Njoftime

Prodhuesit pjesëmarrës në workshopin lidhur me sistemin për manaxhimin e proceseve të prodhimit

U zhvillua sot në ambjentet e Hotel Monarc workshopi me temë “Përfitimet e biznesit në sajë të implementimit të një sistemi për menaxhimin e proceseve të prodhimit”, organizuar nga Infosoft Business Solutions në bashkëpunim me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë.  Në workshop morën pjesë përfaqësues të sipërmarrjeve prodhuese në vend nga sektorë të ndryshëm si prodhuesit e ambalazheve plastike e të kartonit, industria e përpunimit të mishit, përpunuesit e produkteve blegtorale, sektori i akuakulturës, materialeve të ndërtimit, prodhimit të ujit të ambalazhuar si dhe prodhuesit e produkteve ushqimore.

Gjatë këtij Workshop-i pjesëmarrësit u njohën me mënyrën e trajtimit në një sistem të informatizuar të të gjithë hapave të prodhimit duke filluar nga:

– Planifikimi;
– Lëndët e para dhe produktet e ndërmjetme;
– Makineritë dhe burimet njerëzore të përfshira;
– Koha dhe kostot e prodhimit;
– Produkti përfundimtar;
– Raportimi

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë do të vijojë me organizimin e aktiviteteve të tilla me qëllim informimin e vazhdueshëm të sipërmarrjes prodhuese në vend dhe nxitjen e komunikimit e bashkëpunimit mes tyre.

Read more

Kujtesë për afatet e pagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin

Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë në kuadër të zbatimit me efikasitet të  legjislacionit fiskal , duke u përpjekur të ruajë një ekuilibër mes përmbushjes së detyrave funksionale dhe  një marrëdhënieje korrekte me të gjithë  tatimpaguesit që ka në administrim,  ju bën  me dije se :

-Mospagimi i kësteve të tatimit mbi fitimin  (refer.neni 30 i ligjit nr.8438 datë 28.12.1998) ose i kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin (refer.neni 15 i ligjit nr.9632 datë 30.10.2006) , respektivisht për Biznesin e madh,  pagim ose parapagim brenda datës 30 të çdo tre-mujori ose mbi bazë mujore dhe  për Biznesin e vogël,  brenda datës 20 të muajit pasardhës pas çdo tre-mujori dënohet me gjobë në bazë të nenit 115 të ligjit nr.9920 datë 19.02008 ‘Për Proçedurat Tatimore në RSH’, i ndryshuar me ligjin nr.112/2016 datë 03.11.2016, në  masën 10% të shumës së këstit për tu paguar.

Read more

Tregtia e jashtme e mallrave, Gusht 2017

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT , në muajin Gusht 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u rritur me 12,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 25,6 %, në krahasim me Korrik 2017. Importet e mallrave në Gusht 2017 arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 6,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 10,1%, në krahasim me Korrik 2017.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, krahasuar me Gusht 2016 dhe me 2,5 %, në krahasim me Korrik 2017.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Rritja vjetore e eksporteve prej 12,0 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +2,3 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,1 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë rritur me 12,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,9 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve, nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.

Read more

Tatimet: Ja individët që i nënshtrohen detyrimit për të deklaruar të ardhurat

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka publikuar në rubrikën Tatimet Këshillojnë, të dhënat për “Deklarimin individual të të ardhurave” mbi individët që i nënshtrohen detyrimit për të deklaruar apo e drejta për të deklaruar pa qenë i detyruar nga ligji, të ardhurat e tatueshme, shpenzimet që mund të zbriten, afatet dhe mënyrat e deklarimit, pagesa e detyrimit si edhe korrigjimi në rast se deklarata është plotësuar gabim.

