Blog

Panairi i ushqimit “FI Europe”, 28-30 Nëntor, Frankfurt, Gjermani

Në datat 28 – 30 nentor 2017, do të zhvillohet në Frankfurt, Gjermani, panairi “Food Ingredients Fi Europe” me fokus sektorin e Ushqimit.

Panairi Fi Europe është hapur për herë të parë në vitin 1986, si vend takimi ku mblidhen grupet e interesit global në sektorin e ushqimit dhe përbërësve të tij. Vendndodhja unike dhe hapësira ekspozuese prej më shumë se 60,000 m2, bashkon për 3 ditë furnizues të ushqimit dhe pijeve, specialistë kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe marketingu nga e gjithë bota,  si dhe  shembujt pozitivë me shërbimet më të larmishme dhe inovative.

Pjesëmarrja në këtë panair është një mundësi për të qenë mes 26,000 vizitorëve dhe profesionistëve të industrisë ushqimit të nivelit të lartë dhe me potencial e autoritet blerjeje.

Për më shumë informacion rreth panairit vizitoni linkun:

www.figlobal.com/fieurope

Kompanitë që janë të interesuara të jenë pjesë në ketë panair, të vizitojnë linkun: http://aida.gov.al/evente/behuni-pjese-e-panairit-te-ushqimit-fi-europe-2830-nentor-frankfurt-gjermani

Read more

DPT: Mbi mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara

Drejtoria e Përgjithshme sqaron tatimpaguesit se afati për të paguar një borxh tatimor sipas rasteve është:

  • Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit.
  • Nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit
  • Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor.

Me plotësimin e afateve proceduriale të mësipërme, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing tuaj “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.

Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë:

Hapi I-rë: Urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij.
Hapi II-të: Barrë sigurie dhe/ose Barrë hipotekore mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit.
Hapi III-të: Urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekore.
Hapi IV-t: Konfiskimi i pasurisë nga Adminisitrata Tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Administrata Tatimore i dërgon gjithashtu administratës doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar.

Në rastet e moslikujdimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së hapave të mësipërme kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.

Read more

BSH: Kredia për Biznese, Tremujori II – 2017

Sipas të dhënave zyrtare nga Departementi i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, kredia për biznese shënoi rritje të moderuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, e ndikuar si nga rikuperimi i ngadaltë i kërkesës për kredi dhe oferta e ngurtë, ashtu edhe nga shlyerja e kredive me probleme. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar në shtimin e likuiditetit të bizneseve, në rikuperimin e ngadaltë të kërkesës për kredi nga ky segment, si dhe ka mundësuar shlyerjen e kredive. Kredia për biznese sipas monedhave është mbështetur nga kredia në lekë. Ndërkohë, sipas qëllimit të përdorimit është kredia për investime, që ka kontribuar pozitivisht. Normat e interesit për kreditë në lekë për bizneset kanë shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit. Bankat presin që standardet dhe kërkesa e kredisë për biznese të jetë e ngjashme edhe në tremujorin e tretë të vitit 2017.

Portofoli i kredisë për biznese në bilancin e bankave është tkurrur me 6 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017. Ky reduktim ka reflektuar rimëkëmbjen e ngadaltë të kredisë për këtë sektor, shlyerjen e kredive, si dhe ndikimin e lartë kontabël nga luhatjet e kursit të këmbimit. Kjo ecuri është reflektuar në uljen e peshës së kredisë së bizneseve ndaj totalit me 1.2 pp krahasuar me fundin e vitit 2016, për të arritur në 65.9%. Në rënie shfaqet edhe raporti i kredisë për biznese ndaj PBB-së në 24.5% përkundrejt 25.2%, që shënonte në dhjetor 2016.

Megjithatë, pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, portofoli i kredisë për biznese shfaq një rritje tremujore me 2 miliardë lekë, më e lartë sesa një tremujor më parë dhe në linjë me sjelljen sezonale të kredisë. Ndërkohë, në terma mesatarë vjetorë, norma e rritjes shfaqet e ngadalësuar në rreth 2%, e ndikuar edhe nga rritja e fortë e këtij portofoli në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dobësia e kredisë së bizneseve ka reflektuar një rikuperim të ngadaltë të kërkesës për kredi nga bizneset, si dhe kushtet akoma të shtrënguara të kreditimit për biznesin e madh. Kredia për këto të fundit ka diktuar edhe trajektoren e rritjes së moderuar të kredisë për biznese, për shkak të peshës së madhe të këtij segmenti në portofolin e kredisë së bankave (prej 60.4%).

