Blog

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Prill 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në muajin Prill 2018 është 1,7 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,0 %, vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë”, pasuar nga grupet:

  • “Argëtim dhe kulturë” me 2,7 %,
  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %,
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6 %,
  • “Transporti” me 1,5 %,
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %,
  • “Hotele, kafene dhe restorante“ me 1,0 %,
  • “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, etj.

Në muajin Prill 2018, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit është -0,4 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,4 %, pasuar nga grupet:

  • “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %;
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”;
  • “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0,2 % secili

Ndërsa, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2,0 %, pasuar nga grupet

  • “Hotele, kafene dhe restorante“ me 1,4 %;
  • “Mobilim, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje”;
  • “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili.

 

Read more

Tregtia e Jashtme, Prill 2018

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë muajit prill 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 11,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 1,4 %, në krahasim me Mars 2018. Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 4,9 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 5,2 %, në krahasim me Mars 2018. Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke u ulur me 0,9 %, krahasuar me Prill 2017 dhe me 8,9 %, në krahasim me Mars 2018.

Në katër mujorin e parë të vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 101 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 198 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 97 mld lekë, duke u rritur me 0,8 %, krahasuar me 2017.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 11,2 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,3 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +2,0 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,7 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet:

  • “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -0,4 pikë përqindje;
  • “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,1 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij katërmujori janë rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë. Në ndryshimin vjetor të eksporteve nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup. Grupet që kanë patur kontribut më të lartë në rritjen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +4,4 pikë përqindje;
  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,4 pikë përqindje.

 

Read more

Forumi i Biznesit Maltë-Shqipëri, 22-23 Maj 2018

Në datat  22-23 Maj 2018, në Republikën e Maltës, do të zhvillohet Forumi i Biznesit Maltë-Shqipëri, me qëllim  hapjen e një rrugë më të gjërë bashkëpunimi dhe mundësish për të dy vendet. Kompanitë shqiptare pjesëmarrëse në këtë event do të jenë nga sektorë të rëndësishëm si: turizmi, ICT, agro-kultura, tregtia, transporti, energjia dhe burimet natyrore. Të pranishëm në këtë event do të jenë dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta dhe Presidenti i Republikës se Maltes Sh.S.Znj. Marie-Louise Coleiro Preca.

Ky aktivitet do të jetë një mundësi e mirë për sipërmarrjen e të dy vendeve, të ndajnë përvojat e tyre dhe të zhvillojnë takime B2B mes përfaqësuesve të biznesit.

 

Read more

Kushtet e përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë

Drejtoria e Tatimeve njofton se cilat janë kushtet e përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, përmes një publikimi të ri.

Sipas kësaj Drejtorie, duhen përmbushur këto kushte:

  • Për sa kohë qarkullimi vjetor bazuar në shitjet e kryera për produktet bujqësore, kundrejt personave të tatueshëm, të cilët nuk përfitojnë nga skema e kompensimit, sipas vlerës totale të furnizimit të shënuar në faturë, nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në, për fermerët individual ose pa limit nëse e ushtron veprimtarinë e vetë i përfshirë në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor;
  • Nëse furnizojnë mallra me prejardhje nga puna e tyre e kryer për aktivitetet prodhuese bujqësore të përcaktuara sipas këtij udhëzimi;
  • Pajisen me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ushtron aktivitetin, por pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim.

Hapat që duhet të ndjekë fermeri për t’u pajisur me NIPT

1. Aplikimi për t’u pajisur me NIPT bëhet nga vetë fermeri;

2. Për t’u pajisur me çertifikatën e NIPT-it, individi-fermer paraqitet në Drejtorinë e Regjistrimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore të juridiksionit sipas ndarjes, organizimit administrativ, duke paraqitur dokumentacionin si më poshtë:

  • Aplikimin për regjistrim sipas formularit përkatës të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme të kërkuara, nënshkruar nga kërkuesi;
  • Dokumentin origjinal të identifikimit (letërnjoftimit)/ose kopje të noterizuar të këtij dokumenti, i cili i bashkëngjitet aplikimit për regjistrim;
  • Vërtetimin origjinal sipas formatit bashkëngjitur këtij udhëzimi, lëshuar për fermerin prej drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.

Për aktivitetin prodhues bujqësor që kryhet në të njëjtin vend/adresë (tokë bujqësore ose adresë ku kryhet veprimtaria bujqësore/blegtorale) në pronësi ose në përdorim, ky vërtetim, për qëllime të pajisjes me NIPT, lëshohet vetëm në emër të një fermeri.

3. Dokumentet shoqëruese të aplikimit duhet të dorëzohen në origjinal ose kopje të njësuara me origjinalin, të jenë në gjuhën shqipe, nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit.