Individi rezident

Individi konsiderohet rezident në Republikën e Shqipërisë për qëllime tatimore, kur ka një banesë të përhershme, ka familjen, pra ka interesa jetësorë dhe ekonomikë në Shqipëri (vendi i interesave jetikë), pavarësisht se mund të punojë në periudha të ndryshme jashtë vendit apo mund të ketë nënshtetësi të huaj. Konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, individi i cili qëndron në Shqipëri gjatë një viti tatimor, në vazhdim ose me ndërprerje, në total, më tepër se 183 ditë, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ka interesat jetike. Në llogaritjen e kohës së qëndrimit në Shqipëri përfshihen ditët e prezencës fizike, pra jo vetëm ditët e punës, por edhe ditët e mbërritjes, largimit, pushimet. Funksionarit konsullor, diplomatik ose të ngjashëm, të caktuar me punë nga shteti në ambasada, konsullata apo në organizma ndërkombëtarë jashtë vendit, konsiderohen gjithashtu rezidentë tatimorë shqiptarë edhe pse jetojnë me vite jashtë Shqipërisë.

Individi jorezident

Konsiderohet individ jorezident në Republikën e Shqipërisë, personi i cili nuk plotëson njërin ose të dyja kriteret e sipërpërmendura (kriterin e vendbanimit dhe kriterin e kohës së qëndrimit).

Detyrimi për të deklaruar

Individi rezident shqiptar, që realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën 2.000.000 lekë, mbi këtë shumë, ka detyrimin të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 Prill të vitit që pason vitin e mbyllur kalendarik. Individi jorezident, që realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën 2.000.000 lekë, mbi këtë shumë, duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 Prill të vitit që pason vitin e mbyllur kalendarik.

E drejta për të deklaruar pa qenë i detyruar nga ligji

Individët rezidentë shqiptarë të cilët nuk janë subjekt i plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës individuale vjetore, por që realizojnë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 1 050 000 lekë, mund të plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave nëse duan të përfitojnë nga zbritja e shpenzime të kryera gjatë vitit kalendarik fiskal.

Të ardhurat e tatueshme

Për qëllime të tatimit mbi të ardhurat personale, konsiderohen të ardhura të tatueshme, të ardhurat personale të mëposhtme: Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrdhëniet e punësimit për individët

1. Të ardhurat bruto nga dividentët për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;
2. Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;
3. Të ardhurat bruto nga interesa bankarë;
4. Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
5. Shuma bruto të fituara nga llotari apo lojëra të tjera të fatit;
6. Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;
7. Fitimi kapital nga dhurimi;
8. Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
9. Të ardhura bruto të tjera

Shpenzimet që mund të zbriten

Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme të këtyre individëve që plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, janë shpenzime të zbritshme shpenzimet e mëposhtme: a) shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete, për fëmijët dhe personat në kujdestari; b) shpenzimet për mjekim, për vete, për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.

Afati dhe mënyra e deklarimit

Deklarata vjetore e të ardhurave individuale, duhet të dorëzohet brenda datës 30 Prill të vitit që pason vitin e mbyllur kalendarik. Deklarimi bëhet në rrugë elektronike. Çdo individ rezident shqiptar, të cilit i lind detyrimi për të deklaruar, por që nuk është i regjistruar në e-Filing, duhet të regjistrohet duke ndjekur hapat si vijon:

• Hyn në faqen zyrtare të internetit të DPT-së në adresën: www.tatime.gov.al
• Klikon në menunë e-Shërbime”, zgjedh në të djathtë nënmenunë “Për Individët”
• Klikon në linkun “kliko këtu”, në paragrafin e dytë
• Në ekran do të shfaqet tabela e të dhënave për tu plotësuar për individin.
Individët jorezidentë, duhet të drejtohen në zyrën më të afërt tatimore për t’u regjistruar

Pagesa e detyrimit për tatimin mbi të ardhura personale

Nëse nga plotësimi i deklaratës vjetore rezulton se individi duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar”, të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave, individi dorëzon në bankë formularin “Urdhërpagesë e tatimit mbi të ardhurat individuale”, e cila gjenerohet nga sistemi informatik dhe bën pagesën e tatimit jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës të vitit për të cilin bëhet deklarimi.

