi, forma bashkëpunimi dhe mundësi implementimi e investimi.

Interesi për të bashkëpunuar me sipërmarrës për zgjidhjen e politikave publike e sfidave të biznesit, është shumë i lartë. Analizimi dhe menaxhimi i të dhënave të startup-eve në mënyrë efektive është një sfidë e madhe por gjithashtu edhe një hapësirë e mirë mundësish për risitë e reja në biznes.

Read more

Praktikat më të mira ndërkombëtare në Agrobiznes

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zhvilloi sot më datë 8 maj 2017, konferencën me fokus ‘Praktikat më të mira ndërkombëtare në Agrobiznes’,

Në këtë konferencë ishin të pranishëm biznese dhe këshilltarë lokalë dhe ndërkombëtarë në një sërë fushash ekspertize, përfaqësues të institucioneve të mikrokredisë në Shqipëri, si dhe përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.

Me financim nga Bashkimi Europian, ky event është pjesë e paketës mbështetëse që  BERZH jep për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duke ofruar mjete të integruara të financimit të drejtpërdrejtë, financimin nëpërmjet institucioneve financiare partnere, këshillave të biznesit dhe dialogut politik.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e konsideron bujqësinë si një nga sektorët me potencial për ekonominë e Shqipërisë, por që ende vuan mungesën e financimeve kryesisht nga bankat private për shkak të rreziqeve. Drejtori i Zyrës së BERZH-it në Shqipëri z. Matteo Colangeli u shpreh se bëhet fjalë për një portofol financimi prej 100 milionë euro i cili do të ndihmojë në zhvillimin e të gjithë zinxhirit të sektorit të agrobiznesit në Shqipëri, duke filluar nga fermeri i thjeshtë e deri te përpunimim rrjeti i shpërndarjes etj. Rreth 88 milionë euro do të disbursohen përmes sistemit bankar dhe institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri. Aktualisht është arritur të sigurohen katër partnerë financues. Në total parashikohen të jepen 100 kredi që do të shërbejnë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që do të aplikojnë për këtë program.

Ekspert i BERZH-it z. Dirk Fleske, i cili prezantoi Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri u shpreh se bujqësia ka nevojë për zhvillim dhe për qasje financiare me qëllim që të rriten kapacitet. BERZH përmes programeve që zhvillon synon të reduktojë boshllëkun që gjendet mes nevojës për financim dhe instrumenteve financiare. Ai tha se bëhet fjalë për fonde konkrete që do të vihen të dispozicion të të gjithë zinxhirit të sektorit të agrobiznesit. Kreditë mbulojnë periudha afatmesme dhe afatgjata.

 

[slider style=”flat” category=”Praktikat me te mira nderkombetare ne Agrobiznes” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Hyn në fuqi ligji i fshirjes së detyrimeve tatimore

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se në datën 6 maj 2017 ka hyrë në fuqi ligji “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”. Përfitues nga ky ligj janë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv dhe atë pasiv ,me përjashtim të atyre që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.

Duke filluar nga dita e hënë, 8 Maj 2017, administrata tatimore, fton dhe nxit tatimpaguesit, që të ushtrojnë të drejtën e përfitimit nga ky ligj, duke shlyer detyrimet financiare të cilat ligji i kërkon si kusht paraprak. Me paraqitjen e pagesave të detyrimeve të prapambetura, në mënyrë të menjëhershme, sipas kërkesës së tyre, tatimpaguesve do t’u jepet konfirmimi sipas të cilit ata nuk kanë më detyrime kundrejt administratës tatimore.

Fshihen/shuhen pa kusht

-Detyrimet tatimore të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2010 e më parë, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.
-Dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.

Fshihen/shuhen me kusht:

Gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/kontributi për:

  • detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011-Dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
  • kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014;
  • taksat të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014.
  • detyrimet tatimore të papaguara (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara dhe të papaguara) të shoqërive me kapital 100 për qind shtetëror,që operojnë në sektorin elektroenergjetik , që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12.2013.Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri në Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi;
  • detyrimet tatimore të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12 2013.
  • Gjobat dhe kamatvonesat për kontributet e sigurimeve për këto periudha fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë kontributi. Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri në Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
Read more

Tatimet lajmërojnë: “Kujtesë për lëshimin e kuponave tatimorë nga pajisjet fiskale”

Administrata Tatimore, në funksion të detyrimit të saj për t’ju informuar e asistuar, në çdo aspekt që lidhet me zbatueshmërinë e detyrimeve ligjore, ju risjell në kujtesë detyrimin tuaj për mbajtjen e dokumentacionit tatimor dhe konkretisht atij që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale mbi:

Detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, neni 54 dhe 55 i Ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, sipas të cilit, për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar tatimor.

Referuar detyrimit të saj për të siguruar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit tatimor në fuqi, administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues.

