Blog

Panairi “Macfrut 2018”, datë 9 – 11 Maj 2018, Rimini, Itali

Pjesëmarrja në panairin “Macfrut 2018” është një mundësi shumë e mirë për sipërmarrjet shqiptare që operojnë në sektorin e frutave dhe perimeve. Ky event është një ngjarje unike ndërkombëtare që ofron mundësinë për të bërë biznes dhe zbuluar të gjithë zinxhirin e furnizimit të frutave dhe perimeve të freskëta dhe të thata, duke filluar nga vjelja në prodhim, tregti, marketing, makineri, paketim dhe logjistikë.

Macfrut është një panair shume i rëndesishëm për profesionistët që operojnë në sektorin e frutave dhe perimeve në Itali dhe në Evropë. Numri në rritje i kompanive italiane dhe të huaja që marrin pjesë, dhe një gamë e gjerë e iniciativave që synojnë nxitjen e inovacionit dhe ndërkombëtarizimit janë karakteristikat që e bëjnë atë një ngjarje me rëndësi të madhe.

Kompanitë që do të marrin pjesë, përfaqësojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit si: farërat, sherbim & fidanishte, teknologji prodhimi, tregti dhe shitje me pakicë, makineri përpunimi, materiale paketimi, fruta të freskëta, fruta të thata, logjistikë dhe shërbime. Gjatë eventit do të zhvillohen takime B2B, për t’i ofruar pjesëmarrësve mundësinë e të bërit biznes, por edhe një rast për të mësuar dhe diskutuar.

Për më shumë vizitoni linkun:  https://www.macfrut.com/en/

Read more

Ekspozita ndërkombëtare “WorldFood Varshavë”, 10 – 12 Prill 2018

Zhvillohet në Varshavë, në datat 10 – 12 Prill 2018, ekspozita e 5-të ndërkombëtare e ushqimit dhe pijes “WorldFood Varshavë”. WorldFood Varshavë ofron një platformë për të kryer biznes me më shumë se 4,738 blerës të industrisë ushqimore dhe pijeve që veprojnë në Evropën Lindore. Eventi bashkon shpërndarësit, shitësit dhe prodhuesit më të mirë, të cilët gjithashtu vlerësojnë kërkesën e tregut për produktet ose shërbimet e tyre dhe shikojnë trendet globale.

Në këtë event pjesëmarrësit do të jenë pjesë e një programi të larmishëm biznesi, ku do kenë mundësinë të shkëmbejnë njohuritë me disa prej ekspertëve më me ndikim të industrisë së ushqimit dhe pijeve.

Për më shumë informacion vizitoni linkun: http://www.worldfood.pl/Home

 

Read more

“Çfarë ‘heqin; bizneset në Shqipëri?”, flet Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra

Në emisionin “Tonight Ilva Tare”, zhvilluar mbrëmjen e djeshme datë 12 mars 2018, i ftuar ishte dhe z. Arben Shkodra, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Në pyetjen që i bën z. Shkodra, (A i qajnë hallet aktualisht në një vend të caktuar, a janë kanalizuar problematikat, çfarë ka ndodhur, ka ndryshim?), ai u shpreh:

“Në fakt ishte përgjigja e thirrjes që ne i bëmë Qeverisë, nëse ju kujtohet kemi bërë një deklaratë publike, përpara se të bëheshin zgjedhjet dhe pas zgjedhjeve. Ne kërkuam që të kishte 3 propozime nga biznesi, megjithatë u përzgjodh ky model, pra që një ministër i sipërmarrjes të vinte nga biznesi, pikërisht për të kijuar këtë portën që nuk ishte gjetur asnjëherë. Bizneset ankoheshin, por edhe ligji për konsultim publik edhe ligji për informimin publik nuk respektoheshin shumë nga autoritete dhe për këtë arsye u krijua pikërisht ky model.

Mendoj që për momentin është model që na ka krijuar atë hapsirën që ne donim. Ne e themi edhe me Ministren që duhet parë deri në fund i gjithë modeli por për momentin ne kemi një derë ku të trokasim, ku të diskutojmë. Por për të të finalizuar çështjen nuk është më vetëm Ministria për Sipërmarrjen por duhet të kalojë në të gjithë hallkat e Qeverisë.

