Blog

Konsultim me biznesin “Mbi risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”

Më 31 maj 2017, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Këshilli Investimeve organizuan një takim konsultimi me biznesin mbi risitë e Kodit të ri Doganor. Takimi erdhi si një kërkesë e organizatave të mësipërme të biznesit parashtruar në takimin e 10-të të Këshillit të Investimeve. Kodi i ri Doganor është miratuar në korrik 2014 dhe hyn plotësisht në fuqi në 1 qershor 2017.

Kodi i ri është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe ofron një sërë procedurash më të thjeshtuara për bizneset eksportuese dhe importuese. Dispozita zbatuese të Kodit të ri janë përgatitur tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pranë Ministrisë së Financave dhe pritet të hyjnë në fuqi së bashku me Kodin Doganor.

Lidhur me këtë, përfaqësues të DPD-së prezantuan në takim disa nga aspektet më të rëndësishme të Kodit me impakt në marrëdhëniet e biznesit me administratën doganore si, deklarimet në doganë, mundësitë për aplikim për procedura të thjeshtuara, regjimet doganore, etj.

Nga ana tjetër, përfaqësues të biznesit kanë paraqitur pranë Ministrisë së Financave dhe paraqiten edhe në këtë takim disa nga shqetësimet mbi procedurat doganore, të ngritura edhe në Këshillin e Investimeve, të cilat adresojnë çështje si; skanimi i konteniereve, përdorimi i çmimeve të referencës për përcaktimin e detyrimeve në dogana, klasifikimi tarifor i mallrave, aplikimi kontrolleve fizike, etj.

Në përfundim të takimit, në frymën e mirëkuptimit të domosdoshëm midis komunitetit të biznesit dhe DPD, palët theksuan nevojën për konsultime dhe ballafaqime periodike në tryeza, që do të trajtojnë çështje specifike dhe të rëndësishme për lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore dhe forcimin e bashkëpunimit midis palëve për një tregti të sigurt, të hapur dhe të drejtë.

[slider style=”flat” category=”Konsultim me biznesin mbi risitë e Kodit të ri Doganor” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Njoftim mbi ndryshimet e fundit në Udhëzimin për TVSH

Në Fletoren Zyrtare Nr.123, datë 26 Maj 2017, është publikuar Udhëzimi i Ministrisë së Financave nr.15, datë 18.5.2017 “Për disa ndryshime në udhëzimin nr.6, datë 30.1.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Ndryshimet hyjnë në fuqi që nga data e botimit në Fletoren Zyrtare si më poshtë:

Së pari, i jepet e drejta Operatorëve kryesorë të telekomunikacionit që të mund të zgjedhin të aplikojnë furnizimin e kartave të parapaguara, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore, ose paketave të parapaguara, me anë të distributorëve /furnizuesve të ndërmjetëm, duke zbritur direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg (komisionin), për të gjithë distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm.
Deri sot, nuk parashikohej e lejohej një veprim i tillë.

-Në këtë rast operatorët kryesorë llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit, që ata u furnizojnë distributorëve/ndërmjetësve të tyre.
-Operatori kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur, si më lart.
-Distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm nuk kanë të drejtë të zbresin vlerën e TVSH-së së faturuar nga operatorët kryesorë për furnizimin e kryer, përsa ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë TVSH për furnizimet e mëtejshme të kryera në fazat pasardhëse.
-Distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm duhet të lëshojnë faturë tatimore pa llogaritur TVSH, në të cilën çmimi i këtij furnizimi është i barabartë me çmimin përfundimtar (përfshirë TVSH-në) për konsumatorin final, të faturuar prej operatorit kryesor në momentin e furnizimit të këtyre produkteve.
-Në çdo faturë të lëshuar në furnizimet e mëtejshme nga distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm do të zbritet vlera e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse.

Operatori kryesor që zgjedh të aplikojë këtë mënyrë furnizimi,duhet paraprakisht të depozitojë në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse një deklaratë me shkrim, sipas së cilës të shprehet zgjedhja e dëshiruar.
Operatori kryesor, detyrohet ta bëjë këtë mënyrë furnizimi, për të gjithë distributorët/furnizuesit e tij të ndërmjetëm dhe për një periudhë jo më pak se 12 muaj të njëpasnjëshëm.
Gjithashtu, nëse operatori kryesor heq dorë nga kjo mënyrë furnizimi e dokumentimi, atëherë ai duhet të njoftojë paraprakisht organin tatimor.

