Blog

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, sesion informues për procedurat e Kodit të ri Doganor

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, organizoi një sesion të përbashkët informues mbi dispozitat e reja të Kodit Doganor. Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata e Agjentëve Doganorë, Ambasada Gjermane, përfaqësues të Biznesit etj.

Përgjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave informuan mbi zhvillimet më të fundit ligjore të përcjella nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor. Ky takim mundësoi një dialog midis institucioneve qeveritare dhe biznesit për tu njohur më nga afër me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për tu përcjellë problematika e deritanishme. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sqaruan se Kodi i ri Doganor përafron më tej procedurat doganore evropiane.

Gjithashtu, u sqaruan disa koncepte si Operatori Ekonomik i Autorizuar, procedurat e zhdoganimit lokal, deklarimi i thjeshtuar, trajtimi tarifor favorizues, magazinimi doganor dhe ai i përkohshëm etj.

Përgjatë takimit u ngrit shqetësimi se biznesi nuk ka kapacitete të ndjekë zhvillimet e vazhdueshme të legjislacionit doganor. Për këtë qëllim do të përgatitet një kalendar sesionesh informuese mbi procedurat e Kodit të ri Doganor, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencive Doganore dhe biznesit, sipas nevojave të tyre. Takime të tilla do të zhvillohen në muajt në vijim.

Read more

Tatimet: Njoftim për saktësimin e të dhënave të punëmarrësve në listëpagesat e deklaruara nga punëdhënësit e tyre

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është vënë në dukje një problematikë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, lidhur me mospërputhjen në disa raste të numrit të identifikimit (ID), të kartës personale të identitetit me emrat e punëmarrësve, apo edhe emra të deklaruar gabim në listepagesat, nga punëdhënësit e tyre.

Bazuar në Ligjin Nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar, çdo punëdhënës, është përgjegjës për mbajtjen e kontributeve të punëmarrësit dhe deklarimin e pagesës në organet tatimore, së bashku me kontributet e punëdhënësit.
Sipas nenit 15 të këtij ligji, çdo tatimpagues deklarues (punëdhës), është i detyruar që të vendosë në listëpagesë numrin personal të çdo punonjësi të punësuar prej tij.

Kujtojmë çdo tatimpagues, që të jetë i saktë në deklarimin e këtyrë të dhënave, pasi çdo gabim përveçse është penalizues për vetë ato, sjell pasoja edhe për punëmarrësit e tyre, përsa i takon përfitimeve që ato do të kenë, përkundrejt kontributeve të paguara realisht.

Read more

INSTAT: Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Qershor 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2017 është 3,7 %. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,8 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %, “argëtim dhe kulturë” me 1,6 %, etj.  Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupi “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,4 %.

Në Qershor 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike”.

 

Read more

31 korrik i vitit kalendarik afati i deklarimit elektronik të vendimit të ortakut

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar lajmëron së referuar nenit 33/1, pika 2 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, shoqëritë tregtare dhe personat fizikë të cilët janë subjekte të tatimit mbi fitimin, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës. Për mos paraqitjen apo paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.

Sipas raportit të gjeneruar nga sistemi informatik i administrates tatimore, rezulton se një numër i konsiderueshëm tatimpaguesish të tatimit mbi fitimin nuk kanë paraqitur vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit për vitet 2014 dhe 2015. Në këtë mënyrë, për këto tatimpagues, në sistem vazhdojnë të llogariten çdo muaj gjobat përkatëse, duke rënduar kështu situatën e tyre të detyrimeve të papaguara.

Lidhur me këtë problem, administrata tatimore fton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin për paraqitjen sa më parë në rrugë elektronike të vendimit të ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, në mënyrë që të ndërpritet llogaritja e gjobave dhe të mos rëndohet më tej situata e detyrimeve të papaguara.

Administrata tatimore, kujton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin, se brenda datës 31 korrik duhet të paraqesin edhe vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit 2016. Pas kësaj date fillon llogaritja në mënyrë automatike e gjobave për tatimpaguesit që nuk e kanë paraqitur këtë vendim.

Read more

Njoftim për zbatimin e procesit të fshirjes së detyrimeve tatimore me kusht

Në zbatim të ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, për fshirjen me kusht të detyrimeve për periudhat Janar 2011-Dhjetor 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se:

  • Tatimpaguesit duhet të logohen në llogarinë e tyre e-filing.
  • Në rubrikën “Kontabilitet” klikojnë në nënmenunë “Urdhërpagesat”
  • Zgjedhin Urdhërpagesën përkatëse dhe e printojnë atë.

Më pas mund të drejtohen në çdo bankë të nivelit të dytë duke kryer pagesën vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/tarifën/kontributin.

Sapo sistemi tatimor të njohë likujdimin e detyrimit, ekzekuton fshirjen e gjobës dhe kamatëvonesës lidhur me të. Për t’u njohur me llojet e detyrimeve të cilat përfitojnë nga fshirja me kusht vizitoni edhe faqen tonë zyrtare në rubrikën Legjislacioni/Akte 2017.

Kujtojmë se tatimpaguesit mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve nëse paguajnë detyrimin principal deri më 31/12/2017.

 

Read more

INSTAT: Ulen eksportet – Qershor 2017, rritet deficiti tregtar

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në Qershor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.
 
Në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016
Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.
 
Eksportet, gjatë gjashtëmujorit të parë janë rritur me +13,5 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2016. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,6 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.
Read more

DPT: Kushtet që duhet të ndjekin të vetëpunësuarit për t’u regjistruar

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar të saj publikon kushtet për regjistrimin e personave fizikë të vetëpunësuar.

