Blog

Biznesi aktor i rëndësishëm në procesin e negocimit me BE-në

Në një intervistë të dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare,  Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra thotë se, prodhuesit prej shumë kohësh po kërkojnë që të jemi një hap më tej në përafrimin me BE-në.

Rekomandimi i dhënë nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian konsiderohet një lajm pozitiv për prodhuesit shqiptarë.

“Është e domosdoshme ta shohim si lajm pozitiv dhe mundësi e mirë për të filluar me hapat e tjerë. Do të hymë në një proces që është monitorim dhe ekzaminim së bashku me Komisionin Evropian e të gjitha hallkat e zinxhirëve të BE, për të bërë një monitorim se sa të përafruar e kemi legjislacionin, kush janë ato boshllëqe që kemi dhe çfarë rrugëtimi duhet për të arritur deri në plotësimin e kritereve për të arritur në BE”, deklaroi Shkodra.

Mund t’u konfirmoj, shprehet ai, se biznesi prodhues shqiptar është jo vetëm i informuar, por edhe i gatshëm për të kontribuar në këtë proces. Produktet shqiptare, janë tashmë të pranishme në tregun evropian, por edhe në tregun botëror.

“Ne eksportojmë bimët medicinale, prodhimet agro-ushqimore që tashmë lejohen të dalin përtej kufijve tanë, me pjesët industriale. Ju jeni në dijeni të të rejave që kemi në fushën e fasonit, ku tashmë shumë nga prodhuesit shqiptar prodhojnë “Made in Albania” me cikël të mbyllur të prodhimit dhe aksesojnë tregjet europiane e botërore. Kjo, është bërë falë një pune mjaft të mirë të prodhuesve shqiptarë, të cilët e kanë krijuar ndërmarrjen, standardizuar dhe kanë gjetur vet tregun për të shitur produktet e tyre. Natyrisht që ka shumë punë për të bërë në lidhje me mbështetjen që duhet t’i japë qeveria dhe hallkat e tjera të saj, që janë ministritë e linjës, kësaj përpjekje titanike që prodhuesi e ka bërë i vetëm për t’a lehtësuar atë, jo vetëm në procesin e prodhimit apo transportit për të kaluar kufijtë tanë, por edhe në gjetjen e tregjeve të ndryshme, të cilat nuk do të sjellin asgjë më pak se sa përfitim në buxhetin e shtetit”, shton Shkodra.

Ai shprehet se menjëherë pas dhënies së rekomandimit nga KE, biznesi ka nisur të diskutoj me qeverinë për kostot dhe përfitimet në këtë fazë.

“Kemi filluar që sot konsultimin me ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi ne mund të jemi përfitues shumë të mëdhenj të gjithë procesit të negocimit dhe të integrimit në BE, por edhe humbës shumë të mëdhenj dhe kjo do të varet nga mënyra se si do të ndërtohet i gjithë procesi i negocimit, kush do të jenë aktorët që negociojnë dhe së fundmi nga përfshirja e biznesit në procesin e negocimit, jo vetëm si kontributor e përfitues, por edhe si aktor i domosdoshëm, duke qenë se gjysma e kapitujve të negociatave prek drejtpërdrejt tregun, ekonominë dhe punën tonë të përditshme”, deklaroi Shkodra.

Në fund fare, shprehet ai, ne do të negociojmë për produktet tona dhe do të ishte shumë mirë që zëri i prodhuesve të dëgjohej. Nga ana tjetër, ai vlerëson se është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se procesi i negociatave dhe integrimit europian ka të bëjë me një element shumë të rëndësishëm që lidhet me kostot që biznesi do të përballojë direkt ose indirekt, duke plotësuar ne kriteret si vend për t’u përafruar me BE-në.

“Normalisht ne nuk do të dalim pa kosto. Kompanitë do të jenë të detyruara që të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet, të cilat deri tani ndoshta nuk i kanë ashtu siç i ka rregullorja dhe direktiva e BE”, thotë Shkodra. Këtu, duhet edhe të fokusohet dialogu me qeverinë, për të gjetur mundësitë për të lehtësuar kompanitë prodhuese.

Hyrja në tregun e përbashkët, shprehet Shkodra, do të thotë pranimi pa kushte të çdo produkti dhe malli të standardizuar të BE, në tregun shqiptar dhe se si mallrat tona mund të jenë të standardizuara për të arritur në tregjet europiane dhe në fund diskutohet për çmimin.