Vëmendje:
Qarkullimi i distributorit/furnizuesit të ndërmjetëm në përputhje me nenin 119 të ligjit të TVSH-së, llogaritet në bazë të çmimit gjithsej që duhet të paguajë blerësi (konsumatori final) për shërbimet e mësipërme.

Së dyti, përcaktohet edhe me Udhëzim (ndryshim i bërë më parë me një Vendim të Këshillit të Ministrave), e drejta e një furnizuesi(shitësi të ndërtesave) për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimet e ndërtesave, të cilat sipas ligjit të TVSH-së janë të përjashtuara.
Së treti, pavarësisht të drejtës për të zbritur TVSH lidhur me gazoilin e blerë, personat e tatueshëm, do të duhet që konsumin e tij, ta justifikojnë me volumin e punës së kryer, rrugët e realizuara nga mjeti/et, normativat e konsumit të gazoilit për rrugë ose proces të kryer, etj. Në çdo rast, këto shpenzime duhet të jenë të kryera realisht dhe të justifikuara sipas veprimeve te realizuara për nevoja të veprimtarisë ekonomike, të provuara me dokumentacionin përkatës, por jo më shumë se normativat e përcaktuara në këtë udhëzim”.

Së katërti, hiqet kushti që çdo faturë blerje të jetë mbi 10.000 lekë, për të përfituar rimbursimin nga diplomatët, organizatat ndërkombëtare, NATO.

Së pesti, hiqet kushti që e drejta e personit të tatueshëm që të përdorë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve, kufizohet nga numri i klientëve të tij.

 

Burimi : Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Read more

Tryezë konsultimi me biznesin “Mbi Risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”, 31 maj 2017

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Këshillin e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do të organizojnë një tryezë konsultimi me biznesin me temë “Mbi Risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”.

Në këtë aktivitet do të prezantohen risitë e Kodit të ri Doganor mbi ndryshimet në Kodin Doganor, deklarimi në doganë sipas dispozitave të reja, procedurat e thjeshtuara dhe ndryshimet në regjimet doganore, informacioni i detyrueshem tarifor, informacioni i detyrueshëm origjinës, dispozitat për shkeljet, etj.

Duke e vlerësuar këtë aktivitet si të rëndësishëm për sipërmarrjen, ju ftojmë të bëheni pjesë e diskutimit, ditën e mërkurë, datë 31 maj 2017, ora 9:30 – 12:30, Hotel Tirana International.

Për më shumë informacion rreth aktivitetit dhe konfirmimit të pjesëmarrjes tuaj, lutemi të na shkruani në adresën e e-mailit: info@prodhuesit.org

Read more

Ligji i faljes: Procedura që duhet të ndjekin tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar procedurën që duhet të ndjekin tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, për të përfituar nga ligji i faljes.

Në zbatim të nenit 11, të ligjit nr.33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore”, tatimpaguesi, i cili është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet procedurës së faljes, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë /ankimit /rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.

Për këtë qëllim, tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ky ligj, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit.

Aktet e dorëheqjeve, më pas dërgohen nga Drejtoritë Rajonale në adresë të strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim përfshirjen në faljen automatike që do të bëhet në sistemin elektronik.

Read more

Mblidhet Komiteti për Legjislacionin, Taksat dhe Procedurat i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

Më 16 maj 2017, pranë zyrave të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, u zhvillua takimi i Komitetit për Legjislacionin, Taksat dhe Procedurat i kryesuar nga z. Luan Leka dhe z. Bardhyl Baltëza. Ndër qëllimet e zhvillimit të kësaj mbledhjeje ishin:

  • Për të vlerësuar nëse çështjet e procedurave doganore të ngritura nga anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë kanë gjetur në një masë të caktuar reflektim në “Dispozitat e reja zbatuese të Kodit të ri Doganor”;
  • Në varësi të gjykimeve të Komitetit dhe bazuar në ekspertizë të fushës, të zhvillohet më tej trajtimi i çështjeve, me qëllim prezantimin e tyre pranë Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, si kërkesa reale për konsiderim të çështjeve të ngritura nga anëtarët tanë.

Ditët në vijim do të përpunohet edhe materiali që do t’u dërgohet organeve të përmendura më sipër me çështjet e propozuara nga ky Komitet.

[slider style=”flat” category=”Mbledhja e Komitetit per Legjislacionin-AMU” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Panairi i Startupeve, 14-16 maj 2017

Sot më datë 15 maj 2017, tek Piramida, Tiranë, po zhvillohet dita e dytë e Panairit të Startupeve, në kuadër javës së inovacionit. Përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova ishin të pranishëm me prezantimin e produkteve të tyre inovatore.