Në lidhje me problemin e energjisë elektrike, z. Shkodra u shpreh: Nëse flasim për energjinë elektrike, problemet me lidhjen vazhdojnë. Problem tjetër është cilësia që kemi me energjinë elektrike. Ne e kemi paraqitur dhe falënderojmë që e shtynë afatin për ta liberalizuar tregun e energjisë elektrike të furnizimit edhe për një vit tjetër sepse i thamë nuk jemi akoma gati. Pra si mund ta liberalizojmë tregun e energjisë elektrike pra furnizimin, kur ne nuk jemi gati me sistemin. Pra probleme ka patur dhe unë besoj që nëse nuk do të ketë së pari një plan shumë të mirë të kolauduar të OSHEE-së që ta ndajë dhe me biznesin, të kuptojnë bashkarisht se kush mund të jenë nevojat tona, se nevojat mund të jenë të mëdha. Nuk mund të kemi asnjëherë investime të zgjuara në energjinë elektrike dhe biznese të caktuara mezi po presin të miratohen akte nënligjore për energjinë e rinovueshme që janë panelet diellore sepse që të gjithë janë të bindur që duke qenë autonom atëherë ato kanë më shumë mundësi për të suksesuar.

Çështje tjetër e renditur te “Doing Business”, janë taksat:

A.Shkodra: Realisht biznesi nuk po pret të ulen taksat por po pret një konsolidim fiskal të filozofisë. Ka ardhur koha që ne të kemi një pakt kombëtar për ekonominë, 1. Aspekti fiskal, i cili të paktën për një afat 5 vjeçar mos të ndryshojë. Kush është arsyeja? Një biznesmen bënë një plan biznesi që minimalisht është 7-vjeçar, maksimalisht është 15-vjeçar dhe normalisht nuk mund të ketë këto fluktacione qoft të shifrave dhe procedurave. Ne themi gjithmonë kemi arnuar në njëzet e ca vite procedurat tatimore. Çdo vit ne ulemi dhe i arnojmë, dhe nuk e dimë më se cili ka qenë version origjinal i saj. A ka ardhur koha që ta kemi të konsoliduar përfundimisht këtë procedurë tatimore e cila eshtë bërë mankth si për inspektorët dhe për tatim paguesit. 2. Unë nuk mendoj që mund të fiksojmë një vlerë që tatimi do jetë kaq për 5 vite, sepse ne e dimë shumë mirë që janë filozofi të ndryshme të partive të ndryshme që duan të vinë, por të paktën të kemi një marzh që smund të ndryshojë shumë.

Për t’iu rikthyer problem të tatimeve ose të taksave në lidhje me Doing Business, normalisht që Doing Business është referencë, problem kryesor ndoshta aty ka dal rimbursimi dhe kjo lidhet kam përshtypjen dhe me situatën që lidhet me rimbursimet për TAP-in, janë investime shumë të mëdhaja që kërkojnë rimbursime shumë të mëdha, ashtu siç i japin ashtu dhe i kërkojnë. Por nga ana tjetër ministria e ekonomisë dhe financave duhet të fiksojë një gjë. Nëse ka interesa debitore ndaj sipërmarrësit, ndaj tatimpaguesit, pra kur tatimpaguesi nuk e paguan tatimin në kohë dhe fillojnë interesat negative, debitore, ashtu duhet të ketë dhe interesa kreditore që kur nuk rimbursohet TVSH-ja duhet të kontabilizohen dhe këto. Duhet të fusim patjetër elementin e kompensimit.

Kush ka më shumë proleme, bizneset e mëdha, të vogla, apo nuk ka dallim të gjithë janë?

Z. Shkodra: Një nga diskutimet që ne kemi patur me Ministren është që nganjëherë tendenca për të përfunduar për zgjidhjen e halleve dhe problemeve shumë të vogla, mund t’i marrë më shumë kohë dhe energji, ndërkohë që duhet të punojmë më fort për të ndërtuar sisteme. Nëse ne ndërtojmë sisteme, unë besoj që dhe ato probleme të vogla fillojnë të zgjidhen për shkak të sistemit.

Bizneset e mëdhaja kanë veprimtari më të madhe, dhe ndoshta nuk kanë shumë halle apo shume volum, por kur e kanë, e kanë akut, e kanë më të rëndësishëm, që do të thotë e kanë me një vlerë dëmi shumë herë më të madh, e kanë me një impakt social shumë herë ndoshta më të madh. Kështu që unë besoj se Ministrja duhet të fokusohet shumë herë më tepër, në përcjelljen e problematikave që ne shprehim. Duhet të fokusohemi më shumë te sistemi. Ne e duam fokusin e ministres për sipërmarrjen që të pranojë propozimet tona, të ulemi në konsultim dhe të përcjelli pikërisht këto gjëra, pra sistemet që ne duhet të ndërtojmë.