 

Read more

Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros

Në një intervistë për revistën Monitor, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra, pyetjes se “kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros”, i është përgjigjur: Tre janë përfituesit e mëdhenj ndaj zhvlerësimit të valutës në vend.

Së pari, importuesit, të cilët blejnë në valutë dhe shesin në lek, duke mos reflektuar asnjë ndryshim në çmimet. Nga kjo situatë, ato përfitojnë shuma të konsiderueshme dhe janë përfitues pasivë pa bërë asnjë lloj veprimi. Natyrisht nuk mundemi kurrsesi t’i paragjykojmë pasi kjo është veçse një situatë e favorshme për to, shton Arben Shkodra për “Monitor”.

Përfituesi i dytë, sipas zotit Shkodra, është qeveria, ku gjithashtu në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend. “Në çdo rast është i papranueshëm ky rol i përfituesit pasiv i qeverisë në këtë situatë për një kohë kaq të gjatë”.

Së treti, përfitues janë spekulantët e tregjeve valutore. Nëse do të kemi një ringritje të shpejtë, spekulantët, të cilët kanë edhe informacion të brendshëm do të përfitojnë tej mase. “Nëse do të kemi një rritje të shpejtë, do të të spekulojnë pasi mund të kenë shitur valutën me një çmim të lartë, e blenë atë me çmimin minimal dhe presin ringritjen për të pasur fitime të konsiderueshme. Në këtë aspekt pasiviteti, paaftësia apo mosndërhyrja e sistemit tonë shtetëror për të stabilizuar ndihmon spekulimet”.

Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, duhet veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen të zhvlerësimit të euros dhe dollarit në vend, rekomandon ai.

Për zhvlerësimin e euros në vend, Arben Shkodra thotë për “Monitor” se një ndër arsyet kryesore janë prurjet nga ekonomia e zezë, dhe për këtë, sipas tij, nuk ka dyshime. Ndërkohë që masat të cilat mori Banka e Shqipërisë, nën siglën e një plani veprimi për deeuroizimin e tregut, sollën një situatë kaotike, shoqëruar edhe me sjellje të çrregullta në treg, nën ndikimin psikologjik.

Sipas Shkodrës, jemi ndër të paktat ekonomi që përqafuan monedhën e përbashkët europiane shumë më shpejt sesa duhet, dhe kjo sipas tij jo për shkak të tregut, por për shkak të sistemit të ngritur.

Nga shitblerjet më komplekse, si apartamentet dhe makinat, te pagesat e hoteleve, dhe deri te dyqanet e veshjeve, monedha e përbashkët përdoret lehtësisht.

“Për mendimin tonë, qeveria mund të fillonte procesin e deeuroizimit duke ndaluar shitblerjen e apartamenteve në monedhën e huaj, të ndalonte pagesat në hotele në euro në cash, të mos lejojë shitjet e produkteve në valutë”,- tha Shkodra duke argumentuar se mund të gjendeshin mënyra të tjera për deeuroizimin e ekonomisë. Madje mënyra që do të sillnin deeuroizimin e Shqipërisë në mënyrë më graduale.

“Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur dhe për të rritur konkurrueshmërinë. Nuk mund të qëndrojnë pasivë për këtë çrregullim të tregut, duke qenë se preken të gjithë eksportuesit”, rekomandon Shkodra.

Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmerinë e produkteve “Made in Albania”, aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, tha Shkodra.

Zhvlerësimi i euros, ul më tej konkurrueshmërinë e vendit

Zhvlerësimi i euros në tregun vendas ka ndikuar drejtpërdrejtë te konkurrueshmëria. Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesve thotë se, aktualisht, nuk ka asnjë raport apo analizë mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Për prodhuesit, konkurrueshmëria është një nga dy shtyllat kryesore për t’u pasur në konsideratë. Në vendet e tjera, qeveritë e përkthejnë konkurrueshmërinë si program politik.

“Nuk kemi një shifër të qartë se cilat janë nevojat reale të ekonomisë, veçanërisht për sektorin e prodhimit”, – pohon Shkodra për “Monitor”.