Në fjalën e tij përshëndetëse z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë u shpreh se: “Jam shumë i kënaqur që jam përfshirë në disa aktivitete, por ky është një aktivitet fantastik se ju bën të gjithëve bashkë. Janë disa presh jush që kanë gjëra komplementare me njëri tjetrin, disa bëjnë dizajnin, disa inxhinierin, arkitektin e kështu me rradhë. Ne vijmë nga bota e sipërmarrjes, në fund të ditës ju keni ide fantastike, ju bëni inovacion, por çfarë doni ju? Ju doni që në fund të ditës ajo ide e juaja të shkojë tek konsumatori, por kush është konsumatori juaj? Sipërmarrja është konsumatori final. Ajo çfarë po bën “Innovation Hub” është për të filluar për të kuptuar si mundemi të bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Sapo ju të dilni në treg uroj që inovacioni juaj të jetë pjesë e prodhimit shqiptar. Ne nuk duhet të jetojmë si në ishull, ju më vete ne më vete, por duhet të sinkronizohemi me njëri tjetrin me qëllim që të kuptojmë sa të vlefshme janë inovacionet e juaja”.

Z. Sokola Kraja, administrator i kompanisë “KRACO” dhe anëtarë i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në fjalën e tij ndër të tjera u tha inovatorëve më të rinj: “Mundohuni që gjithmonë të angazhoni specialistët më të mirë që ju keni, sepse sot diferencën nga kompanitë në kompani nuk e bëjnë makineritë, nuk e bënë produkti por njerëzit, pra mundohuni të rekrutoni gjithmonë njerëzit më të mirë se ato bëjnë diferencën sot. Mos i kurseni paratë për të paguar atë që kanë tru, se po na ndodh që tregu huaj po përthith të rinjtë tanë më të aftë. Shoqëria jonë investon tek këta njerëz, paguan nga taksat tona arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë dhe kur vjen koha të vjelim nga këto njerëz i merr një vend i huaj. Ju ecni në rrugën tuaj, krijoni produkte me cilësi që të prekni dhe tregun ndërkombëtarë.

[slider style=”flat” category=”Panairi i Startupeve” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Qumështi i pasterizuar UHT që vjen nga Maqedonia do t’i nënshtrohet procedurave të hetimit

Hetim qumështit të pasterizuar, UHT të importit nga qeveria shqiptare vjen si një përgjigje kryesisht për importin e këtij produkti nga Maqedonia, pasi fqinji ynë bllokoi eksportin e qumështit shqiptar. Prodhuesit shqiptarë kërkojnë mbështetjen e shtetit për zbatimin e marrëveshjeve për tregëtinë e lirë nga shtetet fqinje dhe hulumtimin e mënyrës sesi vijnë në tregun vendas produktet e importit. Mes dy shteteve kanë nisur negociatat, ndërsa sipas ligjit antidumping, pas marrjes së vendimit, procedurat e hetimore fillojnë pas 200 ditësh.

Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importet ka marr vendim që Qumështi i pasterizuar UHT, që vjen nga Maqedonia do ti  nënshtrohet procedurave të hetimit. Një masë e tillë, thekson Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë Arben Shkodra, vjen pasi fqinji ynë Maqedonia bllokoi eksportin e qumështit shqiptar.

Arben Shkodra: Maqedonia ndoshta me të padrejtë, ndoshta me të drejtë këtë duhet ta tregojë procesi ka bllokuar eksportin e qumështit shqiptar, me një arsyetim që për mua nuk qëndron tek produkti dhe as tek teknologjia dhe as tek prodhuesi, por qëndron në sistemin tonë të përgjithshëm të gjurmueshmërisë, të parandalimit të sëmundjeve e me radhë.

Prej kohësh prodhuesit kanë ngritur shqetësimin se përmes procedurave favorizohet hyrja e produkteve të importi dhe kërkojnë të hulumtohet mënyra sesi vijnë për tregun shqiptar mallrat e importit dhe  zbatimi i marrëveshjeve të tregëtisë së lire.

Arben Shkodra: Prodhimi vendas është një nga gjërat më të rëndësishme të një ekonomie dhe ekonomisë tonë që tashmë ka filluar dhe të performojë mirë. Ne mendojmë që ka nevojë për një hulumtim më të mirë të mënyrës si importet vijnë dhe performojnë në tregun shqiptar për të parë sesi këto marrëveshje të tregtisë së lirë po zbatohen dhe nga shtet e tjera.

Vendimi për fillimin e hetimit  për importin e qumështit të pasterizuar sipas Shkodrës është një rikalibrim i marrëdhënieve për shkëmbimet tregtare.