Read more

Mblidhet Bordi dhe Asambleja e Përgjithshme e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

Ditën e premte datë 9 mars 2018, u zhvillua mbledhja e Bordit dhe Asamblesë së Përgjithshme. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët më të rinj të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për vitin 2018. Çështjet që u trajtuan për diskutim ishin:

  1. Miratimi i pasqyrës financiare për vitin 2017;
  2. Miratimi i projekt buxhetit mbështetës për vitin 2018;
  3. Miratimi projektstrukturës dhe organikës së shoqatës;
  4. Diskutime për ndryshime statutore;
  5. Etj.

Gjatë mbledhjes u diskutua dhe në lidhje me axhendën e takimeve për zhvillimin e tryezave teknike sektoriale me përfaqësues të ministrive sipas kalendarit të caktuar nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Në fund të mbledhjes u zhvillua ceremonia e dhënies së çertifikavatë të anëtarësisë për vitin 2018.

[slider style=”flat” category=”Mbledhja Asamblese 9 mars 2018″ orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, T4 – 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 102,8, duke shënuar rritje me 2 %, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2016 dhe me 1,7 %, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2017.

Në tremujorin e katërt 2017, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është 2 %. Rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 7,8 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 11,7 %. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e “Industrisë përpunuese” kanë shënuar rritje me 1,6 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e “Metalurgjisë” me 6,2 %, “Prodhimi i produkteve minerale jo-metalike” me 4,5 % dhe “Konfeksionimi i veshjeve” me 0,3 %.

Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 100,2, duke shënuar rritje me 0,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016.

Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 107,5, duke shënuar rritje me 4,6 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Në tremujorin e katërt 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit ka shënuar rritje me 1,7 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan rritje me 8,3 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë rritur me 12,6 %. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar rritje me 0,6 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e “Metalurgjisë” me 1,8 %, “Prodhimi i produkteve minerale jo-metalike” me 0,9 % dhe “Konfeksionimi i veshjeve” me 0,4 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar rritje me 0,8 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Në këtë rritje ndikim kryesor e ka dhënë rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 7,6 %. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,0 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri nxjerrëse” me 8,8 %, dhe çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” me 1,2 %.

Për më shumë informacion shkarko dokumentin.

Read more

Deklaratë e përbashkët për shtyp në lidhje me falimentimin e industrisë së riciklimit

Sot datë 6 mars 2018, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Ricikluesve, në një deklaratë për shtyp kanë denoncuar veprimet ekstraligjore të ushtruar nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, ndaj një numri të konsiderueshëm subjektesh aktiv në fushën e grumbullimit, përpunimit të mbetjeve të riciklueshme, në bashkinë e Tiranës.

Subjekte private prej muajsh vazhdojnë të jenë pre e një seri masash administrative arbitrare dhe të jashtligjshme, që kanë kulmuar me revokimin dhe pezullimin e lejeve mjedisore dhe për rrjedhojë ndërprerjen e aktivitetit të 100 (njëqind) subjekteve, duke nëpërkëmbur të drejtat kushtetuese për të ushtruar aktivitetin dhe atë të pronësisë private, duke dëmtuar rëndë financiarisht këto sipërmarrje, mbi të gjitha duke cënuar rëndë interesin publik si rrjedhoje e mbylljes masive të vëndeve të punës, deligjitimimit të aksionit të shtetit dhe kompromentimit pa kthim të procesit të riciklimit në vend, si dhe po sjell përkeqësimin e shumë indikatorëve të performancës së sipërmarrjes të këtij sektori në vendin tonë.

Kërkojmë me këmbëngulje që, në respekt të ligjit:

  1. Të ndalet ky aksion represiv dhe diskriminues ndaj subjekteve private;
  2. Të rikthehet ligjshmëria duke anulluar vendimin për heqjen dhe pezullimin e lejeve mjedisore dhe liçencave;
  3. Të hapet rruga e dialogut institucional me organizmat përfaqësues të sipërmarrjes dhe me shoqatat e sektorit, duke i mbyllur kështu rrugën fushatave apo zgjidhjeve diletanteske në ekonomi.
Read more

Kalendari i Trajnimeve për biznesin e vogël që do të përfshihet në skemën e TVSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një publik zyrtar njofton se duke nisur nga data 5 Mars, fton të gjithë bizneset e vogla, përfaqësuesit e tyre, si dhe personat e interesuar, të cilët  do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së, të marrin pjesë në trajnimet e dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore.