Me rënien euros në pikiatë, eksportuesit (prodhuesit që eksportojnë) janë ata që e pësojnë më shumë.
Për shoqëritë prodhuese eksportuese, që kanë kontratat në vazhdim me klientë të huaj, produktet e tyre do të vazhdojnë të shkojnë jashtë vendit me çmimin e negociuar më parë dhe diferenca në kursin e këmbimit do të prekë drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit dhe duke i nxjerrë kompanitë me humbje. Në rast se prodhuesit shqiptarë rrisin çmimin, ata automatikisht humbasin konkurrueshmërinë, duke humbur edhe tregun e huaj. Në shumicën e rasteve, eksportuesit do ta kenë të vështirë të rinegociojnë çmimet e kontratave.

Si mund të mbrohen?

E vetmja mënyrë për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë, sipas Shkodrës, është diferencimi në trajtim i eksportuesve.

Shkodra thotë se qeveria duhet të organizojë një tryezë serioze dhe permanente me prodhuesit shqiptarë. Prej saj, ne presim që të evidentohet situata aktuale, problemet që kanë prodhuesit dhe presim që angazhimi qeveritar të jetë serioz.

“Qeveria nuk ka një strategji apo plan në lidhje me konkurrueshmërinë. Ministria për Europën dhe Punëve të Jashtme nuk ka një ide të qartë të mbështetjes që mund t’u japë prodhimeve shqiptare për të aksesuar në tregjet e huaja. Qeveria, në tërësi nuk ka një ide të qartë se si mund ta mbështesë prodhimin vendas si p.sh.: diferencim në trajtim të prodhueseve kur flasim për taksat, tatimet, tarifat, procedurat etj. Shohim me keqardhje që, sipërmarrjet e rajonit po bëhen më konkurruese, pasi qeveritë e tyre kanë shtuar vëmendjen dhe përkujdesjen ndaj prodhimeve të tyre, pasi siç e dimë, profili i një vendi përcaktohet edhe nga produkti vendor.”

 

Read more

Deklaratë për media

Gjatë paradites së sotme shoqëria EVEREST IE, një nga shoqëritë lider në Shqipëri prej 20 vitesh, në fushën e prodhimit dhe stampimit të ambalazheve plastike fleksibile prej polietileni dhe ricikluesi më i madh i mbetjeve prej polietilenit, u shkatërrua nga zjarri per arsye akoma te panjohura.

Kjo shoqëri kishte implementuar me sukses teknologjitë bashkëkohore sipas standarteve të EU, duke nxitur inovacionin në prodhim dhe duke arritur standart të lartë në produktet e saj. Prej disa vitesh produktet e saj kishin prekur tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Me një rrjet të organizuar mirë, kjo shoqëri mblidhte dhe riciklonte dhjetra ton plastikë çdo muaj, duke pastruar territorin nga mbetjet urbane dhe duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në mbrojtje të mjedisit dhe tokës. Shoqëria EVERESTI IE kishte qindra të punësuar dhe renditej si një tatim pagues i rregullt në buxhetin e shtetit.

Me keqardhje kemi ndjekur prononcimet e sotme të disa mediave dhe portaleve, të cilat duke mos pritur konkluzionet e ekspertizës të autoriteve shtetërore dhe në mungesë të plotë të informacioneve, kanë dalë në konkluzione jo korrekte dhe të dëmshme të cilat në këtë moment të vështirë për sipërmarrjen janë krejtësisht të panevojshme.

Read more

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në tryezë diskutimi mbi procesin e negociatave

Gjatë ditës së sotme, 20 prill 2018, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadrin e përgatitjeve për negociatat e anëtarësimit me BE, zhvilloi një takim me shoqërinë civile lidhur me rolin e OSHC-ve dhe aktorëve të tjere të shoqërisë civile në këtë proces. Në këtë takim mori pjesë dhe Sekretari Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë z. Arben Shkodra.

Në fjalën e tij z. Shkodra theksoi rolin dhe rëndësinë e prodhuesve në procesin e negociatave, përfshirja e komunitetit të biznesit në dialogun e negociatave, si dhe krijimin e tryezave permanente me biznesin.

 

Read more

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, Mars 2018

Ndryshimi i çmimeve të konsumit për muajin mars 2018

  • Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,5 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”;
  • Pasuar nga grupet “Transport” me 2,0 %;
  • “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6 % secili;
  • “Argëtim dhe kulturë” me 1,2 %;
  • “Shërbimi arsimor” dhe “Komunikimi” me 0,9 % secili;
  • Ndërsa, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u ulën me 0,5 %.