Deklarimi në organin tatimor të personit fizik të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pasi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore dhe është pajisur me NIPT, kryhet deri të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës (listëpagesës).

Llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore.
Afati i deklarimit të listëpagesës është data 20 e muajit pasardhës të çdo tremujori, konkretisht:

  • 20 Janar
  • 20 Prill
  • 20 Korrik
  • 20 Tetor

Ndërkohë deklarimi duhet kryer të paktën 3 ditë përpara këtij afati, të tremujorit përkatës.

Shembull: Nëse personi fizik (i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes), është regjistruar në QKB në datën 12 maj 2017 (apo gjatë muajve prill, maj dhe qershor), regjistrimi në mënyrë elektronike në sistemin tatimor si i vetëpunësuar, duhet të kryhet brenda datës 17 Korrik 2017.

 

Read more

Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit – Tremujori i dytë 2017

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi nivelin 111.4 në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke rënë me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Niveli më i ulët i TNE-së pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar. Me gjithë këtë zhvillim, niveli aktual i TNE-së në tremujorin në analizë vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë një vit më pare

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi të rritet me 4.5 pikë përqindje për të dytin tremujor radhazi. Rritja e TBI-së pasqyroi kryesisht dinamikën pozitive të balancës së kontratave porositëse (+10.1 pikë përqindje), dhe një masë më të vogël rritjen e dy komponentëve të tjerë formues të treguesit – balanca e prodhimit (+1.2 pikë përqindje) dhe e gjendjes së inventarëve (-2.1 pikë përqindje).

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi tendencën rritëse edhe në tremujorin e dytë (+1.7 pikë përqindje), duke e zhvendosur atë lehtësisht mbi mesataren historike të tij (+1.2 pikë përqindje) (grafik 2). Të dyja balancat përbërëse të TBN-së, kontratat porositëse dhe aktiviteti ndërtues, rezultuan më të larta kundrejt tremujorit të mëparshëm, përkatësisht me 2.6 dhe 0.7 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) rezultoi me rënie (- 18.0 pikë përqindje) në tremujorin e dytë të këtij viti. Megjithatë, niveli i TBSh-së qëndron mbi vlerën e shënuar një vit më parë (+17.1 pikë përqindje) dhe mbi mesataren historike (+9.5 pikë përqindje (grafik 4). Dinamika e TBSh-së i atribuohet rënies së balancave të tij formuese, kërkesës (-19.0 pikë përqindje) dhe ecurisë së biznesit (-17.4 pikë përqindje).

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë Rënia e TBT-së pasqyroi nivelet më të ulëta të balancave që formojnë treguesin, ecuria e biznesit (-5.5 pikë përqindje) dhe pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-2.3 pikë përqindje). Edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit shënoi rënie. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të rritura. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi një rritje të lehtë me 0.4 pikë përqindje krahasuar me vlerën e tremujori më parë. Megjithatë, bizneset në këtë sektor vijojnë të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre me një normë nën mesataren historike të saj (-5.7 pikë përqindje).

Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 1.2 pikë përqindje në tremujorin e dytë. TBK-ja qëndron rreth 3.3 pikë përqindje mbi mesataren e tij historike.

Për më shumë informacion klikoni në: Analiza_Vrojtime 2017

[slider style=”flat” category=”Treguesi i ndjesisë ekonomike” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Qershor 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rritet me 1%  ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2017 në krahasim me 1 viti më parë.

Në muajin Qershor 2017 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit është 2,2 %,  ndërsa në 2016 ky ndryshim ishte 1,2 %.

Krahasuar me muajin Qershor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,1 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “transporti” dhe “shërbimi arsimor” me 0,7 %, “argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,8 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet“ me 12,1 %, “qumësht, djath e vezë” me 4,3 %, “peshk” me 3,7 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,7 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,9 %. Krahasuar me muajin Qershor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,1 %.

[slider style=”flat” category=”Indeksi i Çmimeve të Konsumit Qershor” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bën me dije se më datë 1.7.2017, fillojnë të zbatohen efektet juridike të detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 60/2016, datë 2.6.2017 “Për sinalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, për subjektet privatë.

Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtëpërdrejtë nga ILDKPKI, për raste e veprave penale të korrupsionit,  çdo veprim ose mosveprim të kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose komptencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm më to, të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, ku gjenden element të veprave penale të mësipërme.

Në zbatim të nenit 10, të ligjit 60/2016, Udhëzimit nr.1, datë 23.9.2016, “Për miratimin/përcaktimin e strukturës , kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimin e punonjësve të njësisë përgjegjëse në subjektet privatë”, pranë çdo subjekti privat që ka më shumë se 100 të punësuar, caktohet 1 njësi përgjegjëse e cila regjistron, heton administrativisht, shqyrton sinjalizimet për rastet e korrupsionit dhe raporton pranë ILDKPKI sipas ligjit.

Për sa më sipër mbartni detyrimin për ngritjen e njësisë përgjegjëse dhe njoftimin me shkrim të Inspektorit të Përgjithshëm pranë ILDKPKI për krijimin e saj, së bashku me gjeneralitetet, pozicionit të punës, pozicionit të punës, si dhe kontaktët e punonjësve të caktuar, brenda datës 15.7.2017.

Shkelja e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, ju ngarkon me përgjegjësi administrative dhe penale.

Klik: Ligj nr.60/2016, datë 2.6.2016 “Për sinalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”

Klik: Udhëzim “Për strukturën, kriterët e përzgjedhjes dhe trainimin e punonjësve të njësisë përgjëgjëse në subjektet private”

 

Read more