Në mbështetje të ligjit 92/2014, “Për TVSH-në në RSH”, i ndryshuar, neni 107/5, në VKM nr. 953 datë 29.12.2014, për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Neni 1, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili hyn në fuqi nga data 1 Prill 2018, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik. Të gjithë bizneset që plotësojnë këtë kriter ligjor, përmes këtyre trajnimeve, do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj..

Kalendari i trajnimeve është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë këtyre bizneseve sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht punonjësin përkatës të administratës, përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit si dhe për të rezervuar pjesmarrjen.

Kalendari i trajnimeve

Read more

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton: Në skemën e TVSH-së për biznesin e vogël do të përfshihet dhe “Fletë Inventari” për gjendjen e mallrave dhe materialeve të blera me TVSH.

Sipas një njoftimi zyrtar nga DPT, tatimpaguesit e biznesit të vogël me xhiro mbi 2 000 000 lek deri në 5 000 000 lek, të cilët bazuar në ligjin nr.107/2017, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014”, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, VKM nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 11, duke nisur nga data 1 Prill 2018, do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duhet që krahas masave organizative që duhet të ndërmarrin, do të raportojnë edhe inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 Mars 2018, të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj.

Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh sa më poshtë:

  • të përpilohet lista e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve, sipas formularit bashkëngjitur këtij njoftimi;
  • çdo mall i përfshirë në inventar, duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data e deklarimit të inventarit, dhe të jenë të regjistruara në librat e tatimpaguesit. Periudha e faturave të deklaruara në inventar është data 01 Prill 2017 deri në 31 Mars 2018. Këto fatura i bashkëngjiten inventarit;
  • inventari, duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale, në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së, brenda datës 30 Prill 2018. Një kopje të këtij inventari tatimpaguesi e ngarkon edhe në e-filing.

Gjithashtu të gjithë këta tatimpagues, duhet të pajisjen me blloqe tatimore me TVSH, të cilat duhet të tërhiqen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë regjistruar.

Dokumenta ndihmëse: Flete inventari për mallrat me Tvsh kur BV regjistrohet në Tvsh

Read more

INSTAT: Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Janar 2018

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Janar 2018 është 1,7 %.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 3,3 %,
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5 %,
  • “Transport” me 2,2 %,
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %,
  • “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, “Komunikimi” me 0,6 %,
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, etj.

Ndërsa, çmimet e grupit “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje“ u ulën me 1,0 %.

 

Read more

Tregtia e Jashtme, Janar 2018

Në Janar 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u rritur me 23,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 6,4 %, në krahasim me Dhjetor 2017. Importet e mallrave në Janar 2018, arritën vlerën 45 mld lekë, duke u rritur me 27,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe u duke u ulur me 26,5 %, në krahasim me Dhjetor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 21,3 mld lekë, duke u rritur me 31,1 %, krahasuar me Janar 2017 dhe duke u ulur me 45,1 %, në krahasim me Dhjetor 2017.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 23,6 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,5 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +8,1 pikë përqindje;
  • “Ushqim, pije, duhan” me +2,7 pikë përqindje.

Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,9 pikë përqindje

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Janar 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2017 janë:

  • Italia me (6,1 %);
  • Spanja me (114,6 %) dhe Kosova me (43,7 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë:

  • Franca me (-15,4 %);
  • Rumania me (-6,8 %) dhe Hungaria me (-18,7 %).

Në muajin Janar 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2017 janë:

  • Italia me (14,9 %);
  • Turqia me (40,2 %);
  • Kina me (12,9 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë:

  • Shtetet e Bashkuara me (-11,9 %),
  • Rusia me (-30,8 %)
  • Egjypti me (-7,5 %).

Tregtia e jashtme e mallrave sipas disa vendeve të BE-së

Në Janar 2018, shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,1 %, të gjithë tregtisë. Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 81,5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35,6 %), Greqia (7,2 %), Kina (6,7 %) dhe Gjermania (6,2 %).

Read more