Nga analiza dhe monitorimi i sistemit elektronik janë evidentuar tatimpaguesit, të cilët ndjeshëm kanë ulur numrin e kuponave të lëshuar, vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi për verifikim në vend nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor.

Administrata tatimore ju fton të tregoni kujdes, pasi në çdo rast ku do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit adminsitrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore.

Read more

Vendim i Këshillit të Ministrave 3 maj 2017, për procedurat e regjistrimit në Qendren Kombëtare të Biznesit

Në mbledhjen e datës 3 maj 2017 të Këshillit të Ministrave, u mor vendim për “PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË APLIKIMIT

Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet:

–    Pranë sportelit qendror të QKB-së;
–    Pranë sporteleve të shërbimit në territor;
–    Pranë sportelit elektronik.

Aplikimi për regjistrim pranë QKB-së bëhet nga personat e autorizuar. Aplikantët deklarojnë, nëpërmjet plotësimit të aplikimit, të gjitha të dhënat sipas fushave të detyrueshme të formularëve të miratuar në përputhje me  ligjin e regjistrimit të biznesit për kryerjen e regjistrimit të kërkuar dhe paraqesin dokumentacionin shoqërues përkatës.

Aplikantët, që aplikojnë për kryerjen e regjistrimit fillestar në regjistrin tregtar, sipas ligjit të regjistrimit të biznesit, deklarojnë edhe të dhënat e detyrueshme, në përputhje me dispozitat që rregullojnë fushën tatimore, statistikore, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore e të inspektoratit të punës. Këto deklarime kryhen sipas kërkesave të përcaktuara në formularët e aplikimit në përputhje me formatin e miratuar. Çdo individ, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë të kryejë aplikime nëpërmjet sportelit elektronik, në përputhje me parashikimet e ligjit të regjistrimit të biznesit.

PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT QENDROR

Personi, që kërkon të kryejë një aplikim, përpara paraqitjes në sportel paguan tarifën përkatëse sipas llojit të regjistrimit të kërkuar. Me paraqitjen në sportel, personi vërteton identitetin e tij/saj me një dokument të vlefshëm identifikimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të dhënat e nevojshme për plotësimin e formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të tij. Nëpunësi i sportelit hedh në formularin elektronik të sistemit të informatizuar të QKB-së të dhënat e deklaruara nga personi i paraqitur në sportel. Nëpunësi i sportelit, në vijim, i kërkon personit të paraqitur në sportel dorëzimin e dokumentacionit shoqërues me anë të të cilit personi provon të dhënat që regjistrohen. Këto dokumente dorëzohen në format shkresor dhe konfirmohen nga personi i paraqitur në sportel, në prani të nëpunësit të sportelit, duke i nënshkruar në çdo faqe dhe duke vendosur shënimin “aplikanti”, emrin, mbiemrin dhe nënshkrimin. Nëpunësi i sportelit, në çdo rast, vazhdon procesin e plotësimit të formularit, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme sipas formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, edhe kur të dhënat që duhet të deklarohen në një apo më shumë rubrika janë të pasakta apo nuk vërtetohen nga dokumentet shoqëruese të dorëzuara nga personi i paraqitur në sportel.

Pas hedhjes të të dhënave, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet dhe pas plotësimit në formular të listës së dokumenteve shoqëruese, nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të konfirmojë nëse të dhënat e hedhura në formular si dhe lista e dokumenteve shoqëruese janë të sakta ose jo. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit lëshohet edhe nëse nëpunësi i sportelit vëren mangësi në aplikim apo në dokumentet shoqëruese. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit përmban edhe numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së në momentin e hapjes së dosjes elektronike (numri i çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit.

PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT ELEKTRONIK

Personi, që kërkon të kryejë një aplikim nëpërmjet sportelit elektronik të QKB-së, në cilësinë e aplikantit apo të personit të autorizuar, duhet të identifikohet elektronikisht nëpërmjet autentifikimit nga portali unik i shërbimeve qeveritare e-Albania. Personi akseson sportelin elektronik të QKB-së dhe zgjedh llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar i QKB-së shfaq formularin përkatës të aplikimit, sipas formatit të miratuar. Personi i autentifikuar plotëson elektronikisht formularin, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme, sipas llojit të regjistrimit që kërkohet të kryhet. Për çdo dokument të ngarkuar në dosjen elektronike nga personi i autentifikuar, sistemi i informatizuar i QKB-së vendos një kod identifikimi elektronik të sigurt që lidh dokumentin me të dhënat e autentifikimit të personit.

Pas konfirmimit elektronik të aplikimit, sistemi i informatizuar i QKB-së jep konfirmimin automatik të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik, i cili përmban numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së (numrin e çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit. Sistemi i informatizuar i QKB-së njofton gjithashtu personin e autentifikuar, në postën elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit, të plotësuar, dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik.

Për informacion të plotë mbi vendimin, ju lutemi vizitoni adresën: http://www.kryeministria.al

 

 

Read more