Korrigjimi i deklaratës së dorëzuar më parë

Individi deklarues mund të korrigjojë deklaratën fillestare të tij deri në dy herë, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës së parë të plotësuar gabim, pa penalitete. Në rast të një korrigjimi tjetër, pas atij të dytë, brenda afatit tremujor nga dorëzimi i deklaratës fillestare ndaj individit tatimpagues deklarues zbatohen sanksionet ligjore. Individi e dorëzon deklaratën e korrigjuar nga llogaria e tij në e-filing në faqen zyrtare të tatimeve online www.tatime.gov.al.

Dokumentacioni justifikues i të ardhurave dhe shpenzimeve

Çdo e ardhur e realizuar dhe shpenzim i kryer, deklaruar në deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, duhet të jetë i provuar me dokumentin ligjor përkatës justifikues. Individi deklarues në rast të një kërkese nga Administrata Tatimore, ka detyrimin të paraqesë, dokumentacionin përkatës justifikues.

Për më shumë informacion: www.tatime.gov.al

Read more

Workshop: Përfitimet e biznesit në sajë të implementimit të një sistemi për menaxhimin e proceseve të prodhimit

Më datë 21 Shtator 2017, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Infosoft Business Solutions, pjese e InfoSoft Group, do të organizojnë Workshop-in me temë “Përfitimet e biznesit në sajë të implementimit të një sistemi për menaxhimin e proceseve të prodhimit”.

Qëllimi i këtij Workshop-i është njohja e kompanive prodhuese me një sistem menaxhimi prodhimi i cili lehtëson ndjekjen e procesit të prodhimit dhe monitorimin e të gjithë fazave të tij.

Gjatë këtij Workshop-i pjesëmarrësit do të njihen me mënyrën e trajtimit në një sistem të informatizuar të të gjithë hapave të prodhimit duke filluar nga:

– Planifikimi;
– Lëndët e para dhe produktet e ndërmjetme;
– Makineritë dhe burimet njerëzore të përfshira;
– Koha dhe kostot e prodhimit;
– Produkti përfundimtar;
– Raportimi.

Në këtë Workshop do të prezatohen konkretisht se si realizohen këto procese me anë të demonstrimit live në sistem. Workshopi do të jetë interaktiv, duke patur një session të dedikuar për pyetje dhe diskutime me pjesëmarrësit.

Audienca e synuar: Menaxher Prodhimi, Menaxher Operacionesh, Menaxher Cilësie, Menaxher Finance.

Te interesuarit për pjesëmarrjen të na konfirmojnë në adresën e e-mailit: info@prodhuesit.org

Read more

Kërkohet bashkëpunim nga bizneset për kryerjen e Inspektimeve Online

Inspektoriati Qendor u kërkon bizneseve bashkëpunim për mos lejimin e inspektimeve të jashtëligjshme që rëndojne barrën e biznesit të ndershëm.

Në adresë të Inspektoriati Qendror, kanë ardhur ankesa nga biznesi dhe entet publike duke informuar se inspektimet nuk po kryhen në formën e duhur ligjore, duke bërë prezent edhe raste konkrete të abuzivizmit, mungesë transparence në kryerjen e procesit inspektues.

Për këtë arsye Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, përmes shkresës të dërguar Kryeinspektorëve të Inspektorateve Shtetërore, ka kërkuar kryerjen e inspektimeve online me lista verifikimi të miratuara e dokumente standarde prej sistemit elektronik.  Gjithashtu Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar njohjen e të gjithë Inspektorëve Shtetërorë në detyrë me shkresën dhe Urdhrin “Për Kryerjen e Inspektimeve Online”.

Inspektoriati Qendror kërkon angazhimin dhe njohjen e bizneseve me Shkresën nr. prot 491, datë 31.08.2017 dhe Urdhërin nr.284, date 1.5.2017 “Për Kryerjen e Inspektimeve Online”, në mënyrë që të mos lejohet kryerja e inspektimeve të jashtëligjshme.