4. Për pajisjen me NIPT të fermerit, janë të detyrueshme këto të dhëna:

a) të dhënat e identifikimit të fermerit, adresa e banimit, kontakte të personit;

b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore. Për të njëjtin vend të veprimtarisë adresë të ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore, pajiset me NIPT, vetëm një fermer i cili ka në pronësi ose në përdorim dhe ushtron veprimtarinë në këtë vend.

c) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore;

d) fusha/(at) e veprimtarisë prodhuese bujqë-sore, në qoftë se është e përcaktuar, ose nëse fermeri kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë specifikohen disa duke filluar nga ajo që mban peshën kryesore;

ç) specimeni i nënshkrimit (firmës) të individit-fermer.

5. Drejtoria Rajonale Tatimore merr në shqyrtim aplikimet për pajisjen me NIPT të fermerëve sipas radhës së paraqitjes së tyre. Drejtoria e regjistrimit dhe shërbimit të tatimpaguesit në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse asiston aplikantin fermer në plotësimin e aplikimit dhe ndërkohë verifikon:

a) identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;

b) plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;

c) paraqitjen në formën e kërkuar të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;

d) faktin nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit përputhen me të dhënat që përmbajnë dokumentet e kërkuara, që shoqërojnë formularin;

e) faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje, apo është i palexueshëm.

6. Drejtoria Rajonale Tatimore, pasi kryen verifikimet përkatëse dhe vëren përmbushjen korrekte të kushteve për regjistrim, kryen regjistrimin e fermerit në regjistrin tatimor duke evidentuar dukshëm në faqen e regjistrimit faktin që i regjistruari është “fermer” dhe lëshon certifikatën e regjistrimit (NIPT-in) brenda një afati prej dy ditësh nga data e paraqitjes së aplikimit. Emërtimi në certifikatë shkruan: “Fermeri A.B.” ku AB është emri dhe mbiemri i fermerit.

7. Ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it, lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë sipas këtij ligji. Çdo përdorim i NIPT-it të lëshuar fermerit nga ana e tij apo nga persona të tjerë për qëllime të tjera të ndryshme nga ajo e përcaktuar në këtë udhëzim është në kundërshtim me qëllimin e përdorimit të tij.

 

Read more

Bursa edukimi, në Eisenstadt, Austri

Shkolla bujqësore profesionale në Eisenstadt, në Austri, ofron bursa edukimi në vreshtari, prodhimin e verës, rritjen dhe përpunimin e frutave si dhe rritjen e perimeve.

Këto trajnime fillojnë në muajin Korrik – Gusht 2018 dhe vazhdojnë deri në Shtator 2019.

Studentët e rinj dhe studentët që kanë përfunduar studimet vitet e fundit nga mosha 19 deri në moshën 27 vjeç, të cilët janë të interesuar për trajnimet e  përmendur më sipër të aplikojnë në linkun KËTU që e gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Read more

“INTERPOMA 2018”, 15-17 Nëntor 2018, Bolzano, Itali

Më datat 15-17 nëntor 2018, në Bolzano Itali, do të zhvillohet aktiviteti “INTERPOMA 2018”. Ky aktivitet është një event tregtar për kultivimin, ruajtjen dhe marketingun e mollës. Kjo është ngjarja e vetme që synon të paraqesë gjithë zinxhirin e procesit të mollës nga kultivimi, magazinimi dhe deri te marketingu për një audiencë ndërkombëtare. Interpoma do të shfaqë gjithë varietetet e mollës, cilësitë e reja, makineritë dhe pajisjet e prodhimit.

Interpoma është shumë më tepër se një vitrinë për të reklamuar mollët, e cila ka të bëjë me ndarjen e mendimeve, shkëmbimeve të botës së industrisë, hulumtimeve, inovacionit dhe në veçanti rrjeteve dhe rrjetëzimit për sektorin e mollës.

Për më shumë informacion vizitoni linkun: http://www.fierabolzano.it/interpoma/en/

Read more

DPT u bën thirrje tatimpaguesve që të dorëzojnë deklaratën e pagesës së Tatim Fitimit për vitin 2017

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u bën thirrje tatimpaguesve, të cilët akoma nuk kanë dorëzuar deklaratën e pagesës së Tatim Fitimit për vitin 2017, të marrin të gjitha masat për ta përmbushur këtë detyrim. Nëse kjo deklaratë nuk dorëzohet, nga ana e Administratës Tatimore këta tatimpagues do të konsiderohen me risk dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve e investigimeve të vazhdueshme deri në dorëzimin përfundimtar të saj.

Bazuar në analizën e të dhënave, për vitin 2017 rezulton se janë 23,182 tatimpagues të cilët kanë detyrimin për të dorëzuar pranë Administratës Tatimore deklaratën e pagesës së Tatimit mbi Fitimin. Nga këta 21,652 ose rreth 93.4% e totalit e kanë përmbushur tashmë këtë detyrim.

Për 1,528 tatimpagues, të cilët nuk kishin dorëzuar këtë deklaratë, sipas legjislacionit në fuqi nga organet tatimore u bë rivlerësimi automatik për detyrimet që ata duhet të paguajnë për 2017-ën. Nga këta tatimpagues që kishin rivlerësim automatik, 54 dorëzuan deklaratën e tyre për vitin 2017.