Arben Shkodra: Unë nuk mendoj që kjo është prishje marrëdhëniesh, kjo i përket pastaj autoriteteve por edhe qeverive përkatëse dhe ministrive për tu ulur në një tryezë dhe për të gjetur një zgjidhje. Mesa di ka filluar një dialog.

Mësohet se mes dy shteteve fqinje kanë filluar negociatat për të qartësuar zbatimin e marrëvshjeve të tregëtisë mes tyre. Ministria e Ekonomisë bën me dije se një vendimarrje e tillë e komisionit të vlerësimit vjen për herë të parë në mbrojte të ekonomisë së vendit. Ndërsa sipas ligjit antidumping mbi bazën e të cilit është marrë edhe vendimi për hetimin e qumështit UHT, përcakton se procedurat e hetimit do të fillojnë 200 ditë pas marrjes së vendimit.

Read more

Këshilli i Investimeve rekomandon lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore

Më 9 maj 2017, u zhvillua mbledhja e dhjetë e Këshillit të Investimeve, anëtar aktiv i të cilit është edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, përfaqësuar nga z. Arben Shkodra.

Tema e Mbledhjes së X-të ishte “Lehtësimi i mëtejshëm i procedurave doganore”, një temë e votuar në mbledhjen e fundit të 2016 nga anëtarët e KI.  Në hapje të takimit Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se tema në fjalë është shumë e rëndësishme pasi vjen si një kërkesë e vazhdueshme nga biznesi për lehtësimin  e procedurave doganore, dhe  rritjen e konkurueshmerise dhe stimulimin e eksporteve. E sigurisht edhe si detyrim për të përmirësuar klimën e biznesit dhe renditjen e Shqipërisë në Doing Business. Ministrja permendi  përmirësimet e ndjeshme të kryera në Kodin e ri Doganor dhe kerkoi qe kodi i ri doganor dhe mundesite qe ai ofron te kthehen ne nje instrument i cili te ndihmoje konkurueshmerine. Ministrja vlerësoi punën e Drejtorisë së Doganave dhe i kerkoi organzimin e nje aktiviteti ne bashkepunim me shoqatat e biznesit dhe Sekretariatin për të shpjeguar gjithë bizneseve eksportuese  ndryshimet që po pëson Kodi Doganor dhe mundesite e reja qe ai ofron.

“Ne e dimë se në fillim të vitit 2015, në doganën e portit të Durrësit, u vendos kanali jeshil. Jo vetëm në Këshillin e Investimeve, por edhe në Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë dhe në Komisionin për Vlerësimin e Masave për Importet ne kemi diskutuar disa herë për kanalin jeshil dhe për lehtësirat që ky kanal ose kjo mënyrë komunikimi i jep biznesit duke shkurtuar kohën e procedurave dhe barrierave administrative që ato kanë në momentin që ato bëjnë shkëmbime mallrash. Koha e matur lëviz nga 3 orë që ishte përpara vendosjes së kanalit jeshil në 10 minuta sot. Kjo do të thotë se për biznesin është më shumë kohë, më pak shpenzim, natyrisht dhe arritje më e shpejtë e tregut destinacion” tha Ministrja në fjalën e saj.

Anëtarët e këshillit dëgjuan me vëmendje gjetjet e raportit të përgatitur nga Sekretariati i KI, lidhur me problematikat në procedurat aktuale doganore dhe disa rekomandime si mund të lehtësohen dhe përmirësohen. Analiza u bazua në ankesat e bizneseve të depozituara në Sekretariat gjate periudhës 2015 – 2016 (rreth 30 ankesa). Më tej një pyetësor i hapur u hodh online  dhe u plotësua nga 23 kompani. U zhvilluan rreth 25 takime janë zhvilluar me biznese, importuese dhe eksportuese dhe në rrethe, kompani konsulence, administratën doganore, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë. Ndërsa më 20 Prill u zhvillua një takim konsultimi me ekspertë të fushës nga administrata doganore, tatimore dhe biznese për të diskutuar paraprakisht rekomandimet më të mundshme dhe të rëndësishme për t’u prezantuar në KI. Pas këtij anketimi u arrit në disa gjetje dhe rekomandime që mund të grupohen në: a) rekomandime të cilat kërkojnë plotësimin e kuadrit ligjor sekondar; b) rekomandime të cilat nuk kanë nevojë për plotësime ligjore dhe nënligjore, por që kërkojnë zbatimin me rigorozitet të dispozitave doganore në fuqi nga administrata doganore; dhe c) rekomandime për realizimin e te cilave kërkohen investime dhe ndryshime operacionale/teknike.