Rritja e kredisë për biznese është përcaktuar nga kreditimi në lekë, i cili, pavarësisht normave më të ngadalësuara se në tremujorin e parë, vijon të rritet me ritme të larta prej 8.4%. Zhvillimet tremujore tregojnë se rritja e portofolit të kredisë në lekë me 3.2 miliardë lekë nuk arriti të kompensojë tkurrjen e fortë, prej rreth 8.9 miliardë lekësh të kredisë në valutë, për të njëjtën periudhë. Tkurrja e lartë e këtij portofoli është ndikuar ndjeshëm nga mbiçmimi i fortë i lekut ndaj monedhave euro dhe usd, veçanërisht në muajt maj dhe qershor. Duke e rregulluar për këtë efekt, tkurrja e kredisë në valutë për biznese është rreth 0.5 miliardë lekë. Këto zhvillime janë reflektuar në rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit të bizneseve në 38.5%, ose 3.4 pp më e lartë se muaji qershor 2016. Përgjatë vitit të fundit, portofoli i kredisë së bizneseve po shfaq një zhvendosje të shpejtë drejt monedhës vendase, nxitur edhe nga normat e ulëta të kredisë në lekë për këtë segment.

Read more

INSTAT: Rritet eksporti i mallrave për muajin Korrik 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në Korrik 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,4 %, në krahasim me Qershor 2017. Importet e mallrave në Korrik 2017 arritën vlerën 55 mld lekë, duke u rritur me 9,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 3,7 %, në krahasim me Qershor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me Korrik 2016 dhe duke u ulur me12,3 %, në krahasim me Qershor 2017.

Rritja vjetore e eksporteve prej 9,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “tekstile dhe këpucë” me +5,6 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me +3,6 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me +3,3 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,9 pikë përqindje

Eksportet, gjatë këtij shtatë mujori janë rritur me 12,9 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,0 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,9 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve, nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Korrik 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2017, arriti 102,3 kundrejt muajit Dhjetor 2015. Në Korrik 2017 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit është 2,0 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,71 pikë përqindje. Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “transport” dhe “komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje.

Read more

Nis fshirja e plotë e detyrimeve për periudhën 2010 e më parë, përfitojnë 11,577 tatimpagues

Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi përmbylli me sukses procesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat, implementoi fazën e parë: Fshirja automatike e detyrimeve të papaguar të interesave për pagesë të vonuar si edhe çdo penaliteti për të cilin nuk ka principal të papaguar, për periudhat mujore deri më 1012 (Dhjetor 2010, përfshirë) dhe periudhat vjetore deri më 10-A (përfshirë).

Gjatë ditës së djeshme nga fshirja automatike e këtyre detyrimeve, për periudhat e përcaktuara sipas nenit 5 të ligjit 33/2017, janë ekzekutuar 50 430 raste ku kanë përfituar në total 11 577 tatimpagues. Nga fshirja automatike kanë përfituar të gjithë kategoritë e tatimpaguesve që kanë patur detyrime të tilla, pavarësisht nga statusi i tyre aktual. Llojet e detyrimeve që janë fshirë nga sistemi elektronik për pagesë të vonuar janë:

  • Interesa për pagesë të vonuar
  • Gjoba për pagesë të vonuar
  • Dënime administrative

Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike njoftimin përkatës. Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton se tatimpaguesit duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjendet i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”

 

Read more

PBB sipas Rajoneve Statistikore në Shqipëri, 2015

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në vitin 2015, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente është 1.427.799 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 2,23 %, krahasuar me vitin 2014.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2015, e ka dhënë Qarku Tiranë me +2,1 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Durrës me + 0,76 pikë përqindje dhe Qarku Dibër me +0,36 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Fier me -0,81 pikë përqindje, i pasuar me Qarkun Elbasan me një kontribut prej -0,21 pikë përqindje dhe Qarkun Gjirokastër me një kontribut prej -0,15 pikë përqindje.