Në muajin mars ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %

Ndikuesit me peshën më të madhe në këtë ndryshim janë:

  • Rritja e  çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0%.
  • “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 % secili.
  • Ndërsa, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,9 %.
  • “Hotele, kafene dhe restorante“me 0,4 %.
  • “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 %.

Ndryshime metodologjike:

Në muajin janar të çdo viti IHÇK shoqërohet me disa ndryshime metodologjike sipas metodologjisë ndërkombëtare të llogaritjes së këtij treguesi, të cilat konsistojnë në:

  • Përditësimin e peshave.
  • Përditësimin e listës së mallrave dhe shërbimeve.
  • Përditësimin e listës së njësive tregtare ku mblidhen çmimet.

 

 

 

Read more

Integrimi dhe mbështetja e politikave të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, roli i sektorit privat

Gjatë ditës së sotme, datë 19 prill 2018, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë mori pjesë në takimin e zhvilluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, mbi “Integrimin dhe mbështetjen e politikave të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik,  në Shqipëri – roli i sektorit privat”.

Si kontribuon sektori privat në zbatimin e axhendës 2030, në lidhje me pjesëmarrjen/bashkëpunimin, kontributin dhe mundësitë që i ofrohen këtij sektori.

[slider style=”flat” category=”SDGs in Albania” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Tregtia e Jashtme, Mars 2018

Sipas publikimeve zyrtare të INSTAT, në muajin mars 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën prej 27 mld lekë. Këtë vit vërehet se eksportet kanë kapur kuotën 14,5% krahasuar me 13,3% vitin e kaluar. Ndërsa në lidhje me importet për këtë muaj, vlera e arritur është 55 mld lekë, duke u rritur me 2,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 20,2 % krahasuar me shkurtin e këtij viti.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë.

Rritja vjetore e eksporteve prej 14,5 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,4 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +3,4 pikë përqindje;
  • “Ushqim, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,1 pikë përqindje.

Për më shumë informacion klik këtu

Read more

Mblidhet Bordi Drejtues i Bashkimi të Prodhuesve Shqiptarë

Ditën e hënë, datë 16 prill 2018, u mblodh Bordi Drejtues i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Anëtarët e pranishëm në takim, diskutuan dhe morën vendime në lidhje me:

  • Diskutime në lidhje me organizimin e brendshëm, si dhe kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese të shoqatës;
  • Diskutime mbi propozimet e qendrimit të shoqatës ndaj aplikimit të tarifës së koncesionarit për segmentin rrugor Milot-Morinë;
  • Diskutime në lidhje me marrëdhëniet/bashkëpunimin e shoqatës me Klubin e Prodhuesve të Kosovës;
  • Për miratimin e listës së ekspertëve të jashtëm, të cilët do të angazhohen rast pas rasti në lidhje me çështje të ndryshme që prekin prodhimin shqiptarë;
  • Për miratimin e krijimit të fondit për veprimtaritë e përgjegjësisë sociale dhe të PR të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë përgjatë vitit 2018.

[slider style=”flat” category=”Mbledhja e 10 e Bordit” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Seafood Expo Global 2018, 24 – 26 Prill 2018, Bruksel, Belgjikë

Në datat 24 – 26 prill 2018, në Bruksel, Belgjikë, do të zhvillohet Ekspozita Europiane e Prodhimeve të Detit si eventi më i madh botëror i prodhimeve të detit që mbledh këtë vit më shumë se 1,850 kompani ekspozuese nga 79 vende të botës.

Seafood Expo Global 2018 është një mundësi shumë e mirë për të takuar profesionistë të kësaj industrie dhe për të krijuar ura bashkëpunimi. Pjesëmarrësit në këtë panair do të gjejnë produktet më të mira të detit, të vëna në dispozicion në një shkallë globale.

Për më shumë informacion rreth panairit dhe pjesëmarrjes vizitoni linkun: https://www.seafoodexpo.com/global/exhibit/

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Mars 2018

Në muajin mars 2018, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,0 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Mars 2018, krahasuar me Shkurt 2018, është 0,3 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

  • Rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,18 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,45 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje secili;
  • Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupeve “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili;
  • Çmimet e grupeve “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.

Për më shumë informacion klikoni këtu

Read more