Konkretisht, rekomandimet  kryesore konsistojnë në: Përgatitja në kohë e legjislacionit sekondar doganor referuar hyrjes në fuqi të Kodit të Ri Doganor në 1 Qershor 2017 dhe konsultimi me biznesin, si një praktikë e mirë për nxitjen e partneritetit; Dokumentimi i qartë dhe gjurmimi në sistemin e brendshëm të DPD të mënyrave të llogaritjes së vlerës doganore nëpërmjet rishikimit të akteve/udhëzimeve të brendshme, përditësimi i listës së çmimeve të referencës; Nevoja për ndërgjegjësim për biznesin për të kërkuar nga administrata doganore informacion klasifikim tarifor të detyrueshëm dhe kthim nga degët doganore përgjigje bizneseve për rezultatet e laboratorit të doganës mbi klasifikimin tarifor. Institucionalizimi i bashkëpunimit dhe konsultimit me biznesin: Të rritet komunikimi online i informacionit dhe marrjes së autorizimeve të ndryshme të biznesit si në dogana dhe në institucione të tjera të lidhura, tatime, AKU, etj. Finalizimi i projektit “single window” në dogana do të lehtësojë koordinimin ndërinstitucional.

 

[slider style=”flat” category=”Keshilli i investimeve” orderby=”date” order=”DESC”]

Read more

Innovation Hub “Panairi i Startupeve”, 14-16 maj 2017

Më datat 14-16 maj 2017, tek Piramida, Tiranë, do të zhvillohet Panairi i Parë Rajonal të Startup në Shqipëri.  Ky aktivitet gjithëpërfshirës synon njohjen me idetë dhe produktet novatore që vijnë në treg nga të rinjtë shqiptarë dhe kosovarë.

Panairi i Start up është një hapësirë fizike që bën bashkë start up-e të ndryshme, lider të industrisë së mendimit, mentor, edukatorë, njerëz nga komuniteti dhe investitor për biseda interaktive mbi tema sipërmarrëse. Qëllimi i panairit është t’i japë komunitetit frymë startup-i falë bashkëpunimit me organizata dhe liderat e mendimit duke fituar kështu burime të reja informacioni, ide, frymëzim, forma realizimi, forma bashkëpunimi dhe mundësi implementimi e investimi.

Interesi për të bashkëpunuar me sipërmarrës për zgjidhjen e politikave publike e sfidave të biznesit, është shumë i lartë. Analizimi dhe menaxhimi i të dhënave të startup-eve në mënyrë efektive është një sfidë e madhe por gjithashtu edhe një hapësirë e mirë mundësish për risitë e reja në biznes.

Read more

Mbledhja e tretë e Komitetit për Kordinimin e Politikës Tregtare dhe të Lehtësimit të Tregtisë

U zhvillua më 8 maj 2017 në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, mbledhja e radhës e Komitetit për Kordinimin e Politikës Tregtare dhe të Lehtësimit të Tregtisë, një grup ndërinstitucional që drejtohet nga Ministrja e Ekonomisë, znj Milva Ekonomi. Pjesë e këtij Komiteti është edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.

Kjo është mbledhja e tretë e këtij komiteti, një nga qëllimet e të cilit është të adresojë dhe zgjidhë problematikat që bizneset hasin për çështjet e tregtisë edhe sidomos të eksportit të produkteve të tyre jashtë Shqipërisë.

Temat kryesore të diskutuara në këtë takim të radhës ishin:

–          Prezantimi i website të Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë;

–          Prezantimi i studimit për barrierat teknike në tregti për produkte bujqësore të destinuara në export;

–          Kapacitetet administrative të Sekretariatit Teknik;

–          Masat/hapat për lehtësimin e eksporteve të qumështit;

–          Diskutimi i situatës së eksportit të açugeve në tregun e BE

Ministrja Ekonomi kërkoi që diskutimi i temave në Komitet të bëhet sipas një plani 1 vjeçar të menduar lidhur me problematikat kryesore të eksporteve. Të pranishmit dhanë mendime për faqen e re të internetit të Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë, e cila pritet të jetë së shpejti online. Ministrja Ekonomi kërkoi që përveç informacioneve për eksport në vende të BE dhe CEFTA që janë më të qarta, të përfshihet sa më shumë informacion për eksport në vende të tjera si SHBA apo Turqi etj, në mënyrë që prodhuesit të gjejnë lehtësisht se çfarë procedurash duhet të zbatojnë që të eksportojnë produktin e tyre drejt një vendi të caktuar.

Read more