 

Read more

Publikohet faqja e internetit të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes në një njoftim zyrtar të saj vë në dijeni të gjithë komunitetin e biznesit por edhe aktor të tjerë të interesuar se është publikuar faqja e internetit të “Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë”.

Ky Komitet ku pjesë e tij është dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, ka ndihmuar më tej komunitetin e biznesit në minimizimin e barrierave tregtare që ekzistojnë kryesisht me vëndet anëtare në BE dhe CEFTA. Kjo strukturë ka shërbyer si një platformë dialogimi midis qeverisë, biznesit dhe donatorëve, duke mundësuar në këtë mënyrë kanalizimin e duhur të ndihmës dhe zgjidhjes së problemeve të komunitetit të biznesit në kohë reale.

Në këtë kuadër, një iniciativë shumë e rëndësishme e kësaj strukture drejtuar nga MZHETTS është patjetër edhe aspekti informues mbi zhvillimet më të fundit ligjore dhe administrative për komunitetin e eksportuesëve shqiptarë. Për këtë qëllim me mbështetjen e USAID dhe ekspertizën e Institutit të Politikave Publike dhe Private (IP3) është hartuar faqja e internetit të këtij Komiteti. Në këtë kuadër dëshirojmë të informojmë të gjithë eskportuesit shqiptarë dhe jo vetëm, mbi mundësinë e re që qeveria shqiptare i ka krijuar mbarë komunitetit të biznesit.

Faqja mund të aksesohet në linkun http://www.tregtia.gov.al

Read more

Tatimpaguesit duhet të tregojnë kujdes në regjistrimin e të dhënave në pajisjen fiskale

Sipas një njoftimi zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nga të dhënat e nxjerra prej sistemit të monitorimit të pajisjeve fiskale, rezultojnë raste, kur nga shitësit regjistrohen vlera të pasakta, rrjedhur prej shtypjes gabim të vlerave të mallrave të shitura. Parregullsitë e kësaj natyre, shoqërohen me evidentimin e qarkullimit jo real, pasuar me dhënien e një tjetër përgjegjësie tatimore, bërjen objekt të një kontrolli tatimor, etj.

Mbajtja saktë e të dhënave është detyrim për çdo tatimpagues, ndaj në çdo veprim që do të bëhet me anë të pajisjes fiskale, tregohuni të kujdesshëm.

Për të tilla gabime:

  • Tatimpaguesi duhet të njoftojë Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal mbajtur nga ai vetë (shkarkohet nga faqja DPT).
  • Pas kësaj ai do të vazhdojë të raportojë shitjet, raportime të cilat do të vazhdojnë të regjistrojnë në vazhdimësi edhe këtë gabim.
  • Pas korrigjimit të gabimit nga Administrata Tatimore, tatimpaguesi do të vazhdojë raportimin e shitjeve, pra shifra e raportuar do të korrigjohet për të treguar xhiron reale.

Kujdes! Mosnjoftimi i gabimit në regjistrim është përgjegjësi e tatimpaguesit dhe konsiderohet shitje nga ana e tij.

 

 

Read more

DPT sjell për tatimpaguesit dhe individët rubrikën më të re informative “Tatimet këshillojnë”

Përveç shërbimit të thirrjeve, opsionet e komunikimit telefonik dhe online me Administratën Tatimore, DPT njofton edhe hapjen e rubrikës “Tatimet këshillojnë”, në faqen zyrtare të saj dhe në Facebook.

Ky kënd njoftimesh online do të prezantojë për të gjithë tatimpaguesit apo dhe individët, një informacion të thjeshtuar mbi Administratën Tatimore, të drejtat dhe detyrimet e tyre ndaj kësaj të fundit si dhe çdo proces që lidhet me zbatueshmërinë e legjislacionit tatimor, duke përfshirë fillesat e një biznesi (regjistrimin e tij) jetën, ciklin e një biznesi dhe deri në procedurat për mbylljen e tij.

Read more