Në vitin 2015, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB me çmime korente ishte 671,0 miliardë lekë ose 47,0 %, ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2014, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 4,2 %. PBB me çmime korente në rajonin Jug ishte 420,1 miliardë lekë ose 29,4 %, ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2014, në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rënie me 2,8 %. PBB me çmime korente në rajonin Veri ishte 336,6 miliardë lekë ose 23,6 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2014, PBB në terma reale në rajonin Veri shënoi një rritje prej 5,3 %. Sipas rajoneve statistikore në nivel 3, rritjen më të lartë e shënoi Qarku Dibër me 11,5 %, në terma realë, i ndjekur nga Qarku Durrës me 8,2 % dhe Qarku Tiranë me 5,5 %. Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun Fier, duke shënuar rënie në terma realë prej 6,0 %, pasuar me Qarkun Gjirokastër, PBB e të cilit ra me 5,7 % dhe në Qarkun Kukës me një rënie në terma realë prej 5,6 %.

Read more

Kredia për Bizneset, Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për Tremujorin e Dytë 2017

Nga rezultatet e vrojtimit të kryera nga  Departamenti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, vihet re se  standardet e kredisë për bizneset kanë mbetur pothuajse të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2017. Kushtet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, në përputhje dhe me pritjet e tremujorit të kaluar. Për ndërmarrjet e mëdha, ndryshe nga sa pritej, standardet e kredisë kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e tretë të vitit 2017, bankat presin që standardet e kreditimit të mbeten të pandryshuara, si në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha.

Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar për kreditë për kapital qarkullues, ndërsa për kredinë për investime kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e ardhshëm pritet që standardet për të dy këto kategori të mos ndryshojnë.

Faktorët me ndikimin kryesor në lehtësimin e standardeve të kredisë për biznese në tremujorin e dytë rezultuan të jenë konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit në sistem. Ndërkohë, faktorët e tjerë si: problemet specifike të sektorëve ku vepron biznesi; kreditë me probleme; perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike; si edhe mjaftueshmëria e kapitalit; vijojnë të ndikojnë në kahun shtrëngues.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar. Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues.

Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar.  Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar.

Publikimin e plotë të rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë 2017 do ta gjeni këtu

Read more

Shtator-Tetor 2017, Panairi Sllovak B2B

Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) po përgatit dy evente ndërkombëtare: Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë  më 19 Shtator 2017 dhe Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit Kosice 2017, 30 Tetor, 2017.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit është eventi më i madh ndërkombëtar i organizuar nga Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) në Sllovaki nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë.

Ky event bën të mundur lidhjen e biznesit dhe potencialin prodhues me më shumë se 1500  kompani  nga 35 vende, veçanërisht në sektorët kryesorë ekonomikë si inxhinieri, TIK, energji, logjistikë R & D, risi automotive dhe sektorë të ndërlidhur.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit u ofron subjekteve të biznesit mundësinë e negociatave dypalëshe të përshtatura sipas planit individual brenda një dite, për të gjetur kontakte të reja që lidhen me mundësitë e biznesit dhe investimeve. Ky panair gjithashtu siguron program shoqërues që pasqyron nevojat e komunitetit të biznesit dhe paraqet trendet e industrisë, zgjidhjet praktike dhe informacionet mbi çështjet aktuale.

Për më shumë informacion mbi eventet, ju lutemi vizitoni linkun më poshtë:

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Košice

Read more

Arben Shkodra: Tregtia në rajon, pengesat vijnë nga procedurat e ndryshme në dogana

Procedurat e ndryshme doganore vijojnë të pengojnë tregtinë Shqipëri-Kosovë, ndërsa prodhuesit vendas kërkojnë të mendohet seriozisht për njehsimin e procedurave edhe rritjen e konkurueshmërisë në vend.

Një zonë ekonomike e përbashkët në rajon, parashikuar në marrëveshjen e Triestes, shihet me shqetësim nga prodhuesit shqiptarë. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tregon se industritë në rajon mbështeten prej vitesh nga qeveritë e tyre, duke u bërë shumë më konkures në treg. Ndaj i kërkohet qeverisë shqiptare që të përcaktojë e mbështesë sektorët me të cilët vendi mund të jetë konkurues.

“Nëse nuk ecim me të njëjtin hap si fqinjët në rajon, nuk përjashtohet mundësia e dyndjes së prodhimeve fqinje në treg. Por, para integrimit rajonal, prodhuesit kërkojnë të njehsohen procedurat e Tregtisë me Kosovën. Procedura të ndryshme po bëhen pengesë edhe në atë që zoti Shkodra e quan hapin e parë të integrimit tregtar, tregtia Shqipëri- Kosovë. Në takimet e zhvilluara këtë vit, si prodhuesit e Kosovës edhe ata shqiptarë tregohen të interesuar për të bashkëpunuar. Por shpesh herë kontenierët mbetën me ditë të tëra në dogana”, u shpreh z.Shkodra.
Read more