Read more

Mbi marrjen e masave mbi fenomenin e zhvlerësimit të kursit të këmbimit të valutës së huaj

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i ka dërguar së fundmi një letër Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z. Arben Ahmetaj dhe për dijeni Kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për rënien e shpejtë të euros në tregun e brendshëm, që po shkakton humbje të mëdha tek eksportuesit dhe disa segmente të industrisë prodhuese. Nëse euro do të vazhdojë nënçmimin, kjo do të shoqërohet me rënie të fitimeve që do të sjellin më pak invesatime dhe vende pune. Prodhuesit kërkojnë që të bëhet një analizë e thelluar në mënyrë që të gjenden shkaqet reale të rënies së saj të fortë.

Në letër thuhet:

“Nisur nga shqetësimet e marra nga industritë prodhuese-eksportuese shqiptare, mbi fenomenin që po përballen muajt e fundit si pasojë e ndryshimit të pakontrolluar dhe të shpejte të kursit të këmbimit të valutës së huaj, lind nevoja emergjente që ky shqetësim madhor të merret seriozisht në konsideratë nga institucionet shtetërore dhe në veçanti nga ministria Juaj.

Nga analizat e kryera përgjatë gjithë kësaj kohe mbi kompanitë prodhuese-eksportuese të disa sektorëve, vihet re se ky fenomen ka prekur drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit duke i nxjerrë kompanitë me humbje, për ketë arsye nuk mund të qëndrohet më në pasivitet për këtë çrregullim të tregut valutor.

Ndryshimi i kursit gjatë këtij 4 mujori për vitin 2018, është i papritur dhe mjaft shqetësues për prodhuesit. ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë për të rikthyer stabilitetin e kursit të këmbimit dhe nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhe më tej.

Nëse kursi i këmbimit do të ndjekë të njëjtin ritëm në muajt në vazhdim, sipërmarrjet prodhues-eksportues do të rezultojnë me një fitim të përgjysmuar, çka do të thotë mungesë investimesh, mungesë rritje pagash, ulje të punësimit, etj.. Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”. Aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për ngritjen e menjëhershme të një grupi pune për analizimin e kësaj situate, si dhe marrjen e masave për të ndaluar zhvIerësimin e monedhës së huaj në vend”, përfundon letra

Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve tha për Monitor se ata kërkojnë të gjendet shkaqet dhe arsyet që kanë çuar në zhvlerësimin e lartë të euros, pasi nuk ka një shpjegim të logjikshëm zyrtar të asaj që po ndodh. Rritja ekonomike nuk vlerësohet në nivele aq të larta sa të justifikojë këtë forcim të lekut, pohoi ai. Prodhuesit nuk kanë marrë ende një përgjigje nga ministri Ahmetaj.

Euro ka hyrë në një trajektore rënëse në tregun e brendshëm që në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke zbritur në 136 lekë në dhjetor, nga niveli prej 140 lekësh që ishte stabilizuar në periudhën 2010-2015. Tkurrja vijoi edhe përgjatë vitit 2017, ku euro e mbylli vitin me një mesatare prej 134 lekësh. Më i fortë ka qenë nënçmimi në muajt e parë të këtij viti, ku ditët e fundit euro zbriti nën 127 lekë, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2009. Rënia e monedhës së përbashkët ka tërhequr dhe dollarin, i cili ka zbritur në 106 lekë, nga gati 130 lekë që ishte në fillim të vitit 2017.

 

Read more

“Të blejmë nga Ballkani”, 19 qershor 2018, Frankfurt, Gjermani

Më datë 19 qershor 2018, në Frankfurt, Gjermani, do të zhvillohet aktiviteti i takimeve B2B “Të blejmë nga Ballkani”, organizuar nga Shoqata për industrinë (BME Bundesverb and Materialëirtschaft Einkauf und Logistik e.V) dhe Dhoma Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK).

Për të bërë të mundur pjesëmarrjen e bizneseve shqiptare në këtë format takimi, kërkohen profile kompanish shqiptare që kanë kapacitet prodhues, eksportues dhe janë të afta tu shesin produktet e tyre 65 kompanive të përzgjedhura gjermane, të cilat operojnë në Gjermani në fushën e ndërtimit të makinerive, industrisë automotive, aeronautike, sistemeve energjetike, valvulave industriale, interior, mobilje, materiale plastike, elektronike etj.

Ky aktivitet do të bëjë të mundur rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve si dhe nxitjen e eksporteve.

Përzgjedhja e firmave „Shitëse“ nga rajoni i Ballkanit do të bëhet nga vetë kompanitë gjermane „Blerëse“ pjesëmarrëse në këtë iniciativë.

Për më shumë informacion, mund të gjeni në linkun këtu

Read more

Indeksit i çmimeve të konsumit, prill 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin prill 2018 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2018, krahasuar me Mars 2018, është -0,5 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

  • Rritja vjetore e çmimeve për muajin prill 2018, është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,2 pikë përqindje;
  • Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,52 pikë përqindje;
  • Grupi “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje;
  • Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Transporti” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje secili.
  • Grupi “Argëtim dhe kulturë”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
  • Grupi “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili;
  •  Grupi “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.

Për më shumë informacion klik